Nga Enrike-Torres te Rreli-Josa, kur sporti është çështje… familjeje
NGA UVIL ZAJMI
Një rol i dyfishtë, delikat, i vështirë, aspak i lehtë, shpesh i përfolur, kur trajneri i skuadrës ka në formacion një të afërm të tij. Një djalë, një dhëndër, vëlla, motër, gruan, etj. Nuk janë të pakta rastet ku në botën sportive, në futboll, si një sport edhe më popullor, të tilla raste janë të shumta. Mjafton t’i referohesh, Botërorit të fundit “Katar 2022”, kur trajneri i Spanjës, Luis Enrike ka në skuadrën e tij kombëtare edhe dhëndrin e tij Ferran Torres, e ngjashme me atë të Diego Armando Maradonës, kur ishte trajner i Argjentinës, në përfaqësuese si lojtar kishte edhe dhëndrin e tij asokohe Kun Aguero. Por jo vetëm.

Histori me të tilla lidhje janë pafund, ku përfshihen mjaft figura të njohura të botës sportive: Cesare Maldini, trajner i ekipit kombëtar të Italisë, pjesë e të cilit ishte njëkohësisht edhe djali i tij, Paolo Maldini. Në atë periudhë ky i fundit ishte dhe kapiten me përfaqësuesen në 20 ndeshje, nga viti 1996-1998. Legjenda Johan Krujf, ka qenë trajner i djalit të tij, Jordi Krujf, në 21 ndeshje. Ai, trajneri i Barcelonës, djali lojtar nga viti 1994-1996; Dani Blind ka qenë trajner i djalit të tij Dalei Blind kur Dani ishte trajner i Holandës dhe në 14 ndeshje, 2015- 2017, baba dhe djalë ishin bashkë në fushë. Duke vijuar edhe në këtë Botëror, babai zëvendës i Van Galit dhe Dani në fushë si titullar; Zinedin Zidan, trajner i Real Madridit, ka qenë trajner i djalit të tij Enco Zidane në 25 ndeshje, nga 2014-2017 te Real Madridi.

Harri Rednap, si trajner i djalit Xhemi Rednap kur ai drejtonte Sauthemptonin në 16 ndeshje, nga 2004-2005; Klaus Samer ka qenë trajner i dalit të tij Matias Samer, si trajneri i Dinamo Drezdës, në 20 ndeshje, nga vitit 1985-1986; Kristian Gurkuf, së bashku me djalin Johan Gurkuf në 28 ndeshje te Rene, në sezonet 2016-2017, njëri në stol dhe tjetri në fushë; Sër Aleks Ferguson ka qenë trajner i djalit Darren Ferguson në 22 ndeshje, 1990- 1992 kur ai drejtonte Mançester Junajtidin; Klod Puel, trajner i djalit Gregori Puel, kur ai drejtonte ekipin e Nicës, në 69 ndeshje 2012- 2015 bashkë me djalin në skuadër; Vladimir Veisi, trajneri i Sllovakisë, ka qenë trajner i djalit Vladimir, së bashku në 23 ndeshje nga sezoni 2009-2012.
PO NË SHQIPËRI?
Nuk janë të pakta rastet. Në futboll, në lojërat me dorë, shtangë, etj. Trajner-sportist nga një familje, bashkëshortë, dhëndurë, vëllezër, motra, emra të njohur, personazhe të shquara, nga Skënder Jareci, Feti Borova, Aristidh Parapani, Shyqyri Rreli, Isuf Pelingu, Ali Mema, Sulejman Mema, Leonard Tase, Artan Pogoni, Gugash Magani, Bashkim Lala, Mexhit Haxhiu, Sabah Bizi, Sokol Branica, Vasil Bici, Foto Strakosha, Sokol Bishanaku, Agron Suli, Dhori Arbëri, Kici Mile, Edmond Licaj, Llazar Llupo, Bet Vila, Romela Begaj, Artur Lagja, gjermani Tomas Brdariç, deri te motrat e famshme Alibegaj, lidhje të një bashkëjetese sa familjare aq sportive, por në role të ndryshme në ndeshje, sfida, veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare.
NGA PARAPANI TE RRELI KUR TRAJNERI KA DHËNDËR FUTBOLLISTIN
Aristidh Parapani, ish-lojtar i njohur, protagonist me përfaqësuesen, kampion Ballkani më 1946-ën, titullar me Partizanin, më pas për shumë vite në rolin e trajnerit. Kur merr drejtimin e skuadrës së Kombinatit Tekstil, pjesëmarrëse në dy kampionate të Kategorisë së Parë në fundvitet 1970, ai thërret edhe dhëndrin e tij, sulmuesin Vaso Konomi, lojtar i 17 Nëntorit të viteve ‘65. Futbollist i talentuar, por në rivalitetin e madh të kohës, e ka të vështirë të gjejë vend në atë skuadër. Parapani e fton në skuadrën modeste kombinatase. I jep shiritin e kapitenit dhe bashkë me Dashin, grupin e lojtarëve, ai formacion do të befasojë edhe skuadrat e elitës. Për disa sezone bashkë, Tiç Parapani trajner, Vaso Konomi dhëndër-lojtar.

Skuadra e Kombinatit Tekstil, në qendër tr. A. Parpani dhe dhëndri i tij Vaso Konomi, i dyti në këmbë nga e majta
Shyqyri Reli, ish-lojtar i Dinamos së viteve ‘60, pastaj trajner i njohur i Shkëndijës dhe Kombëtares në vitet e bujshme, ndërsa ai ka stërvitur e pasur në skuadër edhe dhëndrin e tij, Mirel Josa. Një lidhje që nis në mesvitet ‘80-‘90, kur Josa, futbollisti, mesfushori i talentuar bardheblu do të fejohet me vajzën e trajnerit të tij. Për disa vite bashkë në Kombëtare, një marrëdhënie triumfuese, që i takon periudhës 1984-1990, shoqëruar me rezultatet 2-2 ndaj Polonisë, 2-0 me Belgjikën me Josën autor të golit të parë. Pastaj ato me 17 Nëntorin me Rrelin trajner në stol dhe Josën dhëndër në fushë. Madje edhe kampionë 1988-1989 me klubin bardheblu.

Ekipi përfaqësues, trajneri Rreli dhe M. Josa, i dyti ulur nga e djathta
NGA JARECI TE BRDARIÇ, NË FUSHË TRAJNER-VËLLA-DJALË
Skënder Jareci ka qenë trajner i vëllait të tij Namik Jareci te Dinamo e viteve ‘60. Fillimisht në fushë të dy bashkë. I pari sulmues, shënues, personalitet i madh, ideatori i filozofisë së lojës dinamovite, dhe Namiku një mesfushor. Pas finales së paharruar të vitit 1961, fituar nga Partizani me “golden goal” të Panos, ndryshojnë edhe rolet: Skënder Jareci merr drejtimin si trajner i Dinamos dhe ka në skuadër si futbollist Namikun, vëllain. Për disa vite ka funksionuar ky mekanizëm, dy vëllezër te një skuadër, njëri drejtues në stol, tjetri në fushë. Deri kur edhe Namiku më 1966-ën u nda me futbollin për të vijuar si arbitër.

Dinamo me trajner Skënder Jareci dhe Namik Jareci, i pari në këmbë nga e majta
Isuf Pelingu, trajneri i paharruar, që ka stërvitur e ka pasur në skuadër edhe djalin e tij, Sokol Pelingun në rolin e mbrojtësit të djathtë. Bëhet fjalë për Besëlidhjen surprizë të periudhës 1970-1980, kur bashkë baba-bir, i pari qëndronte në stol dhe tjetri në fushë, madje për disa vite. Një lidhje e veçantë edhe për historinë e klubit, qytetit.
Bet Vila, ish-trajneri i paharruar i Besës së madhe dikur, rikthehet te Dinamo si drejtues klubi, por për të ndihmuar skuadrën në një situatë delikate. Në sezonin 1984 merr drejtimin e saj dhe në formacion ka edhe djalin e tij, sulmuesin Arben Vila. Bashkë dy Vila në fushë, i ati trajner, i biri në formacion. Por vetëm për një kohë të shkurtër, disamujore, rezistoi kjo lidhje.
Ali Mema ka qenë trajner i Sulejman Memës. Te 17 Nëntori i viteve ’80-‘90-të, bashkë në atë skuadër spektakolare, kampione, fituese të trofeve kombëtarë, triumfuese në Europë pas kualifikimeve historike me Linfild dhe Dinamon e Bukureshtit. Në fushë kanë qenë bashkë: Ali Mema në rolin e zv.trajnerit dhe Sulejman Mema, titullar, protagonist.

Futbollisti Sulejman Mema dhe trajneri Ali Mema te 17 Nëntor
Sulejman Mema, kur në sezonin 1994 pas takimit SK Tirana-Hapoel Bërsheva, i thirrur nga presidenti i paharruar Metush Seferi, do të ulet në stolin e klubit kryeqytetas. Në skuadër gjen një tjetër Mema, djali i Ali Memës, nipi i tij, Ardian Mema. Mesfushor, dy sezone bashkë. Fitues të kampionateve dhe kupave të Shqipërisë.
Sabah Bizi, kolosi i mesfushës së Partizanit, Vllaznisë, përfaqësues, trajner i ekipit shkodran në sezonin 1998-1999, kur në skuadër ka edhe djalin e tij, Brikeno, një mesfushor i talentuar. Por vetëm në një kampionat së bashku babë e bir, trajner-lojtar. Kaq zgjati ky mekanizëm, pasi Bizi junior do të largohet për në Gjermani.
Mexhit Haxhiu, futbollisti i shquar i Partizanit, Flamurtarit, Kombëtares, ka qenë trajner i djalit të tij Sajmir, për një periudhë te Flamurtari i fillimviteve 2000. Madje Sajmiri, në rolin e një mesfushori, ka qenë edhe kapiten i ekipit vlonjat.
Uran Xhafa, ish-mesfushor i Flamurtarit, Partizanit, do të rikthehet në klubin bregdetas, por në stol si trajner i kësaj skuadre. Në grupin e futbollistëve ka edhe djalin e tij, Fjodor Xhafa, një tjetër talent i futbollit vlonjat, sulmues edhe ky. Bashkë babë e bir, njëri në drejtim teknik, tjetri në fushë, por vetëm në një edicion, atë 1998-1999.
Edmond Licaj, ish-mesfushori mëngjarash, teknik i Flamurtarit në rolin e trajnerit do të ulet në stolin e kësaj skuadre në vitet 2000-2001. Në skuadër si futbollist ka edhe djalin e tij, edhe ai mesfushor. Vetëm në dy sezone, bashkë dy Licajt trajner-djalë.
Gash Magani, ish-lojtari emblemë i Shkumbinit të viteve 1990-2000, më pas trajner, regjistron një rast unik. Maganit baba i ka qëlluar të stërvitë e të ketë në skuadër edhe dy djemtë e tij, madje së bashku në një sezon: Tek Egnatia, kampion në edicionin 2021 kur ekipi u ngjit në Superiore. I pari është Endrien, mesfushor te Shkumbini 2007 bashkë baba-lojtar. Pastaj djali tjetër, Artur, edhe ky mesfushor te Shkumbini në sezonin 2012, te Teuta më 2016 ku trajner është i ati Gash Magani. Për t’u bashkuar të tre tek Egnatia e fillimit të 2020-ës.

Trajneri Gugash Magani me dy djemtë e tij, protagonistë tek Egnatia, e sapofutur në Superiore
Sokol Branica, një tjetër trajner në stolin peqinas, ish-lojtari i Labinotit të famshëm bashkë me Jakupin në sulm, kur në vitin 2013 do të marrë drejtimin e Shkumbinit dhe në skuadër do të këtë dy djemtë e tij, Kleidisin sulmues dhe Aldon mesfushor. Në një sezon.
Foto Strakosha, ish-portieri i Kombëtares, tashmë në rolin e trajnerit të ekipit kombëtar shqiptar të moshës, U-19. Në skuadër ai ka stërvitur edhe djalin e tij Tomas Strakosha. Në pak kohë, në sezonet 2013, 2014.
Theodhori Arbëri, ish-lojtari i famshëm i Tomorit të Guxim Muklit. Në vitet 2010 merr drejtimin teknik të Tomorit. Trajner, në skuadër ka edhe dy fëmijët e tij: Gersi, mesfushor dhe Polizoin, lojtar universal. Bashkë në fushë, babai-trajner dhe dy djemtë në fushë për një periudhë jo shumë të gjatë, vetëm disa vjet. Pas tyre, Klodian Arbëri, që në sezonin aktual në skuadrën ku ai është trajner, Tomori, ka edhe Kledjanin djalin e tij, sulmues me perspektivë.
Kici Mile, trajneri mitik i Tomorit, ka stërvitur edhe djalin e tij, Vangjel Mile. Jo si i ati, një mesfushor i talentuar, shpirti i skuadrës beratase të viteve ‘80-‘90. Vangjeli sulmues, janë bashkë te Tomori i dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të ri. Mile baba në stol, Mile djali në fushë. Për disa sezone.
Dali Faruku, dikur lojtar, idhulli i 31 Korrikut të Burrelit të periudhës 1980-1990, kur në fund të viteve ‘90, do të jetë në drejtimin e skuadrës matjane si trajner-lojtar. Ai do të ketë në skuadër edhe të tjerë Faruku. Midis tyre, dy vëllezërit e tij, Xhelalin dhe Kastriotin. Bashkë në fushë, ai në stol ata në formacion. Një rast i rrallë edhe ky.
Xhavit Blloku, trajner i Naftëtarit, në skuadër ka stërvitur edhe djalin e tij, Albion Blloku. Sulmues, i konsideruar një talent i futbollit kuçovar. Por kjo lidhje trajner-lojtar, baba-bir rezistoi pak kohë, vetëm një sezon, 2005. Edhe Valdimir Skuro, tjetër emër i madh i Naftëtarit, i ulur në stolin e trajnerit të kësaj skuadre, në harkun e një edicioni ka pasur dhe djemtë e tij, Daniel dhe Gerti, madje i solli nga Greqia.
Vasil Bici, trajner i Dinamos 2000-2002. Kur merr drejtimin e skuadrës, në grupin e lojtarëve gjen edhe djalin e tij Ditmar Bici. Mbrojtës, i sjellë nga paraardhësi i tij Luka Bonaçiç. Vetëm një sezon, 2000-2001, qëndruan bashkë dy Bicët dinamovitë. I ati në rolin e trajnerit, djali si futbollit.
Tomas Brdariç, trajneri gjerman i Vllaznisë, kur drejtonte ekipin shkodran, në skuadër kishte edhe djalin e tij Tim Brdariç në rolin e një qendërmbrojtësi, por edhe si shënues në ndeshje të veçanta.
PO NË LOJËRAT ME DORË? NGA BOROVA TE TASE, POGONI, ALIBEGA…
Feti Borova, trajneri legjendar. Kur drejtonte ekipin e basketbollit të meshkujve të 17 Nëntorit, në skuadër ka pasur, ka stërvitur edhe të vëllain, Faruk Borovën, madje si titullar në pesëshe. Kampionë së bashku në disa sezone, ato të mesviteve 1965-1970. Por Feti Borova shumë vite më vonë do të regjistrojë një tjetër rast unik: Si trajner i djemve të Dinamos, do të ketë në skuadër edhe djalin, Erald Borova. Vetëm në dy sezone, 1988-1989. Babë e bir, njëri në stol tjetri në parket.

17 Nëntori basketboll djem 1965, trajner Feti Borova, vëllai i tij Faruk Borova, i treti ulur nga e djathta
Leonard Tase, ish-volejbollist i shquar i Dinamos së meshkujve të viteve 1975-1990. Ka qenë trajner i motrës së tij, legjendares Ela Tase. Të dy bashkë i gjejmë në periudhën e viteve 1990-1995. Fitues të trofeve, kampionate e kupa, madje bashkë edhe në Kupën e Kampioneve, Leonardi trajner dhe motra Ela Tase lojtare.

Dinamo e vajzave të volejbollit, me trajner Leonard Tasen bashkë me motrën e tij, Ela Tase
Artan Pogoni, trajner i njohur në volejboll për vajza. Me gruan e tij, Jonida, viti 1997-1998- 1999, bashkë te Studenti. Ai trajner, ajo lojtare. Më pas në Belgjikë për t’u rikthyer sërish te Dinamo në sezonin 2001, ai trajner ajo lojtare. Edhe një herë te Studenti, fitues i titujve kampion, kupave të Shqipërisë. Për ta mbyllur këtë marrëdhënie sportive në Rrëshen me Minatorin, ai trajner ajo lojtare. Një histori e rrallë bashkëshortore.
Bashkim Lala, trajneri i Korabit, ekipit të vajzave në volejboll. Bëhet fjalë për atë gjashtëshe simpatike, konkurruese, që u shfaq në vitet 1980-1990 edhe për meritë absolute të këtij trajneri, pasionant, që në skuadër kishte jo vetëm gruan e tij Merita, por edhe motrën Afërdita. Ai në stolin teknik drejtues, ato si lojtare në fushë.
Llazar Llupo, trajneri mitik që krijoi skuadrën e Krutjes, fshatit në dalje të Lushnjës dhe që konkurroi me dinjitet në veprimtaritë elitë të volejbollit shqiptar të vajzave në vitet ‘80-‘90. Një skuadër që do të përfaqësonte më pas Traktorin e Lushnjës, me përbërje vajza kooperativiste, ndër të cilat edhe kapitenia Vjollca Lluponjë tjetër vajzë e familjes së trajnerit Llazar.
Edra Alibegaj, protagoniste absolute e basketbollit të vajzave në fund të shekullit të kaluar. Shënuese e jashtëzakonshme e 17 Nëntorit, Kombëtares, kur në sezonin 2003 do të marrë drejtimin e stolit teknik të vajzave të SK Tiranës. Nga Kosova do të rikthehet edhe e motra Mirza, një tjetër firmë e njohur e këtij klubi. Dikur bashkë në parket, tashmë në role të ndryshme. Për 9 vite dy motrat e pandara, bardheblu nga 2003-shi deri më 2012-ën, Edra trajnere në stol, Mirza lojtare, një rekord absolut.
SHTANGA, NGA SULI, BEGA, LAGJA TE BISHANAKU
Edhe në këto disiplina sportive nuk mungojnë këto marrëdhënie specifike. Në peshëngritje, të tjera raste me kampionë protagonistë:
Agron Suli, trajner i vajzës së tij, Gerta Suli, e SK Tiranës, në peshën 53 kg. Medalje e argjendtë në Kostica Sllovaki, tetor 2005. Një bashkëjetesë e gjatë, nga 1999-2005, babai-trajner me vajzën shtangiste.
Familja Lagja, babai Artur, njëkohësisht trajneri djali i tij, kampionit Sajmir Lagja, përfaqësues të klubit Vllaznia;
Gaz Hakcani, bashkëshorti-trajner i shtangistes së njohur, rekordmenes Romela Begaj;
Niko Teli shtangisti i shquar i Skënderbeut, Partizanit, më pas në rolin e trajnerit, kur do të stërvitë edhe djalin e tij, Endri Teli.

Sokol Bishanaku dhe djemtë e tij
Për të ardhur te rasti unikal, kur ish-rekordmeni, Sokol Bishanaku është trajner i dy djemve të tij: Samuel Bishanakut, nënkampion i Europës në peshën 73 kg, në vitin 2021 dhe i djalit tjetër, Manuel Bishanaku që konkurron në veprimtaritë me U-12, kampion i kësaj moshe.
PANORAMASPORT.AL













