Situata te Bajerni/ Frojnd me mision të vështirë, Kimish dhe Dejvis “minë me sahat”
Kristof Frojnd mori detyrën e drejtorit sportiv te Bajerni në datën 1 shtator, teksa pasoi të shkarkuarin Hasan Salihamixhiç. Edhe pse puna e 46-vjeçarit austriak është për t’u lavdëruar në eksperiencën te Salcburgu, brenda një kohe tepër të shkurtër ai do të përballet me detyrën e vështirë, bindjen e lojtarëve kryesorë të rinovojnë.
Myler, Nojer, Sane, Çupo-Moting apo Ulraish nuk kanë arsye specifike për t’i thënë jo vazhdimit të bashkëpunimit, situata merr të tjera nuanca në personazhet e lakuar në dritaren e transferimeve. Fjala është për Joshua Kimishin dhe Alfonso Dejvisin. Mbrojtësi kanadez është lidhur me kalimin te Reali dhe “galaktikët” janë gati të hapin “thesin” për 22-vjeçarin. Agjenti i kanadezit po ashtu e ka kërcënuar indirekt klubin se klienti i tij pëlqen zhvendosjen në Madrid.
Joshua Kimish u premtoi në fillim të këtij sezoni tifozëve se nuk do të lëvizë, por pa dhënë siguri në etapat pasuese. “Regjisori” i kampionëve është i lidhur me bavarezët deri në vitin 2025, sikurse edhe futbollisti që mbulon krahun e majtë nën urdhrat e Tomas Tuhelit. Barcelona shfaqi interesim konkret në merkaton e verës, por që gjeti reagim të ashpër nga bordi i rekordmenëve. Edhe Reali e ka në monitorim situatën e 28-vjeçarit gjerman.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"