S’ka më “degdisje”/ Elbasani do të luajë në stadium, ja prapaskenat
Në tetor të vitit 2014 stadiumi i vjetër “Ruzhdi Bizhuta” iu nënshtrua një rikonstruksioni thuajse të plotë, pas financimit të qeverisë shqiptare, Bashkisë së Elbasanit dhe FSHF-së. Nëpërmjet një marrëveshjeje të bashkisë dhe federatës, u vendos që kjo e fundit të mbajë në përdorim stadiumin. Që nga ajo kohë dhe deri më sot, “Elbasan Arena” menaxhohet prej institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Gjatë kësaj periudhe, kur ekipi i vjetër KF Elbasani ishte ende aktiv, nuk u lejua të luante në këtë impiant, por degdisej sa në një stadium në tjetrin. Ndryshe u veprua me AF Elbasanin. Disa nga ndeshjet e Kategorisë së Dytë i ka zhvilluar në këtë stadium, duke u vënë në zbatim edhe kontrata midis palëve, që në stadiumin e qytetit, skuadra që përfaqëson Elbasanin të luajë sfidat si pritëse dhe pa pagesë.
Mësohet se edhe në Kategorinë e Parë “Elbasan Arena” do të jetë fusha e AF Elbasanit, tanimë me kohë të plotë dhe të gjitha takimet do t’i luajë aty, edhe pse është ende nën menaxhimin e federatës. Sakaq, burime të gazetës pohojnë se deri në vitin 2025, kur të mbarojë edhe sezoni futbollistik, do të jetë FSHF-ja që do ta ketë ne menaxhim dhe më pas do ta marrë nën administrim Bashkia e Elbasanit.
Edhe pse ka një tentativë nga ana e FSHF-së për të zgjatur kontratën e përdorimit, gjasat janë që institucioni vendor të mos e shtyjë më dhe ta marrë vetë në përdorim impiantin.
Deri tani stadiumi i Elbasanit është kthyer në “strehën” e shumë ekipeve, që nuk kanë pasur stadium dhe të gjitha të ardhurat kanë shkuar në arkat e federatës. Por, pas vitit 2025 duket se “Odiseja” me këtë impiant do të marrë fund dhe do t’i kalojë Bashkisë së Elbasanit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"