Starti i sezonit/ Mungojnë disa gola dhe pikë, Partizani pa vrullin e vjetshëm
Partizani pësoi ditën e djeshme humbjen e parë në kampionat, ku u mposht nga Skënderbeu në Korçë me shifrat 1-0 me një penallti të shndërruar në gol nga Ermir Rashica në të 83-ën. Kjo humbje konfirmoi nisjen mes luhatjeve që të kuqtë i kanë bërë këtij sezoni në Superiore.
Vjet të kuqtë e nisën me një seri prej tri fitoresh, ndërsa këtë sezon skuadra duket më pak e qëndrueshme sa u përket rezultateve. Nëse i bëjmë një krahasim 5 ndeshjeve të para të luajtura në sezonin e shkuar dhe atyre të këtij sezoni, Partizanit i mungojnë pikë dhe gola.
Vjet pas tri fitoreve radhazi “demat” mposhteshin nga Erzeni e më pas regjistronin një tjetër fitore, për të fiksuar shifrën e 12 pikëve. Këtë edicion të kuqtë e nisën po aq mirë, duke fituar në fund ndaj Laçit, por ngecën në dy ndeshjet pasardhëse me dy barazime, para se të fitonin me Dinamon në një ndeshje mjaft bindëse.
Më pas erdhi kjo humbje ndaj Skënderbeut, si për të thënë se të kuqtë ende nuk janë vetvetja. Edhe golat janë problem në këtë sezon. Skuadra e Zekiçit ka shënuar 3 më pak se ajo e vjetshmja, e drejtuar nga Xhovani Kolela. Mbrojtja duket në rregull, pasi ka pësuar 1 gol më pak se vjet. Goleadori? Bintsuka ka pasuar Skukën, me një rrjetë më pak se dibrani.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"