Situatë e tensionuar për kundërshtarin e Shqipërisë në Europian, Spaleti: Nuk do të doja kurrë të isha në këtë pozicion
Në prag të mini turneut në Amerikë, Italia u grumbullua në Romë ku zhvilluan seancën e parë stërvitore në orën 16:00 në Qendrën Përgatitore Olimpike “Giulio Onesti”. Trajneri i “Azzurrve” doli në një konferencë për shtyp, pak pas përfundimit të seancës stërvitore, ku u pyet në lidhje me çështjen Açerbi.
“Nuk do të doja kurrë të isha në këtë pozicion këtu, por ne kemi përgjegjësinë e një sporti shumë të rëndësishëm për kombin tonë. Dhe, duke pasur parasysh atë që ka dalë, ne duhet domosdoshmërisht të veprojmë, edhe pse gjërat nuk janë sqaruar ende. Nga sa më tha Françesko, nuk ka asnjë incident racizmi. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm për sjelljet tona, gjithçka që bëjmë dhe themi.”
Më pas ish-trajneri i Napolit u pyet për lënien jashtë grumbullimi të Çiro Imobiles, ku shtoi:
“E di që është një futbollist i rëndësishëm në vitet e fundit, për Lacion dhe kombëtaren. Ai po kalon një moment ku nuk mund të shprehë potencialin e tij të plotë dhe unë duhet t’i marr të gjithë në konsideratë.”
Italia do të përballet në Amerikë me Venezuelën dhe Ekuadorin, dy ndeshje miqësore që do t’i përgatisin kampionët në fuqi të Europës, për Kampionatin Europian që do të fillojë në qershor të këtij viti dhe ku rivale në grup kanë edhe Shqipërinë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"