Suksesi në derbi, pas 5 vitesh në Fier, “ndez” Lushnjën. Kryebashkiakja Sefa kërkon vazhdimësi
Lushnja nuk e bëri dramë humbjen me përmbysje në transfertë kundër Kastriotit, pasi për tri ditë të besuarit e trajnerit Gugash Magani gjetën forca për të marrë një fitore me peshë. Pikërisht bëhet fjalë për derbin e Myzeqesë, takim të cilin lushnjarët nuk e fitonin prej pesë vitesh në tranfertë.
Për herë të fundit që Lushnja kishte fituar derbin e Myzeqesë si udhëtues, ka ndodhur më 22 shtator 2019, sukses i cili u arrit në fushën asnjanëse të Ballshit, ndonëse Apolonia ishte organizatore e sfidës. Asokohe kohe, Lushnja e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla mposhte fierakët me rezultatin 2-1, ku të dy golat për verdhejeshilët i shënoi sulmuesi Mikel Canka, i cili sërish është pjesë e skuadrës. Kësaj radhe, Lushnjës së trajnerit Gugash Magani i ka mjaftuar goli i Kledis Hidës për të fituar derbin e Myzeqesë si udhëtues. Gëzimi i këtij suksesi është i madh në kampin lushnjar, pasi të gjithë janë në unison se fitorja me Apoloninë në Fier vlen dyfish.
Këtë gjë e pranuan dy protagonistët e Lushnjës pas ndeshjes, trajneri Gugash Magani dhe mbrojtësi Kledis Hida. Këtë lajtmotiv e ka trumbetuar pas fitores edhe kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, e cila përmes një postimi në faqen e saj në rrjetet sociale shkruan: “Fitorja në derbin e Myzeqesë shijon dyfish! Të vazhdojmë kështu!” Kalendari nuk i lë mundësi verdhejeshilëve që të gëzojnë shumë, pasi në javën e pestë i pret prova e së vërtetës, ku do të shtunën presin kryesuesit e Besës në “Roza Haxhiu”. Kavajasit kanë nisur marshimin drejt kthimit në Superiore, por në pozita të mira ndodhet edhe Lushnja në këtë fillim sezoni. Kështu që kjo sfidë mund të jetë një busull e vërtetë për vazhdimësinë e dy ekipeve, ndonëse janë shumë ndeshje për t’u luajtur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"