Sulmuesi Mustafa Salami: Nuk luaj në Kategorinë e Parë, Kukësi vendos të ardhmen time

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 22:09

Sulmuesi Mustafa Salami: Nuk luaj në Kategorinë e Parë, Kukësi vendos të ardhmen time

Ishte sezoni i tij i parë në kampionatin shqiptar, por njëkohësisht mund të thuhet pa frikë se ishte edhe një zbulim. Bëhet fjalë për Mustafa Salamin, sulmuesin e skuadrës së Kukësit, që edhe pse në rang ekipor për fat të keq s’arriti rezultate, duke rënë nga kategoria dhe humbur finalen e Kupës.

SALAMI

Gjithsesi, 22-vjeçari spikati me talentin e tij në fushën e lojës. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, nigeriani, i cili aktualisht po pushon në vendin e tij, ndalet tek ajo finale e Kupës që për fat të keq nuk e fituan, por e sheh si një vitrinë pozitive për veten e tij dhe klubin. “Fatkeqësisht humbëm finalen e Kupës, por është një ekspozim i mirë për mua dhe ekipin, duke u paraqitur në finalen e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Ne humbëm shumë raste në pjesën e dytë të lojës, por është pjesë e futbollit dhe fatkeqësisht s’mundëm t’i shfrytëzonim dot rastet tona”, u shpreh fillimisht futbollisti i verilindorëve.

EKSPERIENCA – Nuk është asnjëherë e lehtë për një të huaj që vjen në vendin tonë, për më tepër në moshë të re, të spikasë dhe meritojë vlerësime për atë që jep në fushë. Për më tepër, kur është pjesë e një skuadre që në fund të edicionit ka rënë nga kategoria. Për 22-vjeçarin, aspekti personal ka qenë pozitiv, ndonëse është i bindur se nuk mbaron me kaq potenciali që ka. “Jam i lumtur që bëra një paraqitje të mirë në sezonin tim të parë në Shqipëri dhe besoj se kam ende shumë për të dhënë”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën, Mustafa Salami.

E ARDHMJA – Ajo që është vënë në diskutim pas mbylljes së sezonit është e ardhmja e tij, pasi ofertat nuk i kanë munguar, por është ende nën kontratë me klubin e Kukësit. Salami sqaron se s’dëshiron të luajë në Kategorinë e Parë, por do të ulet të bisedojë me klubin për këtë çështje. “Për Kategorinë e Parë mendoj se jo, por besoj se skuadra do të bisedojë me agjentin tim dhe të shohim pas disa javësh. Synimi im sigurisht është që të luaj në skuadrat më të mira të Europës”, sqaroi Salami. Me të ose jo në skuadër, nigeriani është i bindur se Kukësi do të krijojë një ekip ambicioz që të tentojë sërish ringritjen në Superiore. “Sa i përket skuadrës, që do të jetë në Kategorinë e Parë, kam besim se do të krijojnë një ekip konkurrues për t’u ngjitur sërish”, mbylli prononcimin për gazetën sulmuesi i skuadrës së Kukësit.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"