“Gjethja e thatë”, goditja që bëri me shtëpi Sulejman Memën
Kush janë futbollistët shqiptarë që kanë lënë gjurmë ndër vite me goditjet e tyre të frikshme nga pozicionet standarde dhe jo vetëm? Nga Refik Resmja si autor i ekzekutimeve milimetrike dhe deri tek goditja “bombë” e Niko Bespallës, por pa harruar këtu “silurat” e Lin Shllakut dhe gjuajtjet e frikshme të Ledio Panos.
Sulejman Mema gjatë një goditjeje me të majtën në “Qemal Stafa”
Mirëpo, specialisti i “gjethes” mund të quhet Sulejman Mema. Ish-mesfushori i 17 Nëntorit (sot KF Tirana) ishte i pagabueshëm, milimetrik dhe i frikshëm nga goditjet standarde. Një lojtar për “Oskar” për goditjet parabolë kur luante me Shkëndijën, por kryesisht me 17 Nëntorin e viteve 80-të.
Sulejman Mema me trajnerin legjendar italian, Xhovani Trapatoni
Ka një histori të rrallë, kur kryetari i Komitetit Ekzekutiv të kohës, Jashar Menzelxhiu, i premtoi shtëpi nëse do të realizonte kundër Lokomotivës. “Panorama Sport” sjell sot për të gjithë nostalgjikët një vështrim në dekada, me mjeshtrat e gjuajtjeve të hidhura e të paparashikuara në botë e në Shqipëri, por mbi të gjitha një rrëfim ekskluziv të Sulejman Memës.
KUR JEPET NJË GODITJE DIREKTE?
Rregullorja e lojës e përcakton në kapitullin e 13-të të saj, kur një skuadër shkakton një faull jashtë zone, pas të cilës akordohet një goditje dënimi. Në anglisht “free kick”, në spanjisht “tiro libre o golpe”, në portugalisht “cobranca”, në italisht “calcio di punizione” dhe në shqip “goditje direkte”. Nisur nga lojtarët që mund t’i ekzekutojnë saktë, ka skuadra që si pjesë të strategjisë së lojës, e ndërtojnë edhe për të marrë një goditje dënimi në afërsi të zonës.
Madje me një të tillë janë fituar ndeshje, trofe nga më të famshmet që njeh historia. Mjafton të kesh një “artist” që të realizojë nga të tilla pozicione… Një ndër goditjet magjike njihet ajo “fole morta” ose siç quhet në gjuhën shqipe: “gjethja e thatë”. E futur në fjalorin sportiv, në kuptimin filozofik, në formë krahasimi kur gjatë një goditje standarde, gjuajtja nuk është violente dhe në një pikë të fluturimit, topi ndryshon drejtim e ndalon lehtësisht në rrjetë, në formën e rënies së një “gjetheje të thatë”.
Pra, jo një goditje e drejtë, pasi përballë ke një mur të pakalueshëm, ndërsa kërkohet një teknikë ideale. Kjo, e shoqëruar me një goditje plot art poshtë topit, gati në një përkëdhelje, për t’i dhënë një trajektore të lehtë, të pagabueshme drejt këndit lart, ku bashkohen dy shtyllat e portës.
Ndonëse vitet kalojnë, ajo goditje nuk del asnjëherë nga moda dhe ekzekutuesit e tyre janë mjaft të rrallë. “Gjethja e thatë” mbetet gjithashtu një term sportiv që edhe sot përdoret nga komentatorët dhe gazetarët sportivë kur një gol realizohet nga një goditje e tillë. Ajo ka patur disa klasikë, kryesisht lojtarët nga Brazili.
MJESHTRAT PËR “HALL OF FAME” TË TRAJEKTORES MAGJIKE
Ka një panteon me kampionë, duke filluar nga braziliani Didi, pjesëmarrës në tre botërorë, me një të djathtë manjetike. Një teknikë e njohur “folha seca”, të cilin gazetarët e kanë konsideruar “O genio da folha seca”. Interisti Mariolino Korso ka qenë ekzekutuesi më perfekt në historinë e “gjethes”. Me të “Majtën e Zotit”, për kohën ka qenë një nga çelësat e suksesit të madh të Interit të “magjistarit” Helenio Herrera.
Mario Korso i Interit
Në vijim, Rivelino i goditjeve “predhë”, si dhe Ziko autori i një parabole spektakolare mbi barrikadë. Për të vijuar me Mishel Platini, që vendoste duart në bel, para se të niste vrullin, duke e shoqëruar me një shikim harkimin e topit. Një miks i forcës me saktësinë e goditjeve standarde, potente dhe cilësore si rumuni Xhorxhe Haxhi, serbi Sinisha Mihajloviç, rekordmen në Serinë A me 28 gola, apo Del Piero 22 gola, Baxho 21, Zola e Toti nga 20, si dhe Sinjori, Zidan, Bekam, Branko, Ronaldinjo, Rikeleme dhe Roberto Karlos e Rekoba (ky i fundit, para se të godiste kërkonte sytë e gruas në publik, që ishte një inspirim për të).
Për të ardhur te i jashtëzakonshmi Andrea Pirlo, me 40 gola nga goditjet standard. Pastaj legjenda Lionel Mesi, i aftë të dizenjonte parabola fantastike. Vetëm dy hapa vrull, në të tretin goditje jo e fortë me topin, që përfundonte lart në të djathtë apo të majtë të portierit. Edhe Paulo Dibala ka një të majtë shumë herë decisive, duke alternuar forcën me teknikën. Në saj të efektit më të madh që ka topi, përbërja e të cilit e ka bërë më të shpejtë, edhe “gjethja e thatë” ka evoluar.
Prej kohësh ka një tjetër stil, mënyrë dhe emërtim. Tashmë qarkullon si goditja e “mallkuar”, autorësia e të cilës i përket brazilianit Xhuninjo, që bëri histori te Lioni në Francë. Ish-mesfushori mban rekordin me 75 gola të shënuar nga pozicionet standarde. Ai konsiderohet si më i miri i të gjithë kohërave për mënyrën goditëse, me një forcë që e shtyn topin të ulej me shpejtësi pasi kalonte murin mbrojtës, duke i zënë në befasi portierët. Nga të tilla goditje, ai ka realizuar 75 gola (44 me Olimpik Lioni, 4 me Brazilin, 18 me Vasko De Gamën dhe 9 gola me Al-Gharafa). Me Lionin, në ndeshjen e parë për Champions League në sezonin 2005-2006, kundër Real Madrid, ka ekzekutuar një goditje dënimi nga 36 metra largësi, duke gjetur këndin e poshtëm të portës. Shpejtësia e topit është llogaritur deri në 126 kilometër në orë.
Në vitin 2006, në një takim kundër Ajacios në kampionatin francez, ai ka realizuar nga 41 metra, ndërsa në edicionin 2007-2008, sërish në Champions, këtë herë kundër Barcelonës, ka realizuar nga një distancë prej 43 metrash. Sipas një kalkulimi të “L’Equip”, 45% e golave të Lion janë shënuar nga goditjet direkte të Xhuninjos dhe me kontributin e tij skuadra ka marrë shtatë tituj kampionë radhazi. Karrierën e tij, “goditja e mallkuar” do ta mbyllte në janar të vitit 2014.
Por, historia e goditjeve të frikshme, ka kulmin me golin e Maradonës në mesditën e largët të vitit 1985 kundër Juventusit, që ndali shkencën kur realizoi nga një goditje standarde brenda zonës së 16-metrave. Ishte një pozicion diagonal, vetëm 8 metra me portën, përballë një muri të lartë e të afërt dhe portierit shtatlartë, Takoni. Një goditje thuajse pa asnjë shpresë, e pamundur për t’u shënuar. NapoliJuventus kishte një stadium tejmbushur, kur me të majtën e tij, Maradona realizoi një ndër golat më historikë, duke “çmontuar” të gjitha ligjet e fizikës. Ishte një gol, që edhe sot kur e sheh, të befason për mjeshtërinë e lartë dhe perfeksionin.
RESMJA “MBRET” DHE BESPALLA I PAHARRUAR
Ndonëse të pakta kanë qenë skuadrat që kanë patur të tillë ekzekutues, mjeshtrat e të majtës, të djathtës, frekuentuesit e goditjeve të tilla plot helm, nuk kanë munguar në Shqipëri. Nëse i referohemi periudhës 1945-1960, gjithçka nis kur Kombëtarja merr Kupën e Ballkanit në vitin 1946 falë golit 1-0 realizuar nga një goditje standarde e kavajasit Qamil Teliti kundër Rumanisë.
Refik Resmja gjatë një dueli
Për të vijuar me mjeshtrin Refik Resmja të papërsëritshëm dhe unikal në stilin e tij. Një kolos goleador absolut, i jashtëzakonshëm, i cili ka qenë sulmues i majtë i Partizanit dhe Kombëtares shqiptare. Një e majtë e hidhur në goditjet standarde, me saktësi, befasi dhe forcë, duke i shtangur portierët, që ishin “viktima” të gjuajtjes plot helm dhe perfekte të tij falë një teknike të lartë. Kjo ndodhte pavarësisht nga pozicionet, teksa ato ishin vrasëse për portierët dhe rreshtimin e murit mbrojtës. Në Torino, në tetor të vitit 1968, në seancën njohëse një natë para takimit FC Torino-Partizani, në stadiumin “Comunal” i ka shtangur gazetarët italianë kur godiste në portën e Jankut.
Të befasuar ata kanë pyetur: “Këtë lojtar nuk e pamë në Tiranë”. Mirëpo, i thanë se është trajner. “Vetëm për një gjuajtje të tillë ne i marrim futbollistët, edhe pse janë në moshë të madhe”, u shprehën ata. Për të ardhur te vrulli publik i Niko Bespallës. Sulmuesi i Partizanit, Dinamos dhe Lokomotivës, ishte i paharruar edhe në ekzekutimet e një goditje dënimi.
Niko Bespalla pasi ka shënuar kundër Partizanit
Pasi vendoste topin në pikën e caktuar, zhvendosej mbrapsht, duke numëruar hapat njëri pas tjetrit. Një veprim që shoqërohej edhe nga publiku në stadium: 12, 13, 14, 15. Te hapi i 16-të, Bespalla ndalonte. Ai niste vrullin dhe pa parë vendosjen e portierit, lëshonte “shutin bombë”, siç i kanë thënë, dhe topi ndalej në rrjetë. Një mënyrë përgatitje, ekzekutim tejet i aplikuar edhe në kohët moderne, por që Bespalla e ka “shpikur” një gjysmë shekull më parë.
Për gola nga goditjet standarde, me teknikë të rafinuar kujtohen mjeshtri dinamovit Skënder Jareci, vlonjati Mexhit Haxhiu apo Lin Shllakun si kapiteni i Partizanit dhe Kombëtares, që kishte gjuajtjen rrufe, në disa raste duke çarë murin. Po kështu Ramazan Rragami i Vllaznisë dhe Gani Xhafa i Dinamos me të djathtën karakteristike. Gjithashtu Ali Mema i 17 Nëntorit kishte goditje mjeshtërore mbi barrikadë, por edhe Halil Puka, sulmuesi i majtë i Vllaznisë, konsiderohet si një “Xhaiç” për kohën. kështu e kanë thirrur tifozët shkodranë për të majtën klasike edhe në goditjet standarde.
VITET ‘70-’90, KUR MEMA DHE PANO ISHIN PËR OSKAR
Janë tri dekada që sigurisht kanë patur protagonistët e tyre, me një ndërthurje të goditjeve standarde, nga ato të forta e ballore dhe deri tek “gjethja e thatë”. Dashnor Bajaziti, goleadori i shquar i Besës në vitet 80-të ka qenë protagonist në vitin 1979 në miqësoren e Shpresave mes Shqipërisë dhe Francës në “Qemal Stafa”, që përfundoi 2- 2. “Minuta e 40-të, kur Bajaziti do të ekzekutojë me mjeshtëri të rrallë një faull rreth 18 metra larg portës. Gjuajtja është e përsosur: topi i goditur do të fluturojë mbi murin e francezëve dhe do të pushojë në rrjetën e portierit Rosh për 2-1”, shkruan gazeta “Sporti Popullor” i kohës.
Bajaziti bëhet sërish protagonist me golin e realizuar nga një pozicion i tillë në fundsezonin 1982-1983, që i hoqi kampionatin Partizanit. Teksa luhet pjesa e dytë e ndeshjes në Kavajë, akordohet goditje dënimi për Besën nga rreth 20 metra larg portës. Goditje e saktë e Bajazitit dhe barazim 1-1, ndërsa titulli shkon për Vllazninë dhe lë “thatë” Partizanin.
Goditjet e rralla i kishin specialitet edhe shkodrani Ferid Rragami, Vasil Ruci i Flamurtarit, Seit Hyseni i Shkëndijës dhe fieraku Kokuri. Ndërsa ndryshe ishin vlonjati Edmond Liçaj, lezhjani Gjergj Filipi dhe legjenda i Apolonisë, Kujtim Majaci, të njohur për të majtën që administronin, plot “helm” dhe të vështirë për portierët. Ai që dallohet në fund të viteve ’80 është edhe Ledio Pano, mesfushor-sulmues i Partizanit, djali i legjendarit Panajot Pano, goditja e të cilit karakterizohej nga një e djathtë ballore, pa kërkuar cepat e portës.
Teknikë-forcë-shpejtësi-saktësi, sidomos kur faulli ekzekutohej në kufijtë e zonës së 16- metrave, që krijonte frikë dhe pasiguri tek portierët. Kujtohen dy golat nga goditjet standarde kundër Luftëtarit, që përmbysi rezultatin, por edhe në derbin kundër Tiranës, ku shënoi në portën e mbrojtur nga Mersini. Ledio Pano mbahet mend edhe për një supergol nga 35 metra kundër Olimpiakosit kur luante në Greqi, ndërsa me Kombëtaren të paharrueshme janë shtyllat dhe traversat ndaj Gjermanisë, Austrisë dhe Uellsit, të gjitha nga goditjet standarde.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"