Zbulime të reja në 80-vjetorin e themelimit të Kupës së parë të Shqipërisë…
BESNIK DIZDARI

Vitet ’70: Si u shuan Kupat e pavërteta të Shqipërisë…
… E këtu, po më vjen rasti të kujtoj edhe një herë se duhet të ketë qenë viti 1975 a 1976, kur krejt papritmas, dikush, për herë të parë kishte guxuar të përcaktonte në një afishe të Tiranës, finalen e Kupës së Republikës si të 28-ën, në mos gaboj. Çka do të thoshte se në 29-30 vite të pasluftës, Kupa e Republikës të ishte zhvilluar thuajse çdo vit. E dija që kjo ishte e pamundur. Dhe i hyra hulumtimit.

Natyrisht jo vetëm tek Arkivi im, i cili qe “themeluar” qysh kur isha krejt i ri, por përtej tij. Gabimi doli shpejt. “Numëruesi” kishte quajtur Kupë të Republikës edhe Kupën e 500-vjetorit të Skënderbeut, të 50- vjetorit të Pavarësisë, të përvjetorit të Çlirimit, finalet (fundoret) e Spartakiadës Kombëtare, e në mos gaboj, deri edhe një tjetër të një përvjetori të Kongresit të Përmetit, a s’di se çka. Ishte ky gabim që u bë shkas për një ndreqje absolute.
Kjo falë autoritetit të gazetës “Bashkimi” ku mbuloja edhe rubrikën sportive. Po ndodhte, pra siç e kam shkruar me kohë, se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një gazetar në mbështetjen e fuqishme të gazetës ku punonte, kishte fshirë disa “kupa” prej një historie, së cilës ato nuk i përkisnin. Dhe qysh atë ditë të mesit të viteve ’70, Kupat e Republikës, të cilat shumë shpejt i vetemërtova si “Kupa të Shqipërisë”, siç bëjnë të gjithë shtetet e Europës, çdo vit tash e mbrapa do të kishin numrin e tyre të saktë.
(E, sot në propagandën e shfrenuar për futbollin e shteteve të tjera, bie fjala, kronistë televizivë shqiptarë asnjëherë nuk thonë “Kupa e Spanjës”, por vetëm “Kupa e Mbretit”! Pa thënë aspak se për cilin mbret e të cilit shtet është fjala. Pra, ashtu siç do të mund të thoshte një kronist spanjoll, por kurrsesi një kronist i huaj, në këtë rast shqiptar. Ndërsa gjithë shtetet e tjera i thonë “Kupa e Spanjës, Kupa e Francës, Kupa e Italisë, Kupa e Gjermanisë, Kupa e Anglisë”. Duket që te këta telekronistë shqiptarë edhe në këtë rast sundon një lloj snobizmi, pompoziteti e pse jo, ksenomanie krejt artificiale së bashku).
Por, i kthehem rastit të viteve ’70, të historisë së “fshirjes” së kupave të paqena të Shqipërisë. U duk se gjithçka do të kalonte krejt qetë. Mirëpo, duke qenë se në shkrimin përmbledhës historik të saktësisë i ishte dhënë jo pak vend të paharrueshmit Zihni Gjinali, një triumfues i disa Kupave të Shqipërisë si trajner dhe lojtar, nja dy “veteranë” të luftës, të cilëve ora u kishte mbetur vetëm te viti 1944, me zemërim do t’i shkruanin m? zëvendëskryeministrit të Shqipërisë se Besnik Dizdari është një gazetar reaksionar, i cili rridhte prej një familjeje reaksionare të Shkodrës dhe të cilin në gazetën “Bashkimi” e kishte futur armiku i popullit dhe i Partisë… Dhe për këtë, ai ka ngritur lart figurën e një ballisti të orëve të para, Zihni Gjinalit….

As nuk ishte e vërtetë se vija prej një familje “reaksionare”, përkundrazi atdhetare dhe antifashiste; dhe po aq as nuk ishte e vërtetë se në gazetë më kishte futur “armiku” në fjalë, miqësia me të cilin qesh lidhur vetëm mbasi kisha e pakta nja katër vjet që isha gazetar i “Bashkimit”. Ajo që ishte e vërtetë, qe diçka tjetër: se Gjinalin e madh asokohe e kishin mënjanuar jo pak, por urrejtja ndaj tij nuk reshte te këta njerëz, nën petkun “e veteranit” apo të “partizanit”, nuk di nëse të merituar apo të pamerituar. Sigurisht, të gjitha këto ranë poshtë se kishte njerëz të ndershëm që mbështeteshin vetëm tek e vërteta, siç ishin drejtuesit e mi gazetarë, Niko Nishku, Milto Ferra apo Sefedin Çela.
Shpifjet do të binin poshtë ashtu siç po binin poshtë Kupat e sajuara, pra jo të vërteta, të Shqipërisë. Kështu ka qenë ajo kohë dhe ngjarja me gjithë absurdin e saj ourellian, nuk mund të të shlyhet assesi, aq më tepër kur kujton se në fund të fundit, fjala ishte për “punë sporti”, më saktë për numrin e vërtetë të Kupës së Republikës, tash Popullore Socialiste të Shqipërisë Komuniste. Kohë kur ende nuk guxonim as ne të shihnim përtej vitit 1944, kur Mbretëria e Pushtimi ishin Shqipëria reaksionare dhe fashiste bashkë. Kështu, falë “Bashkimit”, u bëra rregulluesi i edicioneve të Kupave të Shqipërisë, duke futur për herë të parë në Shqipëri edhe numërimin e saktë të kësaj gare të madhe me shifrat e edicionit vjetor.
Për shembull: Kupa e 20-të e Shqipërisë për edicionin 1975-’76, e kështu me radhë. Nuk kisha bërë asnjë trimëri. Vetëm kisha ushtruar me pasion e ndershmëri profesionin dhe falë autoritetit të gazetës “Bashkimi” kisha provuar se Kupa e 50-vjetorit të Pavarësisë, Kupa e Çlirimit, Kupa e Kongresit të Përmetit, ajo e 500-vjetorit të Skënderbeut, apo turnetë e futbollit të Spartakiadave Kombëtare nuk ishin Kupa të Shqipërisë. Ishin përpjekjet e para të zbehta të saktësimit të historisë nën regjim…
Forca e historisë së vërtetë…
Dhe e gjithë kjo histori, e cila do të shpalosej më tej në të ardhmen e “Librit të Artë” të Kupës së Shqipërisë, i plotësuar prej meje në shkrimin e “Sportit Shqiptar” më 8 korrik 1997, paraqitej kështu me fituesit e saktë të tij ndër vite:
1939 SK Tirana, 1948 Partizani, 1949 Partizani, 1950 Dinamo, 1951 Dinamo, 1952 Dinamo, 1953 Dinamo, 1954 Dinamo, 1957 Partizani, 1958 Partizani, 1960 Dinamo, 1961 Partizani,1963 SK Tirana, 1964 Partizani, 1965 Vllaznia, 1966 Partizani, 1968 Partizani, 1970 Partizani, 1971 Dinamo, 1972 Vllaznia, 1973 Partizani, 1974 Dinamo, 1975 KS Elbasani, 1976 SK Tirana (17 Nëntori), 1977 SK Tirana, 1978 Dinamo, 1979 Vllaznia, 1980 Partizani, 1981 Vllaznia, 1982 Dinamo, 1983 SK Tirana, 1984 SK Tirana, 1985 Flamurtari, 1986 SK Tirana, 1987 Vllaznia, 1988 Flamurtari, 1989 Dinamo, 1990 Dinamo, 1991 Partizani, 1992 Elbasani, 1993 Partizani, 1994 SK Tirana, 1995 Teuta, 1996 SK Tirana, 1997 Partizani.
Për të mbërritur deri më sot te Kupa e 67-të e Shqipërisë, kjo e 80- vjetorit, e vitit 2019, do të duhej të përshkoheshim edhe te fituesit e këtyre 21 edicioneve të tjerë:
1998 Apolonia, 1999 SK Tirana, 2000 Teuta, 2001 SK Tirana, 2002 SK Tirana, 2003 Dinamo, 2004 Partizani, 2005 Teuta, 2006 SK Tirana, 2007 Besa, 2008 Vllaznia, 2009 Flamurtari, 2010 Besa, 2011 SK Tirana, 2012 SK Tirana, 2013 KF Laçi, 2014 Flamurtari, 2015 KF Laçi, 2016 KF Kukësi, 2017 SK Tirana, 2018 Skënderbeu.
Kjo është mbrojtja e historisë dhe, për ta realizuar atë, e vërteta është gjithnjë në sulm. Vonë kam mësuar se sentenca që përdoret tash e parë në futboll se “sulmi është mbrojtja më e mirë”, qenka thënë për herë të parë prej Frederikut të Madh (1712-1786), në kuptimin më universal të zhvillimit të historisë.
Duke iu kthyer kuptimit të një Kupe Kombëtare futbolli, të cilën për njerëzimin e shpiku Anglia më 1872, kujtoj se Kupa e Shqipërisë ka qenë një ndër veprimtaritë më popullore në Shqipëri qysh kur “u shpik” për tokën arbnore në atë 22 janar 1939. Ndërsa sot ajo rrezikon të shuhet.
Jo zhvillimi i saj. Por jehona, vlera, popullariteti, sociologjia, gjeopolitika kombëtare e saj. Ajo ka rënë edhe më fort se Kampionati Kombëtar dhe roli që luan për zhvillimin e futbollit në Shqipërinë e sotme është gjithnjë në rënie.. Kupa e Shqipërisë sot thuajse nuk emocionon askënd. Për të, rreth saj, me organizimin krejt të ngushtë, e për të cilën flitet vetëm në mënyrë komerciale: pra, kush po e fiton Kupën për të fituar të drejtën për të marrë pjesë thjesht për do përfitime financiare përmes Ligës së Europës. Në një kuptim tjetër, emocionet janë gati në zero.
Them se po ashtu si për Kampionatin Kombëtar, ka ardhur koha që të ndryshojë kryekëput edhe organizimi i Kupës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen, pse jo, të dhjetëra e dhjetëra skuadrave, deri afër njëqindëshit madje, siç e organizojnë shumica e shteteve të Europës. Për shembull: “Kupa e Francës – Legjendë e gjallë: 7246 skuadra pjesëmarrëse, 130428 lojtarë, 8616 ndeshje të luajtura!” Siç titullonte kështu para dokohe e çmueshmja e Parisit “France Football”.

As më shkon ndërmend që të synojmë për të arritur këtu, sepse jemi shumë më të vegjël e modestë se Franca, ndonëse kemi zhvilluar Kampionat Kombëtar para saj dhe se qysh 80 vjet më parë kemi zhvilluar një Kupë të Shqipërisë me pjesëmarrjen e 18 skuadrave. Vetëm e përmenda për të kuptuar më mirë “shuarjen” e Kupës së Shqipërisë së sotme dhe Mesazhin e Historisë.
Të vjen keq që nuk kuptohet sidomos tek ata që drejtojnë futbollin sot, që Kupa është masive, Kupa është simbol i shtrirjes së futbollit anë e kënd një shteti.. Duke qenë se janë zhdukur prej botimeve, duke qenë se për vite të tana janë futur keqas diku në “arkiv”, ndonëse ky nuk ekziston, mbas shpalosjes së vërtetësisë të Kampionateve Kombëtare, i jam futur Kupës së Shqipërisë dhe po këtu të botoj edhe të vërtetat e saj, historinë statistikore për të kuptuar sa meritën e Mbretërisë Shqiptare që e themeloi, por për hir të së vërtetës, edhe të Shqipërisë komuniste, që me gjithë luhatjet, në të shumtën ia arriti t’ia jepte seriozitetin e duhur Kupës së Shqipërisë.
Po filloj me sot, për herë të parë në historinë tonë, statistikën e edicioneve të mbasvitit 1939, çka u takon viteve të para të pasluftës. Çka sigurisht, nëse na vonon një libër i posaçëm për to, do të vazhdojmë disi më mbas me shpalosjen e edicioneve pasardhëse.
Një rifillim i bukur “aventuresk” i Kupës së Shqipërisë…
Kështu po titulloj, kur shoh aksionet “bizare” të pjesëmarrjeve në të. Ndërkaq, e çuditshme është se si Partia vonoi plot katër vjet të pasluftës për të organizuar Kupën e Shqipërisë. Është 1948. Dhe kur vendos ta organizojë, thuajse shpërthen.
Do të marrin pjesë plot 40 skuadra. Madje, edhe përfaqësuesit e zonës fshatare të rretheve, skuadra të emërtuara për shembull, si “Rrethi i Korçës” apo “Rrethi i Vlorës”. Tek janë këtu pra, absolutisht të gjitha, të rreshtuara për herë të parë 40 skuadrat pjesëmarrëse në Edicionin e 2-të të Kupës së Shqipërisë, që regjimi e quante të 1-rë!
Dhe janë me emërtimet e tyre krejt origjinale e të paprekshme: Lezha, Rrethi i Shkodrës, Saranda, Delvina, Kruja, Rubiku, Ballshi, Peqini, Puka, Kopliku, Pogradeci, Maliqi, Bilishti, Rrethi i Korçës, Kukësi, Bicaj, Peshkopia, Shupenza, Selenica, Rrethi i Vlorës, Përmeti, Rrethi i Gjirokastrës, Kolonja, Leskoviku, Kuçova, Patosi, Berati, Lushnja, Gjirokastra, Partizani II, Fieri, Elbasani, Korça, Shijaku, Kavaja, Vlora, Durrësi, Partizani, Shkodra, Tirana, Tek është edhe historia e ecurisë së Kupës së parë shqiptare të pasluftës:
Kupa e Shqipërisë 1948
Turi I * 10.10.1948
Lezha – Rrethi i Shkodrës 8-2
Saranda – Delvina 1-4
Kruja – Rubiku 3-0
Ballshi – Peqini 0-1
Puka – Kopliku 1-1 / 3-3 / 1-3
* 17/20.10.1948
Pogradeci – Maliqi 2-0 (a)
Bilishti – Rrethi i Korçës 2-1
Kukësi – Bicaj 2-0 (a)
* 17.10.1948
Peshkopia – Shupenza 2-0 (a)
Selenica – Rrethi i Vlorës 2-0 (a)
Përmeti – Rrethi i Gjirokastrës 2-0 (a)
Kolonja – Leskoviku 1-1 / 2-0 (a)
Turi II * 24.10.1948
Pogradeci – Bilishti 7-0
Kuçova – Patos 7-3
Berati – Lushnja 1-0
* 31.10.1948
Peshkopia – Kukësi 4-1
Peqini – Kruja 2-1
Delvina – Selenica 2-0 (a)
Përmeti – Kolonja 2-1
Kopliku – Lezha 3-2
Turi III * 07 .11.1948
Pogradeci – Peqini 4-1
Përmeti – Gjirokastra 2-0 (a)
Delvina – Partizani II 0-5
Kuçova – Fieri 0-4
Elbasani – Korça 2-0 (a)
Shijaku – Kavaja 2-0 (a)
Vlora – Berati 2-0
Kopliku – Peshkopia 2-2 / 1-4 (09.11.)
Turi IV * 29.11.1948
Përmeti – Pogradeci 0-2 (a)
* 02.12.1948 – 26.12.1948
Fieri – Vlora 5-0 / 3-0
* 26.12.1948
Peshkopia – Partizani II 0-2 (a)
* 29.11.1948 – 25.12.1948 – 09.01.1949
Shijaku-Elbasani 0-0 / 0-0 / 2-0 (në Tiranë)
Turi V * 23.01.1949
Durrësi – Pogradeci 7-0
* 23.01.1949 – 06.02.1949
Partizani – Shkodra 1-0 / 3-1
Fieri – Tirana 0-0 / 2-7
* 23.01.1949-* 30.01.1949
Shijaku – Partizani II 2-2 / 3-2
FINALE 1/2 * 13.02 – 20.02.1949
Partizani – Shijaku 3-0 / 2-0
* 17.02 – 20.02.1949
Durrësi – Tirana 0-0 / ??
FINALE * 23.02.1949
Partizani – Tirana 5-2
Siç shihet, ka ndeshje që fitohen aforfait (me vendim), por emrat e skuadrave pjesëmarrëse janë vërtet “dëfryes’: Kopliku, Bicaj, Shupenza, Leskoviku… Madje, dhe dy “Partizanë”, ai që emërtohet Partizani II dhe Partizani i parë, si të thuash, “i vërteti”.
Dhe është ky “Partizan i parë” ai që bëhet fitues i Kupës me një 5- 2 spektakolar ndaj Tiranës. Një ndeshje, siç thuhet para 20.000 shikuesve, e cila u zhvillua për nder të 31-vjetorit të Ushtrisë Sovjetike! Dhe se Partizani fitoi, sepse vuri në zbatim “një taktikë të mirë, sipas mësimeve të trajnerit sovjetik Boris Apuhtin”! Këto ishin çuditë e politikës nënshtruese të kohës ndaj mikut të madh, Bashkimit Sovjetik.
Nuk kam mundur të gjej skedën e ndeshjes finale, por duke pasë gjetur këtë të ndeshjes Partizani-Shkodra 1-0 të 23 janarit 1949, del pothuajse i plotë 11-shi i Partizanit në atë Kupë 1948:
PARTIZANI – SHKODRA 1-0
Tiranë. 23.01.1949.
St.Kombëtar “Q.Stafa”.
GOLAT: Gjinali 84′.
PARTIZANI: Bonati, Dibra, Fakja, Sakiqi, Fagu, Llambi, A.Merhori, Shaqiri, Gjinali, Biçaku, Bakalli.
SHKODRA: Nuti, E.Bushati, Gjeloshi, Cuciqi, Gavoçi, Kavaja, Barbullushi, Juka, L.Boriçi, Laçja, Mirashi.
GJYQTAR: Ramazan Kuka.
Është një Partizan çka për një çast të duket se luan Shkodra A me Shkodrën B, teksa në 11-shin partizanas ka plot katër lojtarë, të cilët para disa muajve kishin qenë të skuadrës së Shkodrës: M.Dibra, B.Fakja, Xh.Shaqiri, H.Bakalli!
X X X
Kalojmë tash tek edicioni pasardhës, ai që i përket vitit 1949. Përsëri një pjesëmarrje e pamatë skuadrash, por kësaj here me një ecuri edhe më “aventureske”, për shkak të moszbatimit rigoroz të shortit, teksa jo pak ndeshje nuk zhvillohen. Historia statistikore e këtij Edicioni të 3-të të Kupës së Shqipërisë paraqitet kështu:
Kupa e Shqipërisë 1949
Turi I * 17.09.1949
Rubiku – Puka
Kopliku – Lezha
Kombinati Yzberish – Ferma Kamzë
Shkozeti – NBSH Kavajë
Peqini – Kuçova
Berati – Lushnja
Selenica – Patosi
Narta – Himara
Derviçani – Saranda
Gjirokastra – Delvina
Erseka – Pogradeci
Bilishti – Drenova
… Por këto ndeshje nuk zhvillohen
Finale 1/8 * 04.12.1949
Berati – Shijaku 4-0
Shkozeti – Erseka 3-1
Lezha – Fieri 1-0
* 11.12.1949
Himara – Tirana 0-12
Vlora – Gjirokastra 2-0 (a)
Shkodra – Kavaja 2-0 (a)
Partizani – Elbasani 2-0 (a)
Korça – Durrësi 0-2
Finale 1/4 * 11.12.1949
Shkozeti – Vlora 0-4
Partizani – Shkodra 2-1
Shkodra -Kavaja 2-0 (a.)
Vlora – Gjirokastra 2-0 (a)
Partizani – Elbasani 2-0 (a.)
* 18.12.1949
Tirana – Berati 5-1
* 19.12.1949
Durrësi – Lezha 6-0
Finale 1/2 * 18.12.1949
Vlora – Partizani 0-3
* 25.12.1949
Tirana – Durrësi 3-0 * Duka 16′, Hamdiu 32′, Vathi 80′
FINALE
PARTIZANI – TIRANA 1-0 (0-0)
* 08.01.1950.Tiranë. St.Kombëtar “Q.Stafa”.
PARTIZANI: Bonati, R.Laçej, Llambi, Keçi, Sakiqi, Kurani, Parapani, Z.Gjinali, L.Boriçi, Biçaku, S.Emiri.
TIRANA: H.Hoxha, F.Vogli, Spahiu, Q.Emiri, Demneri, Vathi, Paci (Duka), B.Boriçi, Peza, Resmja, Hamdiu.
GJYQTAR: Nani Sallata. SHIKUES: 5000.
Këtu edhe më fort se në rastin e Shkodrës, të duket se luajnë Tirana A dhe Tirana B. Me përjashtim të R.Laçejt dhe L.Boriçit, plot 9 lojtarë të Partizanit deri para pak kishin qenë të Tiranës! Ndërkaq, ka përsëri një mosvijimësi.
Kjo ngaqë nuk kuptohet përse mënjanohet Shkodra, e cila kualifikohet duke fituar me vendim ndaj Kavajës, kur përveç të tjerave, ka një nga skuadrat më të mira të Shqipërisë!? Dhe katërshja është kjo: Vlorë, Partizan, Tiranë, Durrës. Të dy rezultatet janë 3- 0 për finalistët Partizan dhe Tiranë.

Më 8 janar 1950, Partizani fiton 1-0 ndaj Tiranës ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë që i përket vitit 1949. Për fat, siç e shihni më lart, kam mundur të gjej 11-shet e finales, por autori i golit mungon. Dhe interesantja tjetër: për herë të parë shfaqet Refik Resmja – futbollist i ri i skuadrës së Tiranës, ai i cili mbas pak gjithashtu do të rrëmbehet prej Partizanit, duke u shndërruar shumë shpejt në një nga simbolet e pashlyeshëm të tij e të krejt futbollit shqiptar.
Sidoqoftë, është një rifillim tërheqës dhe i rëndësishëm për historinë e futbollit shqiptar. Dhe emërtohej “Kupa e Shqipërisë” sipas modelit europian të të gjitha shteteve të tjera. Por, që mbas pak ky emërtim do të zhdukej për t’u emërtuar si “Kupa e Republikës” përmbi 30 e sa vjet me radhë. Deri sa ne do ta kthenim përsëri në “Kupa e Shqipërisë”, emërtim më kombëtar që nuk mund të shlyhet më.
E rëndësishme ishte se paslufta, edhe pse me këtë fillim që në thonjëza e quajta “aventuresk”, do të shkonte përmes një rrugëtimi që shumë shpejt do ta shndërronte Kupën e Shqipërisë në një veprimtari tejet serioze dhe vërtet popullore. Po a kemi sot të tillë?… Kjo është një pyetje tejet problematike, përgjigjen e së cilës mund të vonojmë paksa, për të mbërritur në shkrime të disa javëve më mbas…
SHËNIM: Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.













