SPECIALE/ Golat jashtë Shqipërisë, Sadiku “ndjek” Salihin. Ja lista me “bomberat” kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 23:57

SPECIALE/ Golat jashtë Shqipërisë, Sadiku “ndjek” Salihin. Ja lista me “bomberat” kuqezi

Çfarë kuptimi ka goli për një sulmues? Gjithçka! Është topi që kalon vizën fatale dhe i jep një domethënie të madhe rolit të tij dhe në fund të fundit, është motivi kryesor se përse luhet një ndeshje futbolli.

SADIKU 1

Që topi të futet brenda në rrjetë. Shqipëria ka pasur historikisht sulmuesë të talentuar që kanë lënë gjurmë në futbollin e huaj, por ka edhe sot. Pothuajse të gjithë “bomberat” e ekipit përfaqësues luajnë kudo në botë dhe shënojnë me klubet e tyre respektive duke bërë atë detyrë që kanë në një ndeshje futbolli. Hamdi Salihi, një-ish sulmues që nuk falte para porte, është shqiptari me më shumë gola në arenën ndërkombëtare.

Salihi-Kombetarja-470x283

Shkodrani, tashmë i pensionuar nga futbolli, ka shënuar 169 gola, në të gjitha kampionatet që ka luajtur: Austri, Kinë, SHBA, Izrael. Por, kush është sulmuesi që luan ende dhe mban rekordin për golat e shënuar? “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim për emrat që janë ftuar vitet e fundit në ekipin kombëtar.

SADIKU- Armando Sadiku është sulmuesi që ende luan dhe ka shënuar më shumë gola jashtë Shqipërisë. 32- vjeçari aktivizohet në Indi, ndërsa i numërohen 145 gola gjithsej, gjatë aventurave në Zvicër, Poloni, Spanjë, Turqi, Bolivi dhe së fundmi në kampionatin indian.

UZUNI- Në moshën 28- vjeçare Myrto Uzuni ka arritur kuotën e 97 golave jashtë Shqipërisë, me beratasin që ka luajtur në Kroaci, Hungari dhe Spanjë, ku është edhe pjesë e Grandadës në La Liga.

CIKALLESHI- Vetëm 3 gola pas Uzunit, është Sokol Cikalleshi që u katapultua nga kampionati shqiptar në Korenë e Jugut, u rikthye në Superiore dhe më pas vazhdoi karrierën në Kroaci dhe Turqi, ku luan ende për Koniasporin në moshën 33-vjeçare. Ka kaluar edhe një sezon si huazim në Arabinë Saudite.

BALAJ- Bekimi ka 70 gola mbi supe jashtë Shqipërisë, edhe pse aktualisht po kontribuon për ekipin e vendlindjes. Sulmuesi 33- vjeçar po ashtu ka ndërruar disa kampionate ku mund të përmendim: Kroaci, Rusi, Poloni, Çeki dhe Turqi.

MANAJ- Ky është ndoshta viti më i mirë në karrierë për Rei Manajn, pasi po shënon rregullisht në kampionatin turk, ndërsa në total ai është në kuotën e 54 golave si profesionist. Një pjesë e tyre janë shënuar në Turqi, Seria A dhe B apo edhe në Ligën e dytë spanjolle.

VRIONI- Pjesë e Nju Inglandit në SHBA, Vrioni është në vendin e katërt nga sulmuesit shqiptarë, teksa ka shënuar në Austri dhe në Serinë C italiane. Gjithashtu edhe në kampionatin amerikan. Në total 43 rrjeta.

SEFERI-DAKU- Aktualisht kemi dy sulmues që janë me të njëjtin numër golash, 37 të tillë. Seferi ka tundur rrjetën në Zvicër, Ukrainë dhe së fundmi Emirate. Ndërkohë, Mirlind Daku i ka shënuar mes Sllovenisë, Kroacisë dhe Rusisë.

BROJA- Në fund është Armando Broja, kjo edhe për moshën e re që sulmuesi ka. 22- vjeçari deri tani është në kuotën e 23 golave dhe i ka shënuar në Holandë dhe Angli.

GOLAT

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"