Tani është drejtor në Kategorinë e Parë, Arapi: Duhet durim, fillimisht objektiv i Kukësit është… mbijetesa
Në rolin e drejtorit teknik të Kukësit, Renato Arapi kërkoi durim dhe u përpoq të mos jetë euforik. Nisja vonë e përgatitjeve i penalizon paksa sa i përket objektivave, ku primare është mbijetesa.
“Pavarësisht gjendjes që ndodhet klubi tani, Kukësi është një ekip elitar që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Ajo që më bëri të vija këtu është ftesa e donatorëve apo pronarëve të rinj, duke ditur edhe objektivat e tyre të qarta, sepse unë kam një periudhë të konsiderueshme që njihem dhe projekti që shpalosën më bëri të pranoj ftesën.
Të gjithëve do na pëlqente të riktheheshim që këtë vit në Superiore, por duhet të jemi edhe pak realistë dhe me këmbë në tokë, që jemi goxha vonë, sepse ekipi thuajse nuk është stërvitur fare këtë periudhë, normalisht edhe lojtarë duhet të vijnë që të mbushet grupi. Do shohim hap pas hapi. Objektivi kryesor është të qëndrojmë në ligë dhe më pas deri në janar, nëse ekipi ka bërë mirë do shohim të përforcohemi dhe të synojmë pse jo edhe Superligën. Do mundohemi të marrim lojtarë edhe nga jashtë dhe liga e parë dhe do mundohemi të bëjmë maksimumin”, u shpreh fillimisht Arapi.
Sa i përket ngërçit me stadiumin, Arapi uron të bëhet më e mira. “Stadiumi nuk është një çështje që më përket dhe takon mua të flas. Shpresoj dhe uroj ta shfrytëzojmë atë stadium, sepse për ekipin dhe qytetin e Kukësit u ndërtua. Uroj të bëhet më e mira”, theksoi drejtori teknik.
Në fund, Arapi shpreson tek një fitore në start me Erzenin. “Do të ishte mirë ta fitonim, sepse do të bënte mirë për moralin e lojtarëve dhe më pas do t’i merrnim gjërat edhe me qetësi në vazhdimësi. Unë uroj që tifozët të na ndjekin dhe shoqërojnë gjatë gjithë kohës, por duhet të ketë edhe pak durim, sepse gjërat nuk bëhen shumë shpejt. Në duam të ndërtojmë një klub dhe jo ekip. Ekipi ndërtohet shumë shpejt, por jo klubi, ndaj të jemi me këmbë në tokë”, përfundoi Renato Arapi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"