Shtanga do… kofshë / Ertjan Kofsha merr 3 medalje në Europian, fiton 1 të artë dhe 2 të bronzta për moshat U-20
Peshëngritësi Ertjan Kofsha vijon serinë e paraqitjeve të shkëlqyera në garat ndërkombëtare, duke i dhuruar Shqipërisë medaljet e radhës. Suksesi më i fundit për talentin nga Shtërmeni vjen nga Kampionati Europian për U20 dhe U-23, event që po mbahet në Bukuresht prej datës 25 korrik.
Kofsha konkurroi dje në kategorinë e peshave 89 kg për grupmoshat U-20 dhe arriti të fitonte 1 medalje e 2 bronzi. 18-vjeçari Kofsha realizoi një garë fantastike përballë kundërshtarëve që ishin 1 apo 2 vite më të mëdhenj se ai në moshë.
Shtangisti shtërmenas, i drejtuar nga trajneri Leonard Toska, e filloi garën e djeshme në mënyrën më të mirë, teksa me rezultatin 153 kilogramë u shpall kampion në stilin e shkëputjes. Më tej ishte radha për stilin e shtytjes, aty ku peshëngritësi kuqezi ngriti me sukses 184 kilogramë, duke marrë medaljen e bronzit.
Ndërkohë me 337 kilogramë gjithsej në dygarësh, Ertjan Kofsha siguroi edhe një tjetër medalje të bronztë duke e ngjitur kështu flamurin shqiptar tri herë në podium, një herë në shkallën më të lartë dhe dy herë në shkallën e tretë.
Ndonëse jashtë zonës së medaljeve, në Europianin U-20 spikati edhe Enkileda Carja. Vetëm 15 vjeçare, ajo ka regjistruar rezultate shumë të mira në kategorinë e peshave 59 kg teksa ka shënuar 85 kg në shkëputje duke u renditur e pesta. 102 kg në shtytje, duke thyer edhe rekordin Europian për U-15, të cilin e kishte vendosur po vetë pak javë më parë.
Rezultat që e klasifikoi në vend të gjashtë në Bukuresht. Ndërsa me 187 kg gjithashtu e mbylli dygarëshin në vend të gjashtë. Rezultate të shkëlqyera këto, duke marrë në konsideratë diferencën me gati 5 vite në moshë me rivalet.
Një vend i gjashtë në shkëputje edhe për Samoel Rrasën me 117 kg në kategorinë e peshave 67 kg. Kështu Shqipëria e mbyll Europianin e moshave në Bukuresh me 1 medalje ari dhe 2 bronzi, të cilat mbajnë firmën dhe vulën e talentit nga Shtërmeni, Ertjan Kofsha.
FLET TRAJNERI – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” pas garës, trajneri Leonard Toska u shfaq shumë i kënaqur me rezultatin e Kofshës në Europianin U20.
“Jam shumë i gëzuar dhe i kënaqur gjithashtu, për këtë garë të mirë që bëri Kofsha. Me pak kujdese mund të arrinte të merrte medalje ari edhe në shtytje e dy garësh. Megjithatë jemi të kënaqur më paraqitjen dhe rezultat e arritur, duke parë që Ertjani ishte më i vogli në moshë në baterine ku konkurroi”, deklaroi trajneri Toska.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"