STATISTIKAT/ Më shumë ndeshje në Champions, Myler mund i vetëm danezët, Bajern kërkon rekordin e Barçës
Bajerni do të përballet mbrëmjen e sotme në Champions ndaj modestëve të Kopenhagës, e vlefshme për javën e dytë në fazën e grupeve. Bavarezët janë shortuar në Vazon A, aty ku ndodhet edhe Mançester Junajtidi, Gallatasaraji dhe danezët e Kopenhagës.
Të besuarit e Tomas Tuhelit e nisën me këmbën e mbarë ciklin 2023-2024, duke korrur fitore me shifrat 4- 3 ndaj Junajtidit, ndonëse në mediat vendëse nuk u prit aq mirë numri i lartë i golave të pësuar. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga statistikat më interesante mes kampionëve të Budesligës dhe atyre të Danimarkës, ku bie në sy një e dhënë tejet interesante, pa anashkaluar thyerjen e rekordit të Barçës në rast fitoreje.
MYLER MBI KOPENHAGËN-Tomas Myler konkretizoi paraqitjen e 143 me fanellën e Bajernit në Ligën e Kampionëve kundër Mançester Junajtidit, e përkthyer me fitoren numër 100 në këtë kompeticion. Por nëse u referohemi prezencave totale të Kopenhagës, deri në këtë fazë rezulton se futbollisti me numër 25 në “Allianz Arena” ka 1 ndeshje me tepër sesa kampionët e Danimarkës në të gjithë historinë e tyre. Përpara Mylerit në bazë të paraqitjeve në Champions, rezulton se Kristiano Ronaldo (183), Iker Kasijas (177), Lionel Mesi (163), Karim Benzema (152) dhe Ksavi Hernandez (151) regjistrojnë kuotë më të lartë.
TË PAMPOSHTUR- Ekipi me më shumë trofe në tokën gjermane ia ka dalë me sukses pa humbje në faza e grupeve, plot 17 ndeshje radhazi (15 fitore dhe 2 barazime). Në rast fitoreje apo barazimi kundër danezëve në transfertë, ata do të shkruanin me germa të arta rekordin e tyre, pasi deri në këtë pikë e ndajnë “fronin” me Barçën.
SANE NË “TOP” FORMË- Anësori Leroi Sane është i përfshirë drejtpërdrejt në 15 gola në harkun e 11 paraqitjeve të Champions-it përgjatë fazës së grupeve (10 gola dhe 5 asiste). Në 6 takimet e fundit ai është përfshirë të paktën në 1 finalizim ose shërbim në favor të shokëve, tregues se sulmuesi 27-vjeçar transformohet në Ligën e Kampionëve. ENDE PA FITORE NDAJ GJERMANËVE-Sezonin e shkuar Kopenhaga i rezervoi fatin të gjendej në një grup me Borusia Dortmundin, e ku mori vetëm 1 pikë. Por nëse analziojmë rekordin ndaj ekipeve gjermane, hendeku është tepër i madh. Konkretisht, në 12 ballafaqime ata kanë mbledhur 8 humbje dhe 4 barazime. Kjo e dhënë reflekton se danezët janë në kërkim të fitores së parë, ndonëse vështirë të imagjinohet kundër skuadrës më të diktuar në Gjermani, Bajernit.
GOLAT- Të besuarit e Jakob Nestrup e kanë gjetur golin në 12 takime radhazi në të gjithë turnetë, madje ata ishin të parët që e dërguan topin në rrjetë kundër Gallatasarajit. Shënimit i golit në portën e Bajernit nuk mund të vështrohet si tabu, aq me tepër kur prapavija e bavarezëve ka futur “ujë” në sfidat e fundit.
KEJN-Futbollisti me numër 9 në gjirin e kampionëve nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë në Mynih, teksa ka shënuar 9 gola në 8 ndeshje, shto 4 asiste. Numrat flasin qartë se Herri është përshtatur mjaft mirë në urdhrat e Tuhelit, ekzaktësisht ai përfshihet në gol çdo 49 minuta.
Përgatiti: JETON STAMOLLA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"