Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 16:40

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

NGA BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kapitulli XIV 

TRAJNERI DHE ETIKA E GAZETARISË. 

Ndërsa andej nga tetori i vitit 2015 mjedisi bren da e jashtë Kombëtares ishte në kulmin e euforisë së kualifikimit të mundshëm, pata botuar shkrimin me titullin “Pak ma kadalë, bre burra!” Mandej “muza” e gazetarisë më tha të botoja një shkrim me titullin: “Pak ma kadalë!”

Thjesht sepse mbas humbjes 1-2 të miqësores me Luksemburgun më 4 qershor 2017, brenda nja 24 orëve përjetova një sulm të papamë (të paparë) kundër Kombëtares, sidomos kundër trajnerit De Biasi. Me një fjalë, nëse një penalltist i sprovuar çon në qiell një 11-metërsh, fajin e paska trajneri!

xhani de biazi

Sigurisht, Shqipërisë nuk i takonte shembulli i famshëm i trajnerit Saldanha të Brazilit 1969-’70, i cili u thoshte lojtarëve para se të dilnin në fushë, që “nëse deri në minutat e 10-të a të 15-të nuk u ecën taktika ime, atëherë luani siç dini ju”. Emrat e atyre lojtarëve ishin Pele, Tostao, Zhairzinho, Gerson. Më të mëdhenjtë e botës. Kjo, ndonëse nuk i përshtatej assesi Shqipërisë së vogël, siç shkruaja, i përshtatej ligjit të një ndeshjeje futbolli, që na kujtonte se në fushën e blertë nuk luan trajneri, por lojtarët.

Çka natyrisht, kjo nuk don të thoshte se kur një skuadër si Luksemburgu – një “autsider” i famshëm ky i Kombëtareve të shteteve të Europës – mund Shqipërinë, e cila në Europianin e fundit qe renditur e 18-ta midis 24 shteteve finaliste pjesëmarrëse, trajneri nuk ka faj. Po nga ana tjetër, thënia profetike e Saldanhas na kujtonte fort se në fund të fundit, ata që luajnë janë futbollistët, jo trajneri. Kështu pra: “Pak ma kadalë”, siç do të thoshte fjalori i Shoqnisë “Bashkimi” të 1908-ës, ose: “Pak më ngadalë”, siç thotë Fjalori i Gjuhës Shqipe të Kongresit të Drejtshkrimit 1972.

Kësisoj: “Pak ma kadalë” edhe sepse ishim vetëm 6 ditë para ndeshjes me Izraelin për Kupën e Botës – çka do të thoshte që as kritikat e pamëshirshme dhe as oportunizmat e pasinqerta nuk vlenin aq fort. Edhe ngaqë nuk kishte fort kohë as për analiza të thella dhe as për kritika asgjësuese kundër trajnerit. E, ndoshta më shumë se kritika e ashpër ndaj trajnerit, asokohe do të vlente kujtesa që na thoshte se Shqipëria kishte humbur 5 herë rresht: Shqipëria – Spanja 0-2, Shqipëria – Izraeli 0-3, Italia – Shqipëria 2-0, Shqipëria – Bosnje Hercegovina 1-2, Luksemburgu – Shqipëria 2-1!

Kjo nuk kishte ndodhur qysh në 2003-shin: Bullgaria – Shqipëria 2-0, Irlanda – Shqipëria 2-1, Zvicra – Shqipëria 3-2, Maqedonia – Shqipëria 3-1, Gjeorgjia – Shqipëria 3-0! Patën ardhur këto 5 humbje mbas dy brilanteve: Shqipëria – Rusia 3-1 dhe Shqipëria – Irlanda 0-0, që bënë jo pak jehonë në Europë. Trajneri qe Hans Peter Briegel. të cilit brenda pak ditëve ia harruan dy “brilantet” e gati e patën mbytë kritikët e pafrê shqiptare. Për fat, disa shqiptarëve “ua ka lanë lija i ves”: sa e çojnë në qiell mikun e huaj, po aq menjëherë e ulin për tokë. Ndonëse trajnerin Briegel, të cilin autori i këtushëm e pat përcjellë me shkrimin “Faleminderit Hans!” veçse e kritikonin pa pikë mëshire!… Mos po përsëritej historia edhe me trajnerin De Biasi?… Vërtet ka qenë e rrallë ajo e diel në mbrëmje e atij 4 qershori 2017.

albania-debiasi

Sidomos në rubrikat televizive shqiptare. Nuk mund të kishte asisoji rast në botë që për minuta e ndoshta orë të zgjatura të përmendej aq fort shpesh, madje pa ia nda, emri i trajnerit si kryefajtor. Çka donte të të mbushte mendjen se Memushaj nuk kishte asnjë faj në rastin e tij, Lenjani po ashtu, madje as Roshi në rastin tjetër të tij apo Grezda po në rastin e tij për të shënuar. E po ashtu u dashka thënë se edhe në pësimin e golave mbrojtja tejet e plogët e Shqipërisë nuk na kishte asnjë faj. Pra, fajin e kishte vetëm trajneri nga stoli, edhe pse nuk i lejohet të luajë në fushë. Ndoshta jam paksa konservator, por në vitet tona të dikurshme, protagonistë për kritikat kanë qenë lojtarët, madje me emër e mbiemër. Mandej trajnerët. Kjo do të thotë se me ndonjë përjashtim, ne kurrë nuk i lejonim vetes që të kritikoheshin trajnerët më fort se lojtarët.

Ndonëse me vite protagonizmi i trajnerëve për të mirë apo për të keq nisi të marrë edhe kritikat tona. Sidoqoftë, ajo çka ndodhi me De Biasin mbas humbjes me Luksemburgun, emri i të cilit sundoi kritikat e ashpra, ishte vërtet për t’u studiuar… E pra, a meritonte të kritikohej trajneri De Biasi, sidomos mbas një humbjeje të tillë? Pa dyshim. Qoftë edhe në 30 lojtarët e aktivizuar prej tij në ato 8 ndeshje, madje plot 28 në 5 ndeshjet kualifikuese për Kupën së Botës “Russia 2018”! Qoftë dhe pse ai nuk ishte lojtar në fushë. Mirëpo, si të thuash, ai ishte “lojtar” me rëndësi i jashtë fushës. 11-shi i formacionit ishte i tij, teorikisht taktika ishte e tij, shtysa e parë psikologjike vinte prej tij, reagimi i parë ndaj ecurisë së ndeshjes drejt humbjes ishte po i tij, strategjia e synimit për fitoren gjithashtu e tij, shqetësimi për pesë humbje rresht niste po prej tij, moslufta kundër vetëkënaqësisë për shkak të arritjes së madhe të Shqipëisë në “EURO 2016”, i takonte edhe atij. Në fund të fundit, humbja me Luksemburgun i peshonte tejet po atij. Të gjithave këtyre ai nuk kishte se si t’u shpëtonte.

albania-debiasi-prega-470x268

Mirëpo, masa në vendin duhur. E ndërkaq, është vërtet interesant se si në gazetarinë, po e quaj të futbollit në Shqipëri, kanë marrë një përparësi të tejskajshme trajnerët apo specialistët e futbollit. Mû këtu, aq më tepër më vjen të përsëris edhe sot: “Pak ma kadalë!” Sepse më mirë se kushdo, tradhëtitë e futbollit, lojës së topit të rrumbullakët që luhet me organin më pak të përpunuar të organizmit të njeriut, që është këmba, ta do mendja se i njohin sidomos trajnerët apo specialistët e futbollit. E prapë them: “Pak ma kadalë”! Madje më shumë se sa gazetarëve, të cilët kritikën e kanë pjesë të përditshme të profesionit të tyre, kjo ftesë për baraspeshë të kritikës u takon atyre. Sidomos për faktin se gjithnjë kritika kolegu kolegut përmban në vetvete, njëfarë etike që, pse jo, të vë një kufi.

Aq më tepër kur kujton se trajnerët apo specialistët shqiptarë, edhe pse kanë një kontribut të madh për zhvillimin e futbollit shqiptar, asnjeri, pa përjashtim, duke nisur me Loro Boriçin e paharrueshëm – i vetmi i cili qe katër herë trajner i Kombëtares – nuk arritën suksesin e trajnerëve të huaj që erdhën te Kombëtarja e Shqipërisë mbas vitit 2002. Për vete, për një nga librat më të rëndësishëm që kam shkruar, ate “Libri i Kombëtares”, kam bartë paksa edhe peshën e kritikës së lexuesve – që po e quaj universale – nën shprehjen e tyre:

“I ke marrë nën mbrojtje trajnerët shqiptarë, ndonëse të gjithë kanë qenë humbës!” Mirëpo, nuk mund të harroj se ajo e tyre ka qenë kohë tjetër, kushte të tjera, sidomos, ndërsa sot për trajnerët “tanë” të huaj, qysh nga Dossena e deri te Reja kushtet janë të pakrahasueshme. E megjithatë, për një çast më shkonte mendja të pyesja: Çfarë rezultatesh do të mbërrinte sot Kombëtarja me trajnerë shqiptarë? Është një nga pyetjet më të vështira që mund të bëja dhe që ende më mbetet pa përgjigje. Ndonëse jam i bindur se – ndoshta edhe shpejt, pse jo – të mund të vijë koha që Shqipëria të ketë trajner shqiptar. E pra? Çka do të mund të ndodhte? A do të rezistonin trajnerët shqiptarë në pavarësinë e tyre? A do t’i rezistonin ata trysnisë shqiptare deri dhe në ndërhyrje në skenë e në prapaskenë në 11-shet e ndeshjeve?

De BIAZI

Në fund të fundit, a do të arrinin ata të fitonin me të sprovuar të tillë të Europës: 3-1 me Rusinë, 2-1 me Suedinë, 2-1 me Greqinë, 1-0 me Norvegjinë, 1- 0 me Portugalinë, 1-0 me Francën, 1-0 me Rumaninë, madje deri në finalet e “EURO 2016?” Kaq shpejt po i harronim këto?… Nuk e di, megjithatë. Punë retorike edhe kjo. Ashtu siç përkundër, mund të pyes: a mund t’i shpëtonin ata bilancit të Gianni de Biasit të 8 ndeshjeve të fundit të atyre muajve, me vetëm 1 fitore, 2 barazime e 5 humbje? Prapë them se as këtë nuk e di. Sepse kurrë bilancet nuk mund të jenë të pjesshme, pra të një kapitulli apo harku të vetëm të një tanësie, e cila në ate rast fliste tejet në të mirë të trajnerit Gianni De Biasi. Mëdyshje e tanë! E vrulleve kritike asisoji, dihet, çka gjithnjë mund t’i vijnë në ndihmë këso mëdyshjesh, që gazetaria i ka verifikime të përjetshme profesionale. Rrugëdaljet e gazetarit të vjetër ishin këto: të mos shkruaja e të prisja ndeshjen me Izraelin. Nëse do të ishte humbje edhe ajo, t’i sulesha trajnerit.

de biazi

Nëse do ishte një fitore, ta mbështesja fort trajnerin, duke e çuar në harresë Luksemburgun. Oportunizëm klasik ose “dinakëri” e profesionit tonë. Mirëpo, më thirri drejtësia e profesionit tim. Dhe kështu shkrova me kujtesën e vyeshme që mbështillet te: “Pak ma kadalë”, pra. Pa qenë assesi i sigurt nëse për 6 ditë Shqipëria mund të shndërrohej në stilin e saj të “EURO 2016”. Nuk më dukej as e lehtë dhe as e pamundur, kur me mend në krye, përveç të tjerave, kujtoja “tradhtitë e topkëmbës” (futbollit). Nuk mund të shpëtonte trajneri De Biasi prej kritikës, natyrisht. Por në fund të fundit: “Pak ma kadalë!” Sidomos kur kujtoja se kritikat e pamëshirshme ndaj tij vinin më fort prej kolegëve të tij. Natyrisht jo italianë, por shqiptarë, të cilët në rezultate, jo vetëm për fajin e tyre qëndronin tejet larg rezultateve të një Gianni De Biasi…

DORËHEQJA BEFASUESE MBAS NJE FITOREJE PO BEFASUESE. 

Edhe për të kishte ardhur çasti final. Ndodhi që një ditë para se trajneri më i suksesshëm i Kombëtares së Shqipërisë, italiani Gianni De Biasi, të jepte dorëheqjen e tij zyrtare të 14 qershorit 2017, ndërsa po bëhesha gati t’ia nisja gazetës shkrimin që kisha menduar, papritmas mësova për dorëheqjen e tij të parevokueshme. Natyrisht, si gazetar i vjetër dhe si një historian i jetës së Kombëtares, së cilës i kam kushtuar e pakta pesë libra, u trishtova.

izrael shqiperi kombetarja festa e golit1

Ajo ishte një nga dorëheqjet më të rralla në vetë futbollin botëror. Pra, që një trajner jep dorëheqjen menjëherë mbas një fitoreje të bukur në Kupën e Botës, teksa ajo përforconte jopak pozicionin tejet interesant të skuadrës së tij, e pse jo, edhe për më tej. Dhe pikërisht për shkak të kuptimit historik, mendova që përveç disa radhëve hyrëse, të mos ndryshoja asgjë në ate shkrim pararendës. Mendoja se ai i përkiste regjistrimit dhe përimtimit analitikohistorik të ngjarjes kur ajo sapo kishte ndodhë, pra Kombëtares mbas fitores 3-0 me Izraelin. Por dhe përshkrimit të problematikës së mjedisit shqiptar në çastin e dhënë, si dhe të mbas konferencës së parë për shtyp të De Biasit, asaj të së martës së 13 qershorit 2017, ku ai kishte njoftuar se do ta çonte deri në fund kontratën.

Mirëpo, të mërkurën e 14 qershorit, ai shpërthen me një “colpo di scena” e denjë për drama klasikësh të dikurshëm, kur krejt befasisht thotë: “Lamtumirë me kaq!” E merrja me mend se edhe me këtë gjest, të papërgjegjshmit “e propagandës” së njëanshme futbollistike shqiptare (se veç “propagandë” të interesave të ngushta dinë të bëjnë), do ta sulmonin edhe për këtë. Ndonëse kësaj radhe nuk do të mund të bënin më asnjë dëm…

ISHTE IZREALI – SHQIPËRIA 0-3!

E pra: si mund ta kuptonim fitoren 3-0 të Kombëtares së Shqipërisë ndaj asaj të Izraelit në stadiumin e “Haifa”-s, në ditën e13 qershorit 2017, që i përkiste Kupës së Botës?… Kërkoja të mbërrija te një lloj kuptimi të parë të tërësisë së vetë kuptimit të Kombëtares së atyre ditëve të Shqipërisë. Edhe ngaqë ajo fitore ekzaltoi, më saktë, shndërroi, përtej masës, një pjesë të pabaraspeshur të medias shqiptare, me sa duket ngaqë fitorja mbërrinte vetëm shtatë ditë mbas humbjes 1-2 në një miqësore prej njërës nga skuadrat më modeste të Europës, siç është Luksemburgu.

Shqiperi-Izrael-gjyqtari-470x295

Çka gati u bë shkas për ta rrëzuar për tokë parakohe pa mëshirë trajnerin e Kombëtares Gianni De Biasi. Por edhe sepse kur mendoje ndërkaq, se ky Izrael kishte fituar 3-0 në Shqipëri, vetvetiu gjithçka bëhej edhe më enigmatike. E kjo doemos të çonte në vështirësi kuptimi. Dihej, megjithatë. Dihej që Izraeli, i cili edhe pse kishte fituar në Shqipëri 3-0, nuk ishte qendra e botës në futboll. E vërteta ishte se ajo çka kishim pa në TV, na kishte bindur se diçka e posaçme (speciale) ishte bërë për këtë ndeshje. Mbi të gjitha psikologjike.

Një lloj përpunimi psiqik për të dalë nga “humbëtira” e brenda vetëm pak ditëve. Merrej me mend: e gjitha kjo për ta harruar Luksemburgun. Ndonëse midis 14 lojtarëve shqiptarë të ndeshjes së “Haifa”-s ishin plot 12 lojtarë të ndeshjes luksemburgase! Mirëpo, një risi në përbërje ishte krejt befasuese. Nga 0-3 i Shkodrës e 12 tetorit 2016, nuk ishin plot 8 lojtarë: Berisha, Agolli, Bala, T.Xhaka, Llullaku, Çani, Manaj, A.Hoxha! Thuajse një skuadër tjetër. Por boshti ishte. Ishin Hysaj, Mavraj, Roshi, Memushaj, Kukeli, Djimsiti. A ishte vërtet ky për t’u quajtur “bosht”? Besoja se ishte. Ndonëse duke i shtuar të munguarin e madh me emrin Armando Sadiku, ai bëhej më shumë se bosht. Ndoshta duhet të mendoja se këta 8 të tjerë, do ta kenë shtangur Izraelin deri aty sa për një çast kjo atij t’i jetë dukur një Shqipëri tjetër nga ajo e Shkodrës. Dhe u pa që ishte tjetër. Edhe sot mendoj se goli i parë shqiptar, ai i minutës 22 i Sadikut ka qenë fryt i një loje të shkëlqyeshme. Madje kanë qenë 20 minuta më tepër për Izraelin.

De Biazi me kostum popullor

E, për ta, goli ka qenë si një rrufe në qiellin e pastër! Dhe ishte mû ky gol tronditja e të cilit ndoshta shênjoi fatin e ndeshjes. Dihet, goli, sa kolektiv po aq është dhe vetjak (individual). Gjuajtja prej jashtë zonës e Sadikut nuk ishte një prej atyre që i themi “bombë”. Ai kupton se ndonëse i ka përpara mbrojtësit kundërshtarë, nuk i ka dhe fort afër, megjithatë. Dhe i thotë mendja të gjuajë rreptë, tokazi, duke synuar me saktësi të pagabueshme këndin djathtas të portierit, poshtë, krejt afër shtyllës. Mû në këtë çast loja ka marrë fund.

Këtu, me sa duket, është forcuar psikologjia e fitores së shqiptarëve, të cilët për gati 70 minuta të tëra kanë zhvilluar një ndeshje gati të pagabueshme. Dhe që deri në pjesën e saj të parë të kësaj pagabueshmërie, pra, në minutat 22-44, u pa se ndërsa strategjia ishte fitorja, taktika ishte ruajtja e saj përmes një qetësie shembullore që rrallë e kishim asokohe. Edhe kur erdhën çastet përshkuese izraelite, atëherë do ta merrte fjalën i riu “i panjohur” Thomas Strakosha i Lazio të Romës me pritje portierësh të mëdhenj.

Deri aty sa një herë do ta hipnotizonte topin për t’ia prekur kurrsesi rrjetën, por vetëm shtyllën. Goli i dytë i heroit të ndeshjes Armando Sadiku, ai i minutës 44, ishte kopje e të parit. Me vetëm një ndryshim: nëse i pari ishte nja 18 metra larg, ky i dyti ishte nja 25. 2-0 ishte drama izraelite dhe paksa “simfonia optimiste” shqiptare me epilogun në “crescendo” të golit të 3-0 të Memushajt – për antologjinë taktike të futbollit. Madje plot 20 minuta pa mbaruar ndeshja .Duhej të vinte edhe i katërti – e kohë kishte mjaft për të – por dhe 3- 0 ishte sa s’ka më mirë.

Kështu, kur kujtoja 5 humbje rresht, mendoja se në kuptimin “izraelit” qëndronte zotësia e dukshme e lojtarëve shqiptarë për të mbajtur topin, për t’i dhënë ndeshjes lëvizje të matura taktike, pasime teknike, të shtruara tokazi, një kombinim sa i një taktike, po aq edhe i një teknike i mpleksjes së horizontales me vertikalen. E të gjitha këto nuk i prishën as ndërrimet befasuese të trajnerit Gianni De Biasi që më duhej t’ia përaktoja drejtimin nga jashtë të tij, tejet profesional. Ai nuk u merakos, as ngaqë Izraeli përvetësoi 10 goditje këndi përballë vetëm 2 të Shqipërisë.

de biazi

Dhe as sepse Izraeli pati 59 për qind mbajtje topi përballë 41 të Shqipërisë; dhe madje as sepse Izraeli dha 13 goditje topi përballë vetëm 6 të Shqipërisë. Mirëpo, përcaktuan shifrat “e vogla”, që ishin vetëm 3 dhe që i përkisnin Shqipërisë: 3- 0! E në futboll fiton ai që shënon më shumë. Këtu merrte fund për mua kuptimi “izraelit” i Kombëtares së Shqipërisë.

Me 8 lojtarë të tjerë, me dy kapitenë të shkëlqyeshëm në lojë, Mavraj dhe Hysaj, me Sadikun në ndeshjen e dytë të jetës për te, mbas asaj me Rumaninë në Francë; dhe me plot të tjerë pra: Strakosha, Djimnsiti Aliji, Kukeli, Abrashi, Memushaj, Roshi e Hyka, pa harruar kurrsesi A.Lilën, Cikalleshin, po edhe Veselin. I drejtoi për te fitorja trajneri Gianni De Biasi. Ai që duke lënë fushën e “Haifa”-s, do ta linte përfundimisht edhe Kombëtaren e tij të Shqipërisë. Për çudi, për të vazhduar pa ndalë “italianizimi” i saj, me kolegë të tjerë nga Gadishulli Apenin, apo më saktë nga toka e Italisë fqinje.

EPILOG

Kemi mbërritur kështu te ndeshja Shqipëria – Franca e këtij 17 nëntori 2019, që për një çast, po më duket si një duel Itali – Francë. Në të vërtetë nuk është asgjë tjetër përveçse Shqipëria – sot jo më “e vogël” – përballë Francës së madhe. Them se gjithçka është një enigmë, megjithatë!… E kjo, assesi nuk më duket se ka të bëjë me përurimin “pompoz” të stadiumit të ri. Teksa mbas bukur 75 vjetëve, po ndahemi trishtueshëm prej “Qemal Stafës” për ne epokal, në të mirë e në të keq qoftë. Dhe kjo për kapriço qeveritare po aq “pompoze”, pse jo edhe të krejt lidershipit të sotëm sportiv të Shqipërisë me në krye Federatën Shqiptare të Futbollit dhe heshtjen “olimpike” të KOKSH.

de biazi

Kësisoj, as edhe një fitore me kampionen e botës nuk do të mund të na bënte të harronim se këto kapriço të një arrogance për hir të tregtisë (biznesit josportiv), na lanë me një stadium më pak dhe që e bënë Tiranën kryeqytetin e vetëm në botë pa një “shtëpi” për Mbretëreshën e Sporteve, që është pista e atletikës së lehtë. Sidoqoftë, diçka ka mbetur aty. Ka mbetur toka e atij stadiumi, ajo mbi të cilën trajneri italian Gianni De Biasi me Kombëtaren e tij shqiptare, kishte zhvilluar 10 prej 54 ndeshjeve të drejtimit tij. Dhe me një bilanc pozitiv: 4 fitore, 3 barazime, 3 humbje. I vetmi trajner “shqiptar” fitimtar i “Qemal Stafës” në histori…

 * Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI, XII, XIII në “Panorama Sport” të 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars, 1 qershor, 5 shtator, 16 nëntor, 12 dhjetor 2018, 19 mars, 5 qershor, 3 shtator , 11 tetor 2019

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"