Sinqeriteti i Kros: Bajerni kishte të drejtë, gjyqtari gaboi në ndeshjen e Ligës së Kampioneve
Historia e gjysmëfinales së kthimit në Ligën e Kampioneve në Madrid mes Realit dhe Bajernit të Mynihut nuk do të mbyllet dhe aq shpejt. Polemikat që ajo ndezi për një vendim të gjyqtarit anësor dhe më pas të kryesorit Marçiniak vazhdojnë të debatohen.
Madje nga protagonistë të fushës. Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, ka qenë i fundit që ka folur për vendimin e diskutueshëm të pozicionit jashtë loje në fundin e takimit. Një vendim që shkaktoi një “gol jo gol” nga ana e De Ligt, që mund të kishte barazuar rezultatin në 2-2 dhe ta dërgonte ndeshjen në kohën shtesë. Një histori pak a shumë e ngjashme me atë që ndodhi me Realin më 1 mars në Valencia, ku ishte skuadra e Ançelotit që u dëmtua.
Mbrojtësi i Bajernit barazoi në kohën shtesë, por disa sekonda para gjuajtjes së tij, gjyqtari Simon Marçiniak i kishte rënë bilbilit, pasi ndihmësi i tij kishte ngritur flamurin për një pozicion jashtë loje të dyshimtë. As asistenti dhe as arbitri nuk lejuan të vazhdonte loja, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e teknologjisë VAR. Kros nuk ka zgjedhur gjuhë të ndërmjetme. Gjermani i Realit ka deklaruar se vendimi i gjyqtarëve ishte i nxituar, duke mirëkuptuar dhe kritikat nga Bajerni.
“Ishte një vendim i gabuar. Gjyqtarët duhet ta kishin lënë lojën të vazhdonte dhe aksioni të përfundonte”, tha Kros në podkastin që drejton me vëllain e tij Feliks. “Unë mendoj se gabimi është kryesisht i asistentit – shtoi ai, sepse nëse ngre flamurin, arbitri e kupton që e ka parë qartë dhe beson se ndoshta ka pasur një pozicion jashtë loje të dukshëm”.
Mesfushori për këtë e kuptoi zhgënjimin e Bajernit me vendimin. “Zemërimi i tyre (Bajernit) është i justifikuar, sepse gjyqtarët duhet ta lejojnë vijimin e aksionit deri në fund, 100% dhe më pas të konsultohen me teknologjinë”, deklaroi Kros. Por mesfushori i Realit ka dhe mëdyshjet e veta, nëse në rast vazhdimi të aksionit lojtarët e ekipit të tij do të kishin qëndruar pasivë në lojë siç ka rënë në sy. “Kjo është diçka e vështirë për t’u parashikuar. Nuk e di nëse lojtarët tanë (Reali) kanë ndaluar së vrapuari, sepse ata kanë dëgjuar që në fillim vërshëllimën e gjyqtarit. Edhe nga fusha, por edhe nga pamjet dallohet që tensioni mes tyre u ul dhe kjo i dha mundësi De Ligtit që të shënonte”, tha Kros.
Në podkastin me vëllain e tij, Toni Kros ka folur dhe për jetën e tij në Madrid. Gjermani ka bërë një deklaratë që te tifozët e Realit është komentuar si një shenjë qëndrimi edhe për sezonin e ardhshëm. Kujtojmë se e ardhmja e 34-vjeçarit vazhdon të diskutohet prej muajsh me klubin spanjoll që po këmbëngul për rinovimin e tij.
“Unë jam shumë i lumtur në Madrid, e kam thënë gjithnjë këtë. Në Madrid kam gjetur një shtëpi të dytë pas Gjermanisë. Këtu ndihem shumë komod. Janë të shumtë njerëzit që dëshirojnë që unë të qëndroj këtu dhe kjo më bën të ndihem mirë”, theksoi ai. Ndërkaq, Kros ka folur dhe për finalen e Ligës së kampioneve, që për të do të ishte mbyllja ideale e një tjetër sezoni të mrekullueshëm me fanellën e bardhë.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"