Superkupa Real Madrid-Atalanta/ Ançeloti dhe Modriç, gati të futen në “portat” e historisë
Reali i Madridit kampion i Europës dhe Atalanta fituese e Ligë së Europës do të ndajnë sonte në orën 21:00 në Varshavë (Poloni) trofeun e parë sezonal, Superkupën e Europës. Një trofe që do të thotë shumë për të dyja palët. Po e nisim nga ajo më pak e favorizuara e finales, Atalanta. Në rast suksesi, ky do të ishte i pari për “Dea”- n e Gjimshitit në histori. Për Realin puna qëndron ndryshe.Një sukses, do të bënte atë klubin me më shumë trofe të Superkupës së Europës (6). Ndërkohë që kjo finale është e veçantë për Ançelotin dhe Luka Modriç. Kjo është mundësia e tyre e parë për të vendosur rekorde absolute personale. Kroati Luka Modriç do të bëhet lojtari me më shumë tituj solo në historinë e Realit nëse mposht Atalantën. Ai do të shijonte suksesin e tij të njëzet e shtatë; për Karlo Ançelotin ky do të ishte trofe numër 14 si trajner i Realit që do ta barazonte italianin me legjendën Migel Munjoz, si trajneri më i suksesshëm i klubit të bardhë. Modriç dhe Ançeloti janë në portat e parajsës së Madridit për të vendosur rekorde të reja në një sezon plot sfida, me opsionin për të luftuar të fitojnë deri në shtatë tituj. Largimi i Naço Fernandez i lë Modriçit shiritin e kapitenit dhe mundësinë për të udhëhequr i vetëm klasifikimin historik të futbollistëve me më shumë suksese.
Pas 58 vitesh, Modriç, së bashku me Naçon (tashmë i larguar), Dani Karvahalin dhe Toni Kros (lamtumirë futbollit), arritën të fitojnë më 1 qershor atë që u nënshkrua nga legjenda Pako Gento, i cili në vitin 1966 vendosi rekordin e fitimit të gjashtë titujve kampion Europe. Tani, mesfushori kroat ka shansin e madh të bëhet futbollisti me numrin më të madh të titujve në 122 vitet e ekzistencës së Realit të Madridit. Por ka edhe më… Nëse skuadra madrilene mund Atalantën në Varshavë, Dani Karvahal do të kalojë gjithashtu Karim Benzemanë dhe Marselon për të ndjekur 26 titujt e Naços si lojtari i dytë më i suksesshëm në historinë e Madridit.
Ndërkohë, Lukas Vaskez do të arrinte 22 trofetë e Serxhio Ramos dhe Manolo Sançiz. Mundësia për të fituar Superkupën e tij të tretë evropiane, pas sukseseve në vitet 2014 dhe 2022, sjell edhe një moment të veçantë për Ançelotin në “Nacional” të Varshavës. Opsioni për të fituar titullin e tij të katërmbëdhjetë si trajner i Madridit dhe për të ndjekur legjendën Migel Munjoz me një numër më të vogël ndeshjesh. Migel Munjoz arriti të fitonte 14 trofe me Realin në 605 ndeshje ndërmjet viteve 1960 dhe 1974, me një bilanc prej 357 fitoresh, 128 ndeshje të barabarta dhe 120 humbje. Merita e Karletos është se mund të barazohet me të në vetëm pesë vjet, midis dy periudhave të tij si trajner i Realit (2013- 2015 dhe nga 2021 e këtej).
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"