Strategji për të kaluar krizën, trajneri i Besëlidhjes: Defektet e riparueshme
Besëlidhja po e shfrytëzon ndërprerjen për të reflektuar dhe… riparuar. Lezhjanët duan që të dalin nga zona e kuqe. Dhe kjo mund të ndodhë shumë thjeshtë, duke marrë maksimumin në tri ndeshjet e mbetura të fazës së parë.
Gjatë kësaj kohe pauze të kampionatit janë planifikuar disa miqësore dhe e para do të luhet të shtunën me U-21 e Vllaznisë dhe më pas me Vorën e Tërbunin.
Nikolin Çoçlli është optimist për të ardhmen dhe këtë e pohon për “Panorama Sport”. Ai tregon se gabimet janë evidentuar tashmë dhe lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë.
“Pas dy ndeshjeve nën drejtimin tim, zhvilluam një analizë të gjatë dhe të detajuar. Evidentuam gabimet që çuan në humbjen e dy transfertave radhazi dhe projektuam strategjinë për ndryshimin e gjendjes. Ka mbi një javë që kampionati është ndërprerë, por ne kemi vijuar stërvitjen me një program të posaçëm për këtë muaj. Kam dalë në konkluzionin se gjendja në të cilën ndodhet sot Besëlidhja, është e riparueshme. E para, diferenca e pikëve është ‘zero’ tek ekipet e zonës së kuqe, ndërsa ajo me gjysmën e parë të tabelës është -3. E dyta, përgatitja fizike e grupit është e kënaqshme. Ndaj krahas ushtrimeve fizike, kam më shumë kohë në dispozicion për të punuar në aspektin teknik dhe taktik. Aty, ku çalojmë më shumë. E treta dhe më kryesorja është se ekipi ka besim në vete për tejkalimin e kësaj gjendjeje. Gjatë kësaj periudhe kemi planifikuar disa ndeshje, për të testuar ekipin në ngarkesë të plotë. Kështu do të mund të riparojmë defektet e vëna re. Ne do t’i nisim miqësoret këtë të shtunë ndaj Vllaznisë U-21, për të vijuar me Vorën dhe Tërbunin. Kam besim të plotë se jo vetëm do të largohemi pa kthim nga zona e rrezikut, por shpejt do të shndërrohet në kërcënim serioz edhe për kreun”, përfundoi trajneri i Besëlidhjes.
PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"