SHTANGË/ Talenti Kofsha: Brezi aktual po perëndon, synoj titullin kampion bote

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2023 | 13:45

SHTANGË/ Talenti Kofsha: Brezi aktual po perëndon, synoj titullin kampion bote

Peshëngritësi nga fshati i Shtërmenit, Ertjan Kofsha, është pa diskutim talenti më premtues aktualisht në shtangën shqiptare. Vetëm 18 vjeç, Kofsha numëron 10 medalje ndërkombëtare, duke nderuar flamurin e Shqipërisë në evente të rëndësishme për moshat. Suksesi më i fundit i Kofshës, daton vetëm dy javë më parë në Kampionatin Europian për të rinj, aty ku rrëmbeu një medalje ari dhe 2 të bronzta.

ertjan kofsha

I dalë nga palestra e trajnerit të palodhur, Leonard Toska, peshëngritësi shtërmenas është e ardhmja e madhe e shtangës kuqezi, që aktualisht po kalon një moment negativ, pasi askush nuk ndodhet brenda normës për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kofsha ka komentuar garën e tij të fundit në Europian. Ai gjithashtu është folur edhe për të ardhmen, duke i premtuar besnikëri Shtërmenit, ndërsa ka komentuar edhe aktualitet në peshëngritjen shqiptare.

Ertjan, si e vlerësoni paraqitjen tuaj në Europianin e të rinjve në Bukureshtit?
Shkoi mirë për mua, duke marrë medalje ari në shkëputje dhe bronzi në shtytje dhe dy-garësh. Mund të arrija më shumë, por dy muaj më parë ndryshova peshën, duke garuar 89 kg dhe nuk i njihja rivalët në këtë peshë. Gjithashtu unë isha më i vogli në baterinë ku garova, pasi të tjerët ishin dy vite më të mëdhenj se unë me moshë. Gjithsesi jam i kënaqur për rezultatin e mirë dhe medaljet që mora.

Çfarë komenti keni për Shqipërinë që sot nuk ka asnjë peshëngritës brenda normës olimpike?
Më vjen shumë keq për këtë gjë, pasi gjithmonë kemi patur sportistë në peshëngritje në Lojërat Olimpike. Kjo gjë vjen pasi brezi i tanishëm nuk është në formën e duhur dhe sa vjen dhe po perëndojnë. Në Lojërat Olimpike pas katër vitesh, do të marr pjesë patjetër, do të bëj të pamundurën për t’ia dalë.

Cilat janë objektivat që i keni vënë vetes?
Si të gjithë sportistët e tjerë që duan të arrijnë majat, edhe unë dua të bëhem një peshëngritës shumë i madh. Premisat janë të mëdha, pasi deri tani po eci mjaftë mirë. Dhe kjo falë punës dhe përkushtimit në çdo seancë stërvitore, ku nuk i kam ndërprerë asnjë ditë përgatitjet me dy seanca në ditë. Objektivi i radhës është Kampionati Botëror për të rinj në Meksikë që do të mbahet në nëntor. Aty do të synojë të shpallem kampion, pra të fitoj medalje ari.

Do vazhdoni të qëndroni te ekipi i Shtërmenit? Keni patur oferta?
Unë jam rritur tek ekipi i Shtërmenit, pasi kam ardhur fëmijë në këtë akademi. Jam i vendosur më shumë se kurrë për të qëndruar dhe për mos tu larguar kurrë nga ky ekip. Oferta kam patur shumë nga ekipe të ndryshme, por i kam refuzuar të gjitha. Kështu që unë do të vazhdoj të qëndrojë tek Shtërmeni. Ndihem mjaftë mirë dhe mbështetja nuk më ka munguar asnjëherë, si nga trajneri, gjithashtu edhe nga bashkia.

Kujt ja dedikoni sukseset që keni arritur deri tani në karrierë?
Ja dedikoj të gjithë atyre që më kanë mbështetur. Familjes time, trajnerit Toska, Federatës së Peshëngritjes dhe Bashkisë Cërrik. Do vazhdoj ti bëjë të gjithë krenarë dhe të ngrejë sa më lartë flamurin shqipëtar.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"