Sulmuesi 19-vjeçar i Vorës, Sajdi Thana, piketon kavajasit: I mundim dhe shënoj gol
Vora e mirëpret pa probleme fazën e tretë, ku shpreson që ecuria pozitive të konkretizohet në fund me arritjen e objektivit historik, ngjitje në Superiore. Të dielën Vora pret Besën dhe të gjithë besojnë te marrja e trepikëshit të radhës.
Vorakët kanë alternuar lojtarët e rinj me ata me përvojë dhe kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Apolonisë, ku stafi i dha minuta 19-vjeçarit të ardhur nga akademia e klubit, Sajdi Thana. Sulmuesi bëri paraqitje pozitive në 20 minuta që luajti, duke dhënë sinjale se mundet të konkurrojë për një vend në fazën ofensive. Sajdi Thana ka luajtur gjithsej këtë sezon 129 minuta dhe në merkaton e janarit nënshkroi kontratën me ekipin e parë të Vorës.
Për “Panorama Sport” Thana u shpreh: “Qytezën e Vorës, njerëzit e saj dhe tifozët e skuadrës, i dua shumë. Falënderoj tifozët për mbështetjen që ata i japin skuadrës tonë. Te Vora asnjëherë nuk më mungon energjia pozitive, pasi këtu jam lindur, jam formuar si futbollist e këtu po luaj tashmë si një profesionist. Sigurisht që formimi duhet të kompletohet edhe më shumë për të konkurruar kolegët e mi sulmues.
Është kënaqësi të marrësh udhëzime nga një sulmues si Raboshta. Shpresa dhe dëshira ime e vetme është që të kap formën maksimale dhe pse të mos ëndërroj një ditë edhe ekipin Kombëtar. Lidhur me takimin e radhës kundër Besës, shpresoj të luaj sërish, të kontribuoj për ekipin dhe pse jo, të shënoj”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"