SPECIALE/ Botërori, Katar-Mesi dilemat e “teatralitetit” në futbollin modern

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 19:51

SPECIALE/ Botërori, Katar-Mesi dilemat e “teatralitetit” në futbollin modern

Apokalips” do të ishte termi i duhur për të përkufizuar zhvillimin e një kampionati Botëror në Lindjen e Mesme, si rezultat i shumë faktorëve. Temperaturat e larta dhe mungesa e popullaritetit të këtij sporti në rajonin në fjalë shikoheshin si pengesa kryesore.

GettyImages-1450117547-1024x683

Gjithsesi, kjo imagjinatë e shfrenuar para dy dekadash mori jetë në vitet 2009- 2010 me “rrëmbimin” e votave të nevojshme në aprovimin e Kups së Botës “Katar 2022”. Skepticizmi vazhdoi edhe pas “po”-së nga delegatët e FIFA-s se faktorët klimatikë dhe çështjet sociale do të ndikonin negativisht, çka linte të nënkuptohej si dështimin më të madh në historinë e turneut. Tashmë ajo ëndërr e katariotëve u kurorëzua, duke i “dhuruar” Mesit dhe Argjentinës trofeun më të lakmuar në rruzullin tokësor në spektrin sportiv, Kupa e Botës. Njëkohësisht duke lënë pas shumë pikëpyetje të mëdha si mposhtja e një superfuqie si SHBAja në garën e vendit organizues, favorizimi i Argjentinës nga figura me peshë në futboll, madje edhe brazilianët. Moslejimi i birrës (identifikimi i tifozërisë në shkallët e stadiumit në një aktivitet aq popullor), “nënshtrimi” ndaj Arabisë Saudite në takimin hapës, VAR-i dhe vendimet e diskutueshme të arbitrave, (sidomos pas fazës së grupeve), penalltitë “bardhekaltër” e deri te plotësimi i palmaresit futbollistik të “Pleshtit”, i cili ishte “kurorëzuar” pa nisur turne nën petkun e “bishtit” arabik, si përcaktues i këtij rrugëtimi të lavdishëm në një vend ku garat me kuaj përbëjnë lojën më interesante dhe të dashur për ta.

VENDIMI I DELEGATËVE TË FIFA-s – Kupa e Botës e planifikuar në 2022-shin kishte 5 kandidatë për të marrë të drejtën e organizimit si Australia, Japonia, Katari, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja. Gjithçka u vendos më 2 dhjetor, ku Komiteti Ekzekutiv si organi më i lartë futbollistik u mblodh në Zyrih të Zvicrës dhe vendosi t’ia ngarkonte përgjegjësinë Katarit mbi Botërorin e 2022-shit. Verdikti final kishte vënë përballë Katar-SHBA, e përfunduar me 14-8 votat e delegatëve në favor të katariotëve. Por si arritën të bindnin këta përfaqësues, sa e mirorganizur ishte strategjia e tyre, çfarë lidhje mbartnin ata me futbollin, cili ishte plani i fshehtë nga “blerja” e Botërorit. Shumë gazetarë të ndryshëm e vunë theksin e lobimit të fortë në shërbim të arabëve ndaj ryshfeteve të majme, aq sa Sep Blater u gjend mes një situatë të tillë. Ky i fundit para pak ditësh para se kompeticioni të niste e pranoi publikisht gabimin e përzgjedhjes: “Fillimisht mendova se Lindja e Mesme me në krye Katarin kishte shumë për t’i dhënë rrugëtimit të Botërorit ndër vite, por paskam gabuar. Gjithçka mund të lidhet me ta, përveç futbollit. Mjafton të shikojmë organizimin e tyre shoqëror, aty ku të drejtat e njeriut mbeten tabu. Sporti në vetvete i bashkon njerëzit, jo prezantimin e antivlerave të një bote nga e kaluara”, ishin frazat e Blaterit.

FAVORIZIMI I ARGJENTINËS NGA LEGJENDAT – Triumfi i “Albiçelestëve” në Kupë e Amerikës Jugore i kishte rritur kredencialet e tyre në arenën botërore, aq sa të pozicionoheshin mes pretendentëve. Përfshirja e një ylli në gjirin e tyre vinte si faktor shtesë se ekipi i Skalones me Mesin në krye mund t’ia dilnin të ngrinin kupën në qiellin e Dohas, pas atij kujtimi të hidhur në “Marakana” përballë “Pancerave” të Lëv. Ajo çka të përcjell ndjesi të çuditshme është bindja e legjendave botërore se Mesi dhe përfaqësuesja e tij janë favorite absolute, pavarësisht se Franca ishte prezente dhe kampionia në fuqi, Anglia me vlerën më të lartë në treg, Brazili në një ndërhyrje mes talenteve dhe eksperiencës, pa anashkaluar Portugalinë e CR7-ës. Fakt është se në përbërjen e argjentinasve, reparti më anonim ishte mesfusha me emra të panjohur si Mekallister, De Pol, Enzo Fernandez, Paredes apo Akuna. Çfarë i shtynte këto ikona të sportit më popullor të besonin te grupi i Skalones, përveç Mesit? Një tjetër pyetje që ende nuk ka marrë përgjigje, ndonëse këta të fundit u shpallën kampionë. Absurdja shkon deri në limite me sjelljen pro të ish-lojtarëve brazilianë si Ronaldinjo apo fenomenit Ronaldo. Edhe në ëndrrën më të keqe vështirë të mendohej dhe pajtohej ndonjë tifoz i “Seleçaos” se ata që kanë shkruar historinë me kombin e vet të mbështesin “armikun” e përbetuar të fushës së blertë, Argjentinën.

NDALIMI I ALKOOLIT DHE I SJELLJEVE “ANTIMORALE” – Kupa e Botës gjithmonë ka prezantuar tifozët me gotat e birrës në shkallët e stadiumit, por në këtë rast historia ndryshoi, pasi Infantino vendosi ta zbatonte propozimin e organizatorëve të mbështetur në dy pika kryesore, të cilat cenonin integritetin e popullit vendës: 1) Ndalimin e alkoolit dhe 2) Ndalimin e promovimeve të vlerave antishoqërore (si flamujt në mbështetje të komunitetit LGBTQI+). Edhe pse Nojer u zotua se do t’i shkonte deri në fund qëndrimit të tij në lidhje me shiritin “One Love” (Një dashuri), e cila përkonte me ngjyrat e komunitetit të mësipërm, FIFA ia bëri të qartë se mund edhe të përjashtoheshin, nëse nuk i përmbaheshin këtij urdhri. Pyetja e madhe është: Përse Infantino mori rolin e zëdhënësit të Katarit në vendimet si alkooli dhe çështja e “shiritit”, ku paraprakisht ato nuk përbënin problem? Mos ndoshta Xhani u kthye në lobuesin më të madh në prezantimin e turneut në Katar, përse ai e tundoi Mesin të vishte “bishtin”, ku reagime të tilla nuk janë prezantuar kurrë nga kreu i FIFA-s në të gjithë historinë?!

“TRIUMFI ARABIK” – Arabi Saudite-Argjentinë do të ishte takimi hapës i Grupit C, aty ku bënin pjesë edhe Polonia me Meksikën. Fitorja e Arabisë dhe mënyra se si erdhën rrethanat të bëjnë të dyshosh se gjithçka ishte lojë. Fillimisht u hodh hipoteza se “Albiçelestët” i druheshin vendit të parë, çka do t’i përballte me Francën. Si përfundim kombëtarja e Mesit doli e para në Vazo dhe Arabia u mposht në dy takimet e radhës, pa dëshmuar asgjë. Është shumë e vështirë për ta kuptuar se çfarë ndodhi në të vërtetë në atë përballje!

VAR DHE PROTAGONIZMI I ARBITRAVE – Rasti më ekstrem ishte me Mateo Lahoz, ku ai do të vendoste drejtësinë në çerekfinalen Argjentinë-Holandë. Mesi, edhe pse fitoi një penallti të dyshimtë, pavarësisht rishikimit në VAR, sërish nuk i la thumbat ndaj tij: “Nuk e kuptoj se si ai (Lahoz) vazhdon të gjykojë në të tilla nivele. Mund të na kishte kushtuar shtrenjtë me mediokritetin e tij”, pohonte Leo. PortugaliMarok do të mbetej një tjetër përballje e diskutuar në arbitrim. Luzitanët dalloheshin qartë mbi kundërshtimet ndaj vendimeve të kryesorit, aq sa Pepe pas përfundimit do të plaste bombën: “Është e qartë se duan t’ia japin kupën Mesin”. “Perëndia ishte në anën tonë, por arbitri ishte francez”, fraza e Hristo Stoiçkov, e cila u kthye në menu të zakonshme në radhët e çdo përfaqësueseje në rrugëtimin pas fazës së grupeve. FIFA ishte shprehur paraprakisht se do të përfshiheshin vetëm arbitrat më të “zotë” dhe ku eksperiencat e tyre do të siguronin mbarëvajtjen e çdo takimi. Por çfarë ndikon në këto kundërshtime të pazakonta nga futbollistët, aq më tepër kur pjesëmarrja e teknologjisë do t’i lehtësonte punët? Situata të tilla nuk janë bërë kurrë kaq evidente sa në “Katar 2022”. Mos ndoshta FIFA u “kamuflua” nëpërmjet gjyqtarëve mbi përcaktuesin e fituesit?

“PENALLTITË E MESIT” – Aftësitë e Lionel Mesit me topin nën këmbë dihen botërisht se e bëjnë të pandalshëm deri në arritjen e objektivit, por që të jepet penallti aq lehtë, pavarësisht shkallës së kontaktit nxit shumë diskutime. 7 ndeshje të zhvilluara gjithsej nga “Albiçelestët” dhe 5 11-metërsh të akorduar në favor të “Pleshtit”, 4 të ekzekutuar saktësisht nga 35-vjeçari. “Penalltia është një mënyrë frikacake për të shënuar”, do të pohonte në vitet ‘70 “Mbreti” Pele. A mund të thuhet e njëjta gjë për këtë “skenar”. A i nevojiteshin Mesit penalltitë për të vërtetuar se di të shënojë (4 nga 7 golat kanë ardhur pikërisht nga 11- metërshi)? Ajo që i bën më të vështira argumentet bindëse janë kontaktet inekzistente. Mjafton Leo të bjerë në zonën e rreptësisë dhe për kryesorët nuk ka dilema, penallti. Përse “10”- ta nuk dëshmoi të njëjtën gjë (mbi penalltitë) edhe në 2010, 2014 apo 2018 ku ai ka qenë në të njëjtin nivel?

ÇMIMI I “EMRIT” APO “LOJTARI I NDESHJES” – Përzgjedhja e lojtarit të takimit prezanton vlerësimin më të lartë ndaj atij që ka dhënë kontribut më të vlefshëm. Gjithsesi, organi më i lartë i futbollit vendosi që një pjesë të peshës ta mbartte edhe votimi i tifozërisë, por e justifikojnë vendimet e dyshimta mbi këtë kategori. Në sfidën hapëse të Portugalisë, iberikasit ia dolën të fitonin me vështirë ndaj Ganës (3- 2), aty ku CR7 do të hapte serinë e golave, ndonëse Bruno Fernandez do të asistonte në dy finalizimet e përcaktimit të suksesit. Në fund Ronaldo u shpall “lojtari i ndeshjes”. Ky “turp” do të merrte përmasa më të mëdha pas sfidës Belgjikë-Kanada, De Bryjne do të siguronte trofeun, por arsyetimi i tij “zbardhi” më shumë seç duhej: “Nuk e di përse e fitova këtë çmim, mbase emri. Të jem realist mund të luaja shumë më mirë”, ishin fjalët e mesfushorit Kevin. Një gjykim i tillë ia “shpëlau” vlerën, duke marrë trajtën e një “qoke”. Por a mund të ndodhin skena të tilla në turne kaq të rëndësishëm? Finalja nuk mundi t’i shpëtonte kësaj damke. Kilië Mbape do të kthente në lojë “Gjelat” me dy golat e shpejtë në fundin e përballjes me amerikano-latinët dhe do të shndërronte në finalizim penalltitë e kompletimit të tregolëshit. Pavarësisht se ata humbën në fund, “ninxha” transalpine e kreu misionin e vet. Edhe vlerësimi i mediave globale do ta veçonte si lojtarin më të vlerësuar në botë, ndonëse Leo do të mbante në duar trofeun në fjalë. Cili është arsyetimi i këtij verdikti me dy standarde?

MESI SHKROI HISTORINË NË BOTËROR ME LAVDINË E “BISHTIT” – “Paraja na lejon të jetojmë më mirë, por nuk është ajo që më frymëzon, unë jetoj për të luajtur futboll. Jo rreth përfitimeve ekonomike, luaj në shërbim të ekipit, jo për veten time”, theksonte Mesi gjatë kohës kur Katari siguronte biletën e organizatores (2010). Përse Emiri i Katarit e kishte aq të domosdoshme të “vishte” shtatshkurtrin me traditën e tyre apo kërkonte të identifikonte triumfin e “Pleshtit” me organizatorët? Është fakt se sa herë të përmendet plotësimi i Leos në kuadrin e palmaresit të tij, Katari do të mbetet identifikimi i kësaj arritjeje. “Suksesi pa nder është më i madhi i dështimeve”, do të pohonte Visente del Boske në kohëra e arta të “tiki-takës”, a mund të vlejë kjo frazë në rrugëtimin plot mistere të Argjentinës drejt triumfit? Duket e pabesueshme, gati-gati sikur të gjithë planetët janë vënë në një vijë për të plotësuar këtë dëshirë të një jete. Nëse krahasojmë Spanjën e 2010-ës, Gjermaninë e 2014-ës apo Francën e 2018-ës, ata frikësonin çdo rival që u dilte përballë, ndërsa ekipi i Skalones mbiu nga hiçi, thuajse emra që anonin përveç Mesit dhe disa “kokrrave” të tjera. Një Argjentinë që nuk bindi gjatë vazhdimësisë, përveç sfidave me Poloninë dhe Kroacinë, gjithsesi a mund t’ua mbyllin gojën kritikëve se ata e “meritonin”? “E vetmja gjë që ka rëndësi janë fitoret dhe paratë”, saktësonte Oliver Kahn përpara mbylljes së karrierës. I tillë ngjason edhe ky përfundim i Botërorit, Mesi arriti objektivin e karrierës pa shumë bujë mbi lojën e zhvilluar nga ekipi në vazhdimësi, por fitoi, ashtu si paratë e mikpritësve për të kurorëzuar lavdinë e tyre me gurin e triumfit “alienin” Leo, duke i vënë pllakën me “bishtin” (kurrë nuk kishte ndodhur që në historinë e Kupës së Botës organizatorët t’i vendosnin diçka identifikuese nga kultura e tyre kapitenit të fitues). Pyetja që të gjithë duan, por vështirë ta gjejnë është: “Çfarë ndodhi në të vërtetë, pas këtyre skutave teatrale që në gjenezën e marrjes së biletës organizuese?

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"