SOT, ORA 14:00/ Luga: Fitorja me Kukësin do na hapte dritën jeshile. Çela: Me Erzenin s’duhet të gabojmë
Erzeni e ka mbyllur fazën e parë me një bilanc negativ, gjë që nuk i ka ndodhur asnjëherë në historinë e skuadrës.Shijakasit kanë vetëm dy barazime, i pari në shtëpi me Besën dhe tjetri në transfertë me Lushnjën. Ende kjo skuadër nuk ka mundur të shijojë fitoren e parë dhe rrjedhimisht mban vendin e fundit në renditje. Me ardhjen e trajnerit Ergys Luga, i cili ka futur një tjetër frymë në ekip, u besua shumë se 3 takimet e fundit të fazës së parë do të flisnin për Erzenin, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Shijakasit luajtën me Besën, Burrelin dhe Apoloninë, ku nga 9 pikë të mundshme, arritën të merrnin vetëm një. Shumë pak për një skuadër qe besonte se do të dilte nga zona e ftohtë.
KUKËSI – Erzeni përballet sot me Kukësin në stadiumin “Tofik Jashari”, me shpresën për të marrë fitoren e parë. Trajneri Ergys Luga, për “Panorama Sport” u shpreh: “Kalendari na favorizon me fillimin e fazës së dytë, ku dy takimet e para do t’i luajmë në shtëpi. Të parin me Kukësin dhe të dytin me Valbonën, ku mendoj se do të marrim pikët maksimale, gjë besoj do të hapin dritën jeshile për vazhdimësinë. Ndeshja me Kukësin do të jetë e vështirë dhe agresive. Kukësi, pavarësisht rezultateve që ka arritur, mbetet një skuadër e mirë dhe pritet te jetë një takim i luftuar deri në fund. Jemi rivalë në garën mbijetesë”.
Kukësi vjen në përballjen e sotme me Erzenin me një moral më të lartë, duke qenë se ka lënë pas ato dy humbje të thella të njëpasnjëshme.
Një fitore do t’u bënte shumë punë në këto momente kuksianëve, ndaj shkojnë në Shijak me objektiva të qarta. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Emiljano Çela shpreson që tani skuadra të ketë vazhdimësi dhe të tregojë shpirtin e vet të garës.
“Skuadra është mirë, ka qenë një javë pozitive dhe kemi punuar me intensitet dhe entuziazëm. Pika e marrë në Burrel më shumë na shërbeu për besimin dhe për të lënë pas krahëve ato dy ndeshje, që nuk duhet t’i kujtojmë më. Pavarësisht të gjitha problemeve, nuk është ajo forca reale e këtij ekipi. Një ‘bravo’ e madhe për lojtarët, të cilët arritën të gjenin forcat për ta kaluar atë situatë të rëndë për të gjithë. Shpresoj të kemi vazhdimësi të paktën për sa i përket asaj që kemi në dorë në karakterin në fushë dhe shpirtin e garës”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit.
Në vijim Çela thekson se me skuadra si Erzeni, që janë në gjashtëshen e dytë, të tijtë do të tentojë të marrin gjithnjë pikë. “Më ekipet që janë në vendet e para kemi pasur shumë probleme dhe shumë vështirësi për të marrë pikë. Situatë që jam i sigurt se ka për të ndryshuar pas janarit. Gjithsesi, ekipet që janë poshtë gjashtë vendeve të para mendoj se janë të një niveli me ne dhe patjetër do të tentojmë të marrim pikë”, ka pohuar Çela më tej. Në fund trajneri i Kukësit zbuloi porosinë që u jep gjithnjë djemve që stërvit. “Lojtarëve u them përditë të jenë të përqendruar, të vlerësojnë çdo stërvitje që bëjnë dhe çdo ndeshje. Futbolli në Shqipëri ka shumë pak diferenca, të vlerësojnë veten dhe të japin më shumë se 100% në çdo ndeshje”, përfundoi Emiljano Çela prononcimin e tij për gazetën.
ALBERT ALIKO/ VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)