Situatë kaotike/ Rrogat problem, skuadra e Kategorisë së Dytë katandiset me 9 lojtarë në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 23:23

Situatë kaotike/ Rrogat problem, skuadra e Kategorisë së Dytë katandiset me 9 lojtarë në stërvitje

Sopoti ka zhvilluar këtë sezon një kampionat për t’u admiruar, teksa është ende në lojë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë përmes fazës “play off”.

sOPOTI

Aktualisht skuadra librazhdase pozicionohet në vendin e tretë në Grupin A (me pikë të barabarta me Veleçikun), me katër pikë më pak se kryesuesit e Vorës, që kanë siguruar ngjitjen direkte dy javë para fundit, duke qenë se Sopotit dhe Veleçikut u kanë mbetur të luajnë vetëm nga një ndeshje dhe nuk e kapin dot (një javë e kanë pushim në bazë të kalendarit).

Mirëpo, së fundmi situata financiare e klubit duket se është kthyer në çështje në Librazhd. Lojtarët po reagojnë duke mos marrë pjesë në seancat stërvitore. Në ditët e fundit, trajneri Shkëlqim Lleshanaku është detyruar të zhvillojë stërvitje me vetëm me 9 lojtarë të pranishëm.

“Panorama Sport” ka siguruar një foto të seancës së fundit, ku në stadiumin e Librazhdit shihen vetëm nëntë lojtarë, duke krijuar një imazh të trishtueshëm, për më tepër që skuadra është ende brenda objektivit sezonal.

SOPOTIIII

Gjysma e lojtarëve që mungonin janë justifikuar se kanë gjendje gripale apo probleme personale. Por, duket se problemet me pagat janë arsyeja kryesore e neglizhencës së futbollistëve për t’u mos u paraqitur në stërvitje.

Disa dieta të pamarra në transfertat e fundit dhe moslikuidimi i pagave të muajit mars të një pjese të lojtarëve, ka sjellë një situatë aspak të favorshme. Më 6 maj Sopoti do të luajë ndeshjen e fundit për këtë kampionat ndaj Valbonës në transfertë.

LEDION QOSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"