Skënderbeu një llogari e hapur për Dinamon, Behiratçe: Barazimi në derbi na hapi rrugën
Bashkë me trajnerin Mehmeti doli në konferencë edhe mbrojtësi Zhoselin Behiratçe. Ai foli për ndeshjen e fundit dhe atë që luhet sot ndaj Skënderbeut. Nga ndeshja e parë në Korçë mbrojtësi ka një kujtim të hidhur, sepse shkaktoi autogolin që vendosi rezultatin, kështu që nesër do të ketë një motivim ekstra për të shkuar te fitorja.
“Atmosfera pas derbit me Tiranën është mjaft pozitive. Kishim nevojë për pozitivitet dhe për ta filluar gjithçka nga zero. Kemi nisur të punojmë me më shumë besim, ai barazim mendoj se na ka hapur rrugën dhe ne tani duhet të jemi të zotët ta vazhdojmë këtë rrugë. Skënderbeu llogari e hapur për mua? Janë pak të gjitha ndeshje me llogari të hapura për mua. Bazohem te detajet dhe punoj për detajet.
Ndeshja me Skënderbeun është një ndeshje e rëndësishme së pari për skuadrën dhe pastaj edhe për mua. Duhet të punoj shumë pas gabimit që kam bërë në Korçë. Është një ndeshje që duhet përballuar si gjithë të tjerat”, theksoi Behiratçe.
STAFET – Më tej, i pyetur për diferencën mes stafeve teknike, mbrojtësi i bluve u shpreh: “Një trajner stërvit në një mënyrë, një tjetër në një mënyrë tjetër. Ne lojtarët duhet të përshtatemi me trajnerin që vjen, nuk ka rëndësi se kush do të jetë dhe si ai stërvit. E rëndësishme është si luajmë ne në fushë, është Di Biaxho apo Mehmeti, rëndësi ka që Dinamo të ecë përpara.
Nuk mund të bëjmë dallime. Ne të gjithë e dimë kush është Di Biaxho dhe sa rëndësi ka emri i tij, por natyrisht duhet kuptuar se kampionati shqiptar është një kampionat që duhet ta njohësh, duhet të dish si duhet të përballosh çdo ndeshje. Nuk kam asgjë për të thënë për aspektin taktik apo psikologjik. Të gjithë ne lojtarët, kur dëgjojmë emrin e Di Biaxhos, kemi një motivim më shumë, por pastaj duhet ta vendosh motivimin në fushë. Nëse nuk e bën, nuk ndryshon shumë se kush është trajneri. Duhet të punosh dhe të shkosh deri në fund”, përfundoi mbrojtësi.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"