Situatë shqetësuese te Vllaznia, një nga sulmuesit mungon 1 muaj. Probleme ka edhe Kahrimanoviç
Pas ndeshjes miqësore kundër Laçit ditën e shtunë, Vllaznia ka qëndruar për dy ditë pushim.Lojtarët kuqeblu janë lejuar nga ana e trajnerit Tomas Brdariç të shijojnë të qetë ditën e diel dhe të hënë, duke qenë se skuadra nuk ka zhvilluar asnjë seancë stërvitore në 48 orët e fundit. Stafi teknik ka vendosur në këtë mënyrë të çlodhë disi futbollistët pak ditë para ndeshjes së parë të kampionatit. Shkodranët do t’i kthehen sot fushës stërvitore, duke nisur përgatitjet për ndeshjen me Partizanin në kryeqytet.
DËMTIMET – Stafi teknik ka probleme serioze me disa lojtarë, të cilët janë të dëmtuar dhe do të mungojnë për disa javë, duke humbur kështu jo vetëm ndeshjen debutuese të kampionatit me Partizanin. Një situatë vërtet shqetësuese për stafin teknik kuqeblu, duke ditur që bëhet fjalë për lojtarë titullarë, si Gruda apo Kahrimanoviç. Për sulmuesin Ildi Gruda është e konfirmuar se do t’i mungojë Vllaznisë edhe një muaj, kështu që trajnerit Tomas Brdariç i duhet të vendosë për lojtarin që do të zëvendësojë shkodranin në formacion. Një tjetër shqetësim i madh për trajnerin gjerman është mesfushori Amir Kahrimanoviç, i cili doli i dëmtuar nga fusha në miqësoren me Laçin. Nuk ka ende një diagnozë për dëmtimin e tij, por gjasat janë që ai të mungojë disa javë për kuqeblutë. Mesfushori i ardhur në skuadër në merkaton e verës është piketuar si një titullar me peshë te shkodranët. Duke shtuar këtu edhe dëmtimet e mbrojtësve Bajrami dhe Jago, Vllaznia e pret ndeshjen me Partizanin me mungesa të rëndësishme, që kushtëzojnë zgjedhjet e stafit teknik. Gjithsesi, shkodranët shpresojnë për një debutim pozitiv në kampionat në “Arena e Demave”.
FORMACIONI – Nga sa u pa në ndeshjen me Laçin, në të majtë të mbrojtjes ndaj Partizanit mund të luajë Qato, i cili është mesfushor qendre, por do të sakrifikojë për skuadrën. Prapavija pritet të plotësohet me Juriç, Stojanoviç dhe Gurishtën. Në mesfushë, në mungesë të Kahrimanoviç, trajneri Brdariç pritet t’i besojë nga minuta e parë treshes së përbërë nga Krymi, Alivoda dhe Deliu. Pak më problem është sulmi, saktësisht lojtari i tretë që do të plotësojë këtë repart bashkë me kapitenin Balaj dhe Malën. Në mungesë të Grudës, trajneri Brdariç duhet të zgjedhë një lojtar dhe ndoshta shanset më të mëdha i ka i riu Dodaj.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"