SPECIALE/ Nga “revolucioni” taktik tek “armiqtë” në grup, Nagelsman gati të shkruajë historinë
Përfaqësuesja e Gjermanisë prezantoi ditën e djeshme Julian Nagelsmanin, pas disfatave nën urdhrat e Hansi Flikut. Rikthimi i frymës pozitive dhe ndërtimi i skemës së duhur që “makineria” gjermane të marshojë sërish si dikur në arenën e futbollit europian e jo vetëm.
Më poshtë po ju prezantojmë me disa etapa të rëndësishme të Julian Nagelsmanit. Nga buja si trajneri më i ri në moshë që ngriti e u dha zë ekipeve si Hofenhaim e Lajpcig e deri tek aventura bavareze, aty ku shumë detaje “zbërthyen” repertorin e fshehtë profesional të 36-vjeçarit.
EKSPERIENCA-Julian Nagelsman nuk pati karrierë të suksesshme si futbollist me fanellën e Augsburgut, e ku lëndimet e shpeshta e detyruan të hiqte dorë nga futbolli i luajtur. Por dëshira rreth këtij sporti nuk u “shkul” nga idetë e tij. Sezonin 2015-2016 shënoi detyrën e parë si trajneri i një ekipi kryesor në gamën e Nagelsmanit, e cila përkon me pankinën e Hofenhaimit, konkretisht në moshën 28- vjeçare, periudhë ku pjesa më e madhe e lojtarëve nuk e kanë në plan tërheqjen, e jo më pankinën.
Aventura në “strehën” e Hofenhaimit zgjati deri në verën e vitit 2019, kohë kur Lajpcigu doli në skenë. Përgjatë 136 takimeve si teknik në “PreZero Arena”, Juliani nuk e kaloi kuotën mesatare të 1.53 pikëve. Te “demat” 36-vjeçari ia doli të konkurronte Bajernin në çështjen “titull”, ndonëse pa sukses.
Edhe pse i mungoi titulli në Lajpcig, ai i ngjiti në Champions dhe i dha stafetën e një klubi elitar në Gjermani. Ky evolucion bëri bujë deri te rivalët e Bajernit. “Palmaresi” i vetëm në Lajpcig rezultoi rritja e mesatares së pikëve, saktësisht 1.94. Bavarezët e siguruan pa u mbyllur sezoni 2020-2021.
Real Madridi e kishte në radarë teknikun gjerman, por Salihamixhiç i vuri “vulën” nënshkrimit me Julianin. Sezonin e parë ai u kurorëzua me Superkupën e Gjermanisë dhe Bundesligën, ndërsa ecuria në Ligën e Kampionëve mori trajtën e një dështimi. Periudhën pasuese erdhi sërish Superkupa, por kësaj radhe oshilacionet në kampionat u bënë shkaktari kryesor që Nagelsmani të paketonte valixhet pas lajmërimit në media se bordi i rekordmenëve në fund të muajt mars kishte firmosur shkarkimin.
Përfundimi pa lavdi në “Allianz Arena” ia prishi disi imazhin, ndonëse të dhënat në mesatare pikësh ishin pozitive, 2.31 pikë në harkun e 84 dueleve. Megjithatë kombëtarja e “pancerave” nuk e pati problem t’i besojë “timonin” drejt “Euro 2024”, aq më tepër kur kompeticioni madhor do të zhvillohet në shtëpinë e tyre.
TRAJNERI MË I RI-Edhe pse nga legjendat vendëse Nagelsmani u kryqëzua, ai ia doli të jetë trajneri i përfaqësueses. Argumenti kryesor që kundërshtojnë Karl-Hainc Rumeniges, Uli Hënes, Lotar Mateus, Markus Babel e deri te Ditmar Haman, është mosha e re.
Pavarësisht se mund të mendohet si çmenduri që një trajner 36- vjeçar të marrë “frerët” e Gjermanisë, nuk përkon si më i riu. Oto Nerc në vitin 1926 rezulton tekniku më i ri në moshën 34 vjeç te “pancerat” dhe në të gjithë historinë e trajnerëve në kombëtare.
REVOLUCIONI ME SKEMAT-Eksperienca e parë në Hofenhaim ka marrë disa trajta të ndryshme në profilin e Nagelsmanit. 3-5-2 është skema më e aplikuar, tregues se ai e vendos fokusin tek anësorët dhe mesfusha e ngjeshur, madje duke eksperimentuar jo pak me 3 shtylla në prapavijë. Zbarkimi në Lajpcig solli tjetër modul. Ai u identifikua në planin taktik te “demat” me 3-4-1-2.
Mbrojtja qëndroi ende me 3 futbollistë, por ai e zgjati më tej ekipin në fazën ofensive, konkretisht me 1 sulmues të dytë dhe dy “pyka”. Në rang klubesh, Bajern Mynihu shërbeu si monedha më e vlefshme për Julianin. Luis van Gal konsiderohet si arkitekti i rreshtimit klasik në Mynih me 4-2-3-1, aty ku “pyka” vështrohej si futbollisti që do të orientonte klubin në gola dhe suksese.
Të tillë linjë ndoqi edhe Nagelsmani, derisa u shfaq kriza gjatë muajve janar-shkurt të vitit aktual. Trajneri në fjalë e “theu” tabunë e 4-2-3-1 me 3-4-2- 1, teksa klubi nga Mynihu nuk ishte prezantuar në vijimësi dekadën e fundit, e duhet të vinte Nagelsmani e të ndikonte kriza që të ndodhte revolucioni taktik. Skema në fjalë u jep përparësi mbrojtësve anësorë, të cilët marrin profilin e sulmuesit në korsitë respektive, ndërsa prapavija mbetet me 3.
Mjafton të përmendin faktin se rreshtimi i mësipërm dha sinjale pozitive ndaj PSG-së në Champions, e përfunduar me rezultatin e përgjithshëm 3-0, pavarësisht se në gjirin e tyre mungonte Sadio Mane dhe Benzhamë Pavar, dy lojtarë me mjaft peshë, duke i besuar vendin e titullarit një emri të padëgjuar si Josip Stanisiç.
“ALEATËT DHE ARMIQTË”-Manuel Nojer dhe Tomas Myler ishin më të lumtur pas shkrimit të Nagelsmanit nga Bajerni. I pari për shkakun e “dëbimit” të mikut dhe ndihmësit Toni Tapaloviç, ndërsa 34-vjeçari gjerman mbi minutazhin e reduktuar, ndryshe nga sa ishte mësuar sezonin e shkuar. Të dy futbollistë prej asaj periudhe nuk i kanë rregulluar marrëdhëniet me Julianin, e nëse trajneri i fton në grup rreth miqësores së ardhshme ekziston rreziku që ata mund të shkaktojnë trazira në grup. Por edhe lënia e tyre jashtë sërish do të bëjë bujë.
Nojer e Myler janë brezi i fundit fitues i “Brazil 2014” dhe eksperienca që ata posedojnë mund të ndihmojë “pancerat”. Ndryshe nga “armiqtë” e mësipërm, Musiala, Kimish dhe Gorecka i qëndruan në krahë 36-vjeçarit pas shkarkimit dhe janë bërthamë e rëndësishme në kontingjentin e Gjermanisë. Interesante do të jenë zgjedhja e Nagelsmanit, nëse do të luajë me “zjarrin” dhe të lërë jashtë “veteranët”, e ku do të sillte pakënaqësi te tifozët, apo t’i përfshijë dhe të vendosë veton në krijimin e një grup të bashkuar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"