Superiorja i lë vendin Kupës së Shqipërisë, ja kur luhen duelet e kthimit të fazës çerekfinale
Superiorja uli siparin e javës së 26-të ditën e sotme, duke i lënë radhën Kupës së Shqipërisë, ku në datat 5 dhe 6 mars janë planifikuar të zhvillohen duelet e kthimit të fazës çerekfinale.
Fillimisht të martën e 5 marsit do të zbresin në fushë Egnatia dhe Laçi. Sfida merr jetë në orën 13:30, teksa ndeshja e parë në Laç kujtojmë se u fitua 0 me 1 nga rrogozhinasit. Më pas, në orën 17:00 te “Arena e Demave”, Partizani pret Kukësin që e mposhti 0 me 1 në Kukës.
Ndërkohë në datën 6 mars janë planifikuar të luhen edhe 2 duelet e tjera çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Tirana dhe Teuta diskutojnë kualifikimin në shtëpi, në duelin që starton prej orës 13:30. Ndeshja e parë mes tyre përfundoi barazim 0 me 0.
Ndërkohë Vllaznia dhe Erzeni mbyllin raundin çerekfinal. Kujtojmë se ndeshjen e parë e fituan shijakasit në Rrogozhinë me rezultatin 1 me 0. Gjithçka do vuloset në “Loro Boriçi”.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë:
5 mars
Ora 13:30, Egnatia – Laçi (1-0)
Ora 17:00, Partizani – Kukësi (1-0)
6 mars
Ora 13:30, Tirana – Teuta (0-0)
Ora 17:00, Vllaznia – Erzeni (0-1)
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"