Tirana kundër Bajernit 35 vite më parë, të pathënat e duelit
NGA UVIL ZAJMI
Historia e klubeve shqiptare në Ku pat e Europës ka vend edhe për një tjetër ballafaqim të madh në fund të viteve ’80. Më saktësisht për edicionin 1989- 1990, kur për herë të parë në Shqipëri mbërriti gjiganti gjerman, Bajern i Mynihut, për t’u përballur me Tiranën (17 Nëntorin e kohës) për turin e dytë të Kupës së Kampioneve.
Revista e Bajernit, me një speciale për 17 Nëntorin para ndeshjes
Ka qenë tetori i vitit 1989, plot 35 vite më parë, kur klubi bavarez me fame të madhe do të zbresë në Tiranë. Një skuadër që të takon rrallë të luash kundër saj, me “Qemal Stafën” që ka e mirëpritur dhe një spektator i jashtëzakonshëm për të ndjekur atë 90-minutësh.
NGA KUALIFIKIMI NDAJ MALTEZËVE, TEK DUELET ME GJERMANËT
Goglat e edicionit 1989-1990 në Kupën e Kampioneve, sot Champions League, do të vendosnin në turin e parë 17 Nëntorin e Tiranës kundër maltezëve të Sliema Uonderers. Ishte e katërta herë që një tjetër kualifikim për një skuadër shqiptare në Europë do të vijë nga përballje me skuadra të ishullit të vogël. Të gjitha në turin e parë, duke filluar nga Dinamo, Vllaznia dhe dy herë 17 Nëntori.
LA VALETA, 13 SHTATOR 1989
SLIEMA UONDERERS-17 NËNTORI 1-0
SHËNUES: Uolker 58’
FORMACIONI I 17 NËNTORIT: Mersini, F.Daja, Hodja, Lekbello, Alimehmeti (Sako 46’), Josa, Liti, Bardhi, Omuri, Riza, Kola.
Trajner: Shyqyri Rreli
TIRANË, 27 SHTATOR 1989
17 NËNTORI-SLIEMA UONDERERS 5-0
SHËNUES: Kola 29’ (11-m), 34’ (11-m), Bardhi 39’, Hodja 51’, Riza 56’
FORMACIONI I 17 NËNTORIT: Mersini, F.Daja, Hodja, Lekbello (Sako 79’), Alimehmeti, Josa, Liti, Bardhi, Omuri, Riza, Kola.
Trajner: Shyqyri Rreli
Kundër maltezëve nuk pati histori në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa”, ndërsa në raundin e dytë do të kishte një përplasje unikale, kur si asnjëherë më parë do të vinte në Shqipëri si kundërshtar kampion i Republikës Federale të Gjermanisë, Bajern i Mynihut. Ishte kampion i dytë gjerman që vinte në Tiranë, pas FC Këln, që luajti me Partizanin në Kupën e Kampioneve të vitit 1964, ku në “Qemal Stafa” u mbyll 0-0 dhe pas dy javësh në Këln, 2-0. Me tetë titullarë të kombëtares gjermane dhe që drejtohet nga një legjendë si Jup Hejnkes, Bajerni do të mbërrinte në Tiranë për herë të parë në vitin 1989.
Para ndeshjes 17 Nëntori-Bajern Mynih 0-3, luajtur më 1 nëntor 1989 në stadiumin “Qemal Stafa”. Lart nga e majta: Minga, Mersini, Alimemeti, Hodja, Lekbello, Riza; Ulur nga e majta: Stoja, Omuri, Daja, Kola, Josa.
Kualifikimi ishte thuajse i pamundur, por si u zhvilluan ato dy takime mes Mynihut dhe Tiranës…? Nga goli i Arben Mingës në “Olimpik Stadium”, që do të befasojë bavarezët dhe pas dy javësh në Tiranë me gjermanët të kujdesshëm për të mos gabuar në asnjë moment. Mirëpo, tetori i 35 viteve më parë do të jetë një muaj i ngarkuar me veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Fillimisht në Stokhlom luhet Suedi-Shqipëri 3-1 dhe në formacionin kuqezi nga 17 Nëntori janë Mersini, Hodja, Lekbello dhe Josa. Më parë kishte luajtur Kombëtarja Shpresa, duke humbur 1-0 në Suedi, ndërsa nga 17 Nëntori luajti vetëm Florian Riza. Pas pak ditëve, më 17 tetor 1989, luhet për Kupën e Kampioneve në Mynih, ku Bajerni i madh priste kampionët shqiptarë.
UDHËTIMI, GOLI I MINGËS DHE HUMBJA
Drejt Mynihut 17 Nëntori u nis të martën më 15 tetor 1989. Ekipi kryesohet nga Firdus Çeçja. Trajnerë janë Shyqyrri Rreli dhe Antonin Naç, ndërsa mjek i ekipit Manush Thanasi, i ndihmuar nga masazhatorët Rrok Kola dhe Bujar Alla. Një seancë stërvitore njohëse të martën në mbrëmje dhe më pas të mërkurën ndeshja në “Olimpiastadion”.
MYNIH, 17 TETOR 1989
BAJERN MYNIH-17 NËNTORI 3-1
SHËNUES: Këgel 16’ (11-m), Mihajloviç 26’, 64’ / Minga 30’
BAJERN MYNIH: Auman, Rojter, Kohler, Augentaler, Pflygler, Domfner, Shvabel (Grahamer 75’), Këgel, Mihajloviç, Volfarth (Kostenmajer 75’), Mc Kinail. Trajner: Jup Hejnkes
17 NËNTORI: Mersini, Daja, Lekbello, Hodja, Alimehmeti (Ismaili 85’), Omuri, Josa, Stoja (Liti 85’), Riza, Kola, Minga. Trajner: Shyqyri Rreli
SHIKUES: 11.000
Një takim i mbizotëruar me shumë raste të humbura nga vendësit, falë edhe pritjeve të portierit Mersini. Brenda 10 minutave porta e Tiranës rrezikohet dy herë, për të ardhur në 16-ën, kur me 11-metërsh të shkaktuar nga Riza, është Këgel që realizon në të majtë të Mersinit, i cili kupton krahun, por pa mundur ta devijojë topin. Goli i dytë do të vijë pas një aksioni nga e majta dhe Mihajloviç në zonë nga afër, shënon. Por ky avantazh nuk zgjat më shumë se dy minuta. Agustin Kola vertikalizon në thellësi nga e majta për Josën, i cili pason saktë te Minga, që i vetëm në zonë nuk ngurron dhe godet fort nga 12 metra në pozicion ballor, duke shkurtuar shifrat në 2-1. Ka entuziazëm te bardheblutë, që janë aktivë edhe në pjesën e dytë. Riza kombinon me Kolën, ky i fundit godet, por topi devijohet në këndore.
Bajner Mynih, kampion i Bundesligës në sezonin 1988-1989
Omuri i palodhur depërton, gjuan dhe sërish këndore. Omuri, Kola, Minga krijojnë rrezikshmëri, ndërsa gjermanët me Kohel mbulojnë me kujdes Mingën, që me lëvizjet e tij i jep mundësi Kolës të zbulohet. Pas 60 minutash, loja flet për bavarezët, që shënojnë edhe golin e tretë. Këgel harkon nga e majta, Alimehmeti kërcen, por nuk e arrin topin dhe aty R.Mihajloviç me kokë nga 5-6 metra realizon në mes të portës. 3- 1 për gjermanët, që vlerësojnë Mersinin, Omurin, Lekbellon, Hodjen, Kolën dhe Rizën si më të mirët për miqtë, që në këtë takim luajnë me fanella ngjyrë blu.
Pas ndeshjes trajneri Hejnkes do të deklaronte: “Nuk e konceptoj dot se si lojtarët tanë mund të humbasin raste të tilla. Loja jonë ishte e dobët. Në ndeshjen e ardhshme ajo do të jetë më e mire, sepse ekipi i 17 Nëntorit do të përpiqet të sulmojë dhe kundërsulmi ynë mund të dalë në pah. Pa e nënvlerësuar skuadrën shqiptare që ka vlerat e saj, të cilat ajo mund t’i tregojë në Tiranë. Nisur edhe nga rezultatet e saj në Kupat e Europës”.
NË MES, SPARTAKIADA E GJASHTË KOMBËTARE
Pas ndeshjes në Gjermani, në vijim dhe pikërisht më 21 tetor në Tiranë, çelen finalet e Spartakiadës së 6-të Kombëtare. Në futboll, 17 Nëntori është në grupin e dytë me Dinamon dhe Lezhën. 23 tetor, në “Qemal Stafa”, 17 Nëntori-Dinamo 2-2. 17 Nëntori luan me këtë formacion: Mersini, Ismaili (Luzi 75’), Hodja, Alimehmeti, Daja, Josa, Hyka, Stoja, Omuri (Liti 46’), Riza, Kola.
Trajner: Shyqyri Rreli. Shënues ishin Omuri, Riza, Xhafa, Tahiri, ndërsa me penallti fiton 4-3 Tirana. Më 25 tetor kemi përballjen 17 Nëntori-Besëlidhja 3-0. 17 Nëntori e nis kështu: Sharra, Sako, Hodja, Alimemeti, Daja, Liti, Hyka, Riza, Omuri (Mema 46’), Ruci (Ismaili 46’), Minga.
Golat u realizuan nga Riza dy herë dhe Minga me penallti. Në finale e luajtur më 27 tetor në “Qemal Stafa”, Partizani fiton kundër 17 Nëntorit me shifrat 2-1. Partizani kishte këta lojtarë: Nallbani, Berberi, Gega, Hasanpapa, Pelinxhi, Millo, Muça, Pano (Lutaj 83’), Agalliu, Shehu, Kaçaçi. Trajner: Neptun Bajko. 17 Nëntori luajti me këtë formacion: Mersini, Alimehmeti, Hodja, Lekbello, Daja, Stoja (Ruci 65’), Josa, Hyka (Liti 84’), Minga, Riza, Kola. Autorë të golave ishin Pano 31’, Minga 79’, Shehu 85’. Ky takim u gjykua nga Arsen Hoxha.
NDESHJA E KTHIMIT DHE KURIOZITETI
Të mërkurën e 1 nëntorit të vitit 1989 do të luhet ndeshja e kthimit mes 17 Nëntorit dhe Bajern Mynihut në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Kampionët gjermanë mbërritën me çarter të martën dhe po atë mesditë zhvilluan një seancë njohëse në stadium. Ai kryesohet nga presidenti i klubit, Fritz Scherer dhe Uli Hënes si drejtor teknik. Në përbërje janë: Augentaler, Kohler, Këgel, Dorfner, Pflugler, Grahamer, Rojter, Mekinalli, Shvabel, Mihajloviç, Jorsen, Shtrunz, Kestenmejer, Auman, Flik, Berder, Jonsen. Trajner është Jup Hejkens.
TIRANË, 1 NËNTOR 1989
17 NËNTORI-BAJERN MYNIH 0-3
SHËNUES: Shtrunz 45’, Grahamer 47’, Dornder 90’
17 NËNTORI: Mersini (Sharra 46’), Stoja, Lekbello, F.Daja, Alimehmeti, Hodja, Josa, Riza, Omuri, Minga, Kola.
Trajner: Shyqyri Rreli
BAJERN MYNIH: Auman, Kostenmajer, Pfygler, Kohler, Augentaller, Dornfer, Shtrunz, Rojter (Grahmer 46’), Mihajloviç, Shvabel, Mc Kinail (Bender 68’). Trajner: Jup Hejnkes
GJYQTARË: D.Kërknjak, J.Shtigler, Sh.Cetoh (Çeki);
SHIKUES: 19.000
Në një shkrim të kohës nga Ahmet Shqarri në “Sporti Shqiptar” informohemi kështu: “Në ‘Qemal Stafa’, në 45-minutat e para ka ekuilibër dhe u mendua që ai fraksion do të mbyllej në barazim pa gola. Minuta e 5’, Josa-Omuri-Minga, por rasti i krijuar nuk shfrytëzohet. Bajerni pa Ton, Volfart e Këgel, kujdeset më shumë për mbrojtjen, pasi 3-1 nuk jep siguri.
17 Nëntori i sezonit 1988-1989, kampion me trajner Shyqyri Relin
Minuta e 21- të, Kola për Mingën që pak më i shpejtë mund të shënonte. Minuta 26’, goditje me kokë e Mingës, vetëm ndërhyrja e Augentalerit shpëton portën. Riza i afrohet dy herë golit, por pa mundur. Dhe krejt papritur vjen avantazhi gjerman. Një goditje dënimi nga 35 metra nga Kestenmajer, Shtrunz i lirë afër Mersinit e shtyn topin në rrjetë. Pjesa e dytë nis me një gol rrufe të Grahamer, i sapofutur në lojë. 3-0 ka për autor Dornder. Te nëntorasit reflektohet problem i zakonshëm: Rastet e krijuara nuk shfrytëzohen”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"