SITUATA/ Rreshtimi si ekuacion, mësoni formacionet e mundshme të Partizanit dhe Teutës
Nuk ka pasur shumë kohë, por Partizani ka arritur të mbyllë dje përgatitjet për betejën sotme në orën 18:00 në stadiumin “Arena e Demave” kundër Teutës. Trajnerit Veselinoviç i janë rikthyer nga pezullimi dy lojtarë si Rrapaj dhe Bytyçi, teksa për të njëjtën arsye do të duhet të mungojë Mehmeti.
I dëmtuar vijon të jetë Hadroj, teksa pjesa tjetër e skuadrës janë tërësisht të gatshëm dhe në gjendje për të luajtur në 11-she. Pas ndeshjes së fundit kundër Skënderbeut, formacioni i Partizanit është bërë i vështirë për tu parashikuar, pasi emra si Kote, Keko apo Bintsuka kanë hedhur fort kandidaturën.
Në mbrojtje me shumë mundësi do të kthehet Bytyçi në të majtë, teksa nga e djathta këtë herë pritet Osmanllari. Në mesfushë kthehet Rrapaj, por ka një dyshim mes Taipit dhe Kotes, me këtë të fundit të avantazhuar. Edhe në sulm ka dyshim mes Bintsukës dhe Zekës, teksa pritet Cara titullar, pas “pushimit” në Korçë.
Ndërkohë sot ndaj Partizanit, Teutës do t’i mungojë Simeu, ndërsa Vila mbetet në dyshim deri në fund për shkak të një problemi fizik që ka pasur. Blutë kanë mbyllur dje përgatitjet për këtë sfidë, ku pas javëve të mira së fundmi, do të provojë t’i shkaktojë dëme edhe ekipit të kuq. Lajmi i mirë te blutë është rikthimi i të riut Arifi, i cili pritet të jetë i gatshëm në stol në këtë ndeshje. Sa i përket rreshtimit, pritet të jetë 3-5-2, si gjithnjë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"