Superiorja në “ajër”, pa emër dhe transmetim/ U përfituan 540 milionë lekë, kampionati mund të…
Kategoria Superiore përfundon kon tratën me Abissnet dhe pritet që të zhvillohet një ankand për shitjen e emrit të kampionatit shqiptar.
Kompania kishte një marrëveshje për tri vite, që ka përfunduar pak ditë më parë dhe sezonin e ri. Kampionati elitar në vendin tonë mund të marrë një emër tjetër, edhe pse ende nuk është bërë asnjë njoftim nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit apo Ligës Profesioniste të Futbollit, angazhim i së cilës është.
KONTRATA PËRFUNDOI
Kompania Abissnet, në vitin 2021 fitoi të drejtën e emrit të Kategorisë Superiore duke paguar 540 milionë lekë të vjetër në total për tri sezone. Një shifër e ulët, duke zbritur edhe TVSH-në, klubet përfituan nga 15 milionë lekë të vjetër në sezon, por kujtojmë që shitja e emrit të kampionatit ishte një risi dhe ndodhi për herë të parë në Shqipëri.
Megjithatë, tani kontrata ka përfunduar dhe për Kategorinë Superiore është hapur rruga për të ndryshuar emër dhe për të tërhequr kompani serioze të cilat do të ofronin një shumë edhe më të lartë, për të rritur në një farë mënyre edhe të ardhurat e klubeve në këtë drejtim. Kampionati fillon më datën 24 gusht dhe pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me shitjen e emrit.
ASNJË ANKAND
Normalisht, procedura standarde për shitjen e emrit të Kategorisë Superiore është hapja e një gare, e cila iu mundësojë kompanive që të marrin kualifikimet e duhura dhe të përgatisin dokumentacionin për të marrë pjesë në ankandin që zhvillohet. Por, edhe pse kontrata tri vjeçare me Abissnet ka përfunduar, Liga Profesioniste e Futbollit, por as FSHFja nuk kanë dalë me një njoftim për hapjen e garës për shitjen e emrit të Kategorisë Superiore dhe deri tani nuk dihet pse diçka e tillë nuk po realizohet.
TRANSMETIMI I PAQARTË
Në vitet e fundit, transmetimi i futbollit vendës në Shqipëri ka kaluar sa në një kanal te tjetri dhe askush nuk e ka mbajtur më shumë sesa një sezon. E njëjta situatë pritet të përsëritet edhe për sezonin e ri, ku gazeta e ka bërë të ditur edhe më parë se Kategoria Superiore pritet të mos transmetohet në MCN TV dhe me shumë mundësi do të kalojë në një tjetër kanal.
Flitet për Radio Televizionin Shqiptar, me drejtuesit e këtyre të fundit që kanë shprehur interesim për transmetimin e kampionatit, por nuk po gjendet akoma gjuha e përbashkët. Edhe sezonin e kaluar, transmetuesi i kampionatit u bë zyrtar vetëm dy ditë para nisjes së javës së parë dhe mesa duket i njëjti precedent pritet të ndodhë edhe këtë vit. Gjithsesi, nuk përjashtohen surpriza.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"