Shqipëria pa bombera, por e nderuan… ‘snajperat’. Ja 12 golat që i çuan kuqezinjtë në Europianin e Gjermanisë
Për herë të dytë në his torinë e saj Shqipëria është kualifikuar në Kampionatin Europian, me kuqezinjtë që kanë zhvilluar eliminatore të jashtëzakonshme, duke e mbyllur Grupin E në vendin e parë. Një kualifikim për në Gjermani që ka ardhur nga porta kryesore, pas ndeshjesh fantastike, të shoqëruara me gola spektakolarë. Një meritë të jashtëzakonshme në këtë arritje ka trajneri Silvinjo, i cili përveç harmonisë dhe frymës së grupit, ka ditur të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë karakteristikat e lojtarëve.
Pa një bomber të mirëfilltë, thuajse gjatë të gjithë fushatës së eliminatoreve, kjo edhe për shkak të dëmtimit të Armando Brojës, tekniku brazilian ka përdorur një tjetër strategji, duke shfrytëzuar “snajperat” e ekipit, me goditjet e tyre vrastare nga distanca. Magji, të cilat kanë pushtuar edhe faqen zyrtare të UEFA-s, me golat kuqezi të abonuar mes më të mirëve thuajse në çdo raund. Por, si kanë ardhur golat që e dërguan Shqipërinë në “Euro 2024”?
Nëse nga krahu majtë është bërë më tepër ajo “puna e padukshme”, me lojtarë që sakrifikojnë, duke zbatuar me përpikmëri çdo detyrë taktike, aksi i djathtë ka prodhuar magjitë, që kanë ngritur peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve. Perlat e Asanit, por edhe supergola të tjera nga Bajrami e Asllani, kanë ardhur shumica nga ky krah. Strategjia e Silvinjos e ka kthyer Shqipërinë në një makineri thuajse perfekte, një skuadër që funksionon më së miri, duke u marrë më të mirën lojtarëve.
Në grafik pasqyrohen të gjithë golat kuqezi në kualifikueset e Kampionatin Europian. 12 gola, duke nisur nga kryeveprat e Jasir Asanit, për të vijuar me radhë te “merimangat” e pastruara në trekëndësh nga Kristjan Asllani kundër Ishujve Faroe, goditja balistike e Nedim Bajramit në Pragë ndaj Çekisë, finalizimet e sakta në qendër të Taulant Seferit kundër Çekisë në Tiranë, finalizimi i atij aksioni fantastik nga Ernest Muçi në transfertën ndaj Ishujve Faroe, dhe duke përfunduar me golin e fundit nga pika e bardhë në Moldavi nga Sokol Cikalleshi.
ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"