Sulmuesi i Holandës dënohet si trafikant droge, Memfis Depaj nuk i kthen shpinën: Aty ishte edhe Pogba…
Memfis Depaj është përsëri në epiqendër të kritikave në Holandë. Jo për formën që po kalon, por pas qëndrimit që ka mbajtur në ditët e fundit rreth situatës së Kuinsi Promes.
Ky i fundit është dënuar si trafikant ndërkombëtar droge nga drejtësia holandeze, por Depaj nuk heq dorë nga miqësia që ka me të, ndaj edhe ka postuar pak kohë më parë një foto ku ishin bashkë gjatë pushimeve në Dubai. Vetë trajneri i përfaqësueses, Ronald Kuman dha një mesazh se nuk dëshironte një situatë të tillë, pasi po kthehej në një temë diskutimi që shpërqendronte futbollistët.
“Unë nuk do e bëja një gjë të tillë. Nuk na vjen për shtat. Nuk kam folur me të rreth kësaj teme, Nigel De Jong (drejtori sportiv) po”, tha Kuman
Por sot Depaj u shfaq para mediave dhe ishte i qartë në këndvështrimin e tij rreth kësaj situate.
“Kurrë nuk do të zhgënjej miqtë dhe familjarët e mi. Kjo nuk do të thotë se jam dakord me çdo gjë që bëjnë, por nuk mund t’u kthej shpinën. Ne futbollistët publikojmë gjëra nga më të ndryshmet në rrjetet sociale. Fotoja ime me Kuinsin nuk kishte si qëllim që të provokonte askënd, thjesht ishim me pushime në Dubai. Ishte edhe Pol Pogba në atë foto. Thjesht ia kaluam mirë bashkë, kjo është gjithçka që desha të thosha.
Opinionin që kam për situatën e tij, do ta mbaj për vete. Njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që vij nga një e kaluar e vështirë. Vëllai im ishte gjithashtu 10 vite në burg dhe asnjëherë nuk më kanë pyetur për të. Por më kanë pyetur për Promes. Benzhamin Mendi dhe Dani Alvesh gjithashtu ishin të përfshirë në çështje penale, por kjo nuk do të thotë se do të ndalin të jenë miqtë e mi. Unë nuk e njoh Kuinsin ashtu siç e përshkruajnë. Kjo nuk nënkupton që unë them se bëjnë gjërat mirë apo keq, apo që mbështet çdo gjë që bëjnë miqtë e mi. Por nuk do u kthej shpinën. Unë nuk jam kështu”, tha Depaj para mediave.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"