“Të jemi vigjilent dhe të bëjmë mirë në Fushë-Krujë”, Bellai: Bylisi luan finalen e radhës, ka kohë për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 11:17

“Të jemi vigjilent dhe të bëjmë mirë në Fushë-Krujë”, Bellai: Bylisi luan finalen e radhës, ka kohë për Elbasanin

Bylisi ka mbyllur përgatitjet për transfertën me Kastriotin, ku sot në orën 13:30 do të luajnë në Fushë-Krujë ndeshjen e prapambetur. Ballshiotët do të kërkojnë fitoren e radhës dhe trajneri Arian Bellai në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” tha se lojtarët janë në formë edhe pse ka ngjeshje kalendari. Bellai kërkon një marsh më shumë sot ndaj krutanëve.

Arian Bellai, trajneri i Bylisit

“Të rëndësishme janë pikët dhe loja. Futbolli ka logjikën e vet, nëse nuk luan mirë nuk merr pikë dhe nuk ke jetëgjatësi. Ndodh që mund të kesh fat dhe një ndeshje ta nxjerrësh me një episod, por ne kemi vazhdimësi. Ekipi luan mirë, reagon në situata delikate dhe po shënojmë. Fituam me meritë me Besën dhe tashmë duan që ta bëjmë këtë edhe me Kastriotin në Fushë-Krujë. Kastrioti ka një grup simpatik dhe një trajner me eksperiencë që ka bërë mirë.

Duhet të jemi vigjilentë dhe të bëjmë mirë edhe në këtë sfidë. Të gjitha ndeshjet janë njësoj. Unë nuk kam bërë dhe nuk do të bëj dallime. Janë përcaktuese, por ne nuk e kemi vënë në asnjë moment vendin e parë në diskutim. Madje edhe kur kemi qenë me pikë të barabarta, ne kemi pasur një ndeshje mangët. Por nuk duhet që të merremi me atë që ka shkuar dhe të shohim punët e të tjerëve. Duhet të bëjmë mirë llogaritë tona. Nuk mendoj për Elbasanin. Jemi të fokusuar te sfida e sotme në Fushë Krujë.

Këtë strategji kemi ndjekur që kur ka filluar gara dhe do e bëjmë deri në ndeshjen e fundit. Kastrioti meriton respektin dhe vlerësimin maksimal, ndaj e tërë vëmendja jonë është në sfidën që luajmë me krutanët”, u shpreh trajneri Arian Bellai para sfidës me krutanët, ku Bylisi ka mundësi që ta thellojë diferencën me ndjekësin më të afërt, Elbasanin.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"