Sopoti si kantier ndërtimi, Librazhdi transformon stadiumin për sezonin e ri në Kategorinë e Parë
Në Librazhd po vijojnë me ritme të larta përgatitjet infrastrukturore për sezonin e ri. Prej disa ditësh, stadiumi i është nënshtruar një rikonstruksioni të pjesshëm, me synimin për të përmirësuar kushtet dhe për t’iu përshtatur kërkesave të kategorisë ku do të garojë skuadra. Pas restaurimit të rrethimit të stadiumit, puna po vazhdon me rehabilitimin e murit rrethues.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme do të realizohet në ambientet e brendshme të stadiumit, konkretisht te dhomat e zhveshjes për futbollistët. Pas konsultimeve me inxhinierët e Bashkisë Librazhd, është vendosur që objekti ekzistues të zgjerohet në pjesën ballore dhe në anën e majtë, duke krijuar ambiente më të bollshme dhe në përputhje me standardet e kërkuara nga FSHF. Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërtimi i një tribune VIP në qendër të shkallëve të stadiumit. Sipas planit paraprak, kjo tribunë do të ketë një kapacitet rreth 100 vendeh dhe do të ofrojë kushte më të mira për të ftuarit dhe personalitetet që do të ndjekin ndeshjet. Ndërkohë, po përgatitet edhe zëvendësimi i tapetit të barit, proces që do të zhvillohet paralelisht me punimet e tjera infrastrukturore në impiant.
Paralelisht me investimet në stadium, ka nisur puna edhe për ndërtimin e një fushe stërvitore, e cila prej muajsh është siguruar si investim nga FSHF. Duke parë nevojën e menjëhershme të ekipit, që tashmë do të garojë një kategori më lart, bashkia po përshpejton procedurat e tenderimit. Objektivi është që terreni i ri stërvitor të jetë gati brenda muajit shtator. Ndërsa punimet vijojnë me intensitet, skuadra ende nuk ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Drejtuesit kanë vendosur që prioritet absolut të jenë investimet infrastrukturore dhe përmirësimi i kushteve të klubit. Vetëm pas përfundimit të fazës më të rëndësishme të punimeve do të merret vendimi për grumbullimin dhe nisjen e përgatitjeve të ekipit për sezonin e ardhshëm.
Ledion Qoshku-PANORAMASPORT.AL













