Skuadra e Kategorisë së Dytë zgjeron stafin, vjen nga Kosova një përgatitës atletik
Kur po afron fundi i sezonit 2023-2024, te Pogradeci zgjerohet stafi teknik. Ka ardhur nga Kosova një Ylli Bakaj, i cili është përgatitësi atletik dhe videoanalist. Ai është një njohje e vjetër e Samuel Nikajt dhe duket se ka ardhur për t’i dhënë një dorë për fazën “play off”.
Shkodrani ka bashkëpunuar edhe në Kosovë, kur drejtonte Lirinë e Prizrenit dhe Vushtrinë. Në fakt kosovari i ka dhënë një dorë pogradecarëve edhe në javët e fundit. Ai ka qenë thuajse në çdo ndeshje i pranishëm, duke kryer video-analizat.
Tani ama, vjen me kohë të plotë. Bakaj është bashkuar me Pogradecin në stërvitje dhe do të jetë në vazhdim së bashku me Nikajn në ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë nga ana tjetër, liqenorët pritet të udhëtojnë drejt transfertës së Tepelenës me skuadrën e dytë dhe disa të rinj nga akademia, por sërish ata kërkojnë që të marrin maksimumin e pikëve në dy javët e mbetura edhe pse pista e vendit të parë ka rënë. Vetë Samuel Nikaj ka kohë që është përqendruar te faza “play off” dhe është dorëzuar prej kohësh në luftën me Elbasanin për kreun.
REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"