Spektakël në tribuna e plot ngjarje në fushë/ “Kapen” Grenti dhe Tomori, pikantet e derbit Tirana-Partizani
“Panorama Sport” ju sjell moment et pikante të ndeshjes mes Tiranës dhe Partizanit e përfunduar me shifrat 1-1.
*Para fillimit të derbit masat e sigurisë dështuan në momentin kur disa prej tifozëve të Partizanit sulmuan autobusin e Tiranës.
Teksa automjeti po kalonte pranë stadiumit për t’iu drejtuar hyrjes nëntokësore të parkingut të impiantit, tifozët e Partizanit, edhe pse kishte forca policore që shoqëronin automjetin, kanë sulmuar autobusin duke plasaritur njërin prej xhamave.
*Ky derbi ishte më spektakolari i këtij sezoni për sa i përket asaj që ndodhi në tribuna. “Tirona Fanatics” kanë zgjedhur të bëjnë një koreografi magjie. “Tirona Cadabra”, shkruhej në një baner gjigant, duke mbuluar plotësisht pjesën pas portës. Pak sekonda më vonë, u shfaq edhe një magjistar, me shkopin magjik. Nga ana tjetër “Ultras Guerrils” kanë zgjedhur figurën e Hulk, por të veshur me ngjyrat e Partizanit duke sulmuar trofeun e titullit kampion për ta çuar në shtëpinë e kuqe.
*Njëzet minuta para derbit shitja e biletave kishte ecur në mënyrë shumë të kënaqshme. Tabela shënonte 18.220 vende të zëna. Në fund të pjesës së parë mësohet se janë shitur 18.306 bileta. Në një përllogaritje të përafërt, klubi i Tiranës ka arkëtuar rreth 230 milionë lekë të vjetër nga shitja e biletave të kësaj ndeshjeje.
*Skuadra U-15 e futbollit të Tiranës, djemtë e basketbollit dhe djemtë e volejbollit, kampionë të Shqipërisë në kampionatet përkatëse, bëjnë paradë para tifozëve, që i rezervojnë një pritje spektakolare duke krijuar një atmosferë shumë elektrizuese.
*Pas vetëm pesë minutash lojë, Shehi lexon diçka në vendosjen e Partizanit dhe thërret Abazajn, të cilit i jep disa udhëzime. Pak minuta më pas thërret edhe Lulajn, që e mban gjatë dhe mesa duket nga gjestet i bën thirrje të kujdeset më shumë për topat pas shpine.
*Tensioni nis të shfaqet që në minutat e para, me Lushkjën dhe Sotën që kacafyten dhe ndalin lojën për pak çaste.
*Telushi fiton një goditje këndi dhe afrohet të marrë topin. Tifozët e spërkasin vlonjatin me birrë dhe tentojnë ta godasin me sende të ndryshme, teksa nuk mungojnë as flakadanët në fushë.
*Në një moment kur Lulaj detyrohet të ndalet për shkak të një çarjeje, trajneri i Partizanit thërret të gjithë skuadrën për t’i dhënë këshilla.
*Pak minuta para fundit të pjesës së parë, ka një rast të dyshimtë për penallti në zonën e Tiranës. Drejtori i Tiranës, Tefik Osmani, për pak sa nuk hyn në fushë duke protestuar. Delegati Marjus Sulejmani shkon ta qortojë dhe ta kthejë në pankinë.
*Në sektorin e tifozërisë së Tiranës ka një moment tensioni, me disa tifozë, që përleshen me njëri-tjetrin.
*Bekaj del në fushë para të gjithëve për pjesën e dytë dhe gjen aty rezervat e Partizanit. Nuk mungon një takim i ngrohtë me Hotin.
*Lushkja pëson një dëmtim, që e detyron të lërë fushën. Mesfushori kavajas largohet nga terreni i blertë mes lotësh.
*Partizani shënon me Da Silvën dhe situata për pak çaste del jashtë kontrollit, pasi disa tifozë hyjnë në fushën e lojës. Nuk mungojnë tymueset dhe flakadanët.
*Sapo nis loja pas golit, një shashkë shpërthen pranë Rexhepit dhe e lë të dëmtuar. Ndërkohë që mjekët i ndërhyjnë, të tjerë flakadanë hidhen pranë mjekëve dhe portierit, që detyrohen të lëvizin menjëherë në një pozicion më të sigurt. Pas këtij incidenti forcat speciale vendosen përballë të dyja tifozërive.
*Në momentin e zëvendësimit, Da Silva refuzon të dalë nga fusha me ritmin e duhur. Lojtarët e Tiranës vrapojnë ta shtyjnë të dalë nga fusha, teksa nuk mungon as tensioni.
*Në momentin e shënimit të golit nga ana e Tiranës, lojtarët e Partizanit pësojnë një goditje psikologjike. Hoti i bën me shenjë sikur t’i thotë: Çfarë keni? Loja vazhdon, qetësohuni dhe vazhdoni me të njëjtin ritëm.
*Hasani dhe Hila, të pezulluar me kartonë, e shohin ndeshjen nga tribuna, por janë gati të hyjnë në fushë. Në një moment duhet edhe ndërhyrja e stjuardëve për t’i qetësuar.
*Një djalosh arrin të çajë mes stjuardëve dhe zbarkon në fushë, ku shkon të takojë futbollistët e Tiranës.
*Në fund të ndeshjes ka tension mes drejtuesve të Tiranës dhe atyre të Partizanit, të ndodhur në tunelet e stadiumit “Air Albania”. Drejtori i akademisë së bardhebluve, Grent Halili, u pa të kishte një debat të ashpër me homologun e tij te Partizanit, Genc Tomori. Personat e ndodhur aty në ato momente, qetësojnë situatën.
*Pas përfundimit të sfidës, trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, u pa shumë i irrituar, teksa bisedonte me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi dhe drejtorin e të kuqve, Elton Marini.
*Në minutën e 101-të dhe të fundit të shtesës, që ishte rekord më vete, ndodheshin tre topa në fushë, të hedhur nga vendësit në fushën e lojës.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"