Skënderbeu në vendin e fundit, Gjoka bën “psikologun” për lojtarët
Nga vendi i fundit i renditjes korçarët do të kërkojnë me çdo kusht rikthimin te rezultatet pozitive në sfidën e fundjavës me Bylisin. Ata duan të lënë pas krizën që po zgjat prej gjashtë javësh. Ajo që është më e rëndësishme të përmirësohet mbetet aspekti psikologjik i ekipit, që bllokon edhe lojën e tij. Kjo u pa qartë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, ku Skënderbeu nuk prodhoi thuajse asgjë në fushë dhe pësoi një humbje të merituar.
Në kushte të tilla trajneri Ernest Gjoka po përpiqet të imponojë te lojtarët e tij mentalitetin e tij të lojës, por edhe të përmirësojë gjendjen mendore të skuadrës, duke u kthyer në rolin e psikologut. Pikërisht një gjë e tillë ka disa ditë që ndodh në juglindje, me analiza për 30-40 minuta, ku trajneri u kërkon të tijve të kontrollojnë emocionet në fushë dhe të mos mendojnë në asnjë moment për renditjen dhe mungesën e fitoreve për shumë javë. Veç kësaj, numri 1 i stolit korçar synon që liderët e skuadrës të marrin mbi supe peshën më të madhe të presionit dhe të mos i “lënë në baltë” më të rinjtë. Për këtë trajneri kryeqytetas do që eksperienca e futbollistëve më të vjetër të vihet në punë, me qëllim që të kalohet sa më herët ky moment negativ.
MUNGESAT – Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo periudhë e vështirë që po kalon ekipi, stafi teknik duhet të përballet edhe me mungesa të rëndësishme në një sfidë delikate, siç është kjo e radhës me Bylisin rival direkt. Përveç Nikajt, i cili do të kthehet në 2025-ën për shkak dëmtimi, mungon këtë javë edhe Albi Doka për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias. Në anën tjetër, ka edhe dilema të tjera sa i përket gjendjes së lojtarëve.
Kapiteni Elvis Prençi, edhe pse ka javë që është bashkuar me grupin, nuk është ende gati për të nisur ndeshjen nga minuta e parë. E njëjta gjë vlen edhe për Jurin dhe Balajn, dy lojtarë që kanë pasur shqetësime fizike gjatë këtyre ditëve, çka e bën edhe më të vështirë situatën për trajnerin Gjoka. Ai duhet të shpresojë në rikuperim e plotë të lojtarëve me probleme fizike deri të shtunën, kur do të luajë përballë Bylisit në Korçë. Skënderbeut i duhet patjetër fitorja, barazimi do të ishte si humbje, duke pasur parasysh pozicionin në renditje dhe krizën e rezultateve.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"