“Shqipëria mahnitëse në Europian”, presidenti Taulant Stërmasi: Atletika ka yje, por s’jemi promovuar sa duhet
Disa ditë pas përfun dimit të Kampionatit Europian Ekipor, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ka komentuar paraqitjen e kombëtares kuqezi në eventin e zhvilluar në Poloni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i FSHA-së i konsideron mahnitëse rezultatet e Shqipërisë në Europian, me ekipin kuqezi që kishte një përmirësim të madh në raport me performancën e edicioneve të kaluara.
Ndonëse ende nuk ka bërë dy muaj në drejtim të federatës, Stërmasi ka nisur të lëvizë gurët, ndërsa zbulon për gazetën se tashmë janë mbyllur marrëveshjet për të nisur maratonat e para në qytete, ku do të fillohet me Shkodrën. Ai thekson se federata nuk është promovuar sa duhet, edhe pse është një “markë” e fortë me yje të sportit brenda. Presidenti i FSHA-së ka folur gjithashtu edhe për buxhetin, sponsorët, objektivat e radhës, si dhe për projektin e sportit në shkolla, me atletikën që do të përfshihet në vitin 2024.
Pak kohë më parë mbyllët garat në Kampionatin Europian Ekipor në Poloni. Si do ta vlerësoni përfaqësimin e Shqipërisë?
Në fakt jam shumë i kënaqur me Kampionatin Europian, pasi përfundimi ishte mahnitës për Kombëtaren tonë. Ishte hera e parë që Shqipëria u rendit në vend të 9-të nga 15 shtete, ndërsa vetëm për 1 pikë mund të ishim në vend të tetë. Kemi marrë 99 pikë më shumë se aktiviteti i mëparshëm, pra ka qenë vërtetë përfaqësimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë në Europianin Ekipor. Në një analizë që kemi bërë, nga viti 2009 që ka nisur si aktivitet dhe deri më sot, është paraqitja më e mirë për ne. Gjithashtu mbetet paraqitja më e mirë edhe me formatin vjetër. Ishte një kënaqësi e madhe që pashë një performancë të jashtëzakonshme nga i gjithë ekipi, i cili bëri maksimumin dhe nuk mund të kërkoja asgjë më tepër.
Deri ku mund të mbërrijë Shqipëria në Europianet Ekipore?
Kemi pretendime të mëdha për aktivitetin e radhës që do të jetë pas dy vitesh, ku do të kërkojmë të jemi patjetër mes 5 vendeve të para. Kemi nisur ta projektojmë që tani skuadrën, ndërsa do të kërkojmë që të përfaqësohemi edhe aty ku kemi pasur mungesa. Kemi nisur të kontaktojmë edhe sportistë shqiptarë që stërviten jashtë, ndërsa shumë shpejt do të kemi edhe trajnerë të huaj në ekipin kombëtar.
Ndonëse ishte viti me buxhetin më të ulët për atletikën, Shqipëria u përfaqësua me numër rekord sportistësh. Si arrini që t’ia dilni?
Sigurisht që ditën e parë kur u zgjodha president unë e dija situatën dhe buxheti ishte ai që ishte. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të lëmë sportin. Presidenti ka për detyrë që të lobojë fort që të gjejë fonde të tjera dytësore për të mbështetur federatën, sportistët, trajnerët dhe klubet me bazë materiale. Kam blerë me fondet e mia bazën materiale, ku i gjithë ekipi ka qenë i pajisur me uniforma Joma të vitit 2023. Një veshje që i dha edhe paraqitje dinjitoze të gjithë skuadrës edhe në mediat ndërkombëtare. Për sa i përket delegacionit, këtë herë ishte më i madhi, por në eventin e radhës do të shkojmë me akoma më shumë sportistë.
Sa e vështirë është për federatën që të gjeni partnerë apo sponsorë?
Të them të vërtetën nuk është e vështirë fare të gjejmë sponsorë. Kemi nisur kontaktet me partnerë të ndryshëm dhe shumë shpejt po finalizojmë 3- 4 kontrata sponsorizimi të federatës me partnerë kompani shqiptare që kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Sigurisht që secili sponsor ka kërkesat e veta, por ne jemi një markë shumë e mirë, pasi atletika është mbretëresha e të gjithë sporteve. Federata nuk është promovuar sa duhet, por do të fillojmë ta promovojmë në të gjitha format. Kemi yje të atletikës të të gjitha kohërave, Luiza Gegën, Izmir Smajlajn, Franko Burrajn, sportistë të nivelit botëror. Po flasim për atletë që kanë marrë medalje europiane, produkt që kompanitë shqiptare sigurisht që i vlerësojnë. Shumë shpejt këto marrëveshje do të finalizohen. Ndërkohë jeni shprehur se FSHA do të kërkojë shtrirjen e atletikës me maratona në çdo qytet… Masivizimi është gjëja më e rëndësishme që federata ka për detyrë dhe për këtë arsye kemi filluar lëvizjen në dy plane, ringjalljen e atletikës në çdo qytet të Shqipërisë, jo vetëm të atletikës si sporti që bëhet vetëm në pistë. Po flasim edhe për aktivitete që kanë lidhje me garat në rrugë të nxënësve të shkollave, në mënyrë që të kemi një aktivizim social, shëndet dhe sport nëpër qytete. Sigurisht që kur është mundësia të evidentojmë edhe talentet, sportistët e së ardhmes.
Keni bërë ndonjë hap konkret për këtë pjesë dhe kur mendohet që t’i kemi maratonat e para?
Kemi filluar kontaktet së pari me Bashkinë e Shkodrës, më pas do të vijomë me Korçën, Durrësin, Fierin dhe të gjitha qytetet kryesore. Në takimin që kam pasur me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, kam gjetur mbështetje të paparë dhe shumë shpejt do të kemi maratonën e qytetit në pranverë. Kështu do të jetë për të gjitha qytetet.
Kur pritet të futet edhe atletika në projektin e sportit në shkolla?
Paralelisht po presim që të përfshijmë atletikën në shkolla në projektin e Komitetit Olimpik, gjë të cilën e ka thënë disa herë edhe presidenti i KOKSH-it. Ne po bëhemi gati dhe po evidentojmë infrastrukturën sportive në çdo qytet dhe trajnerët e trajnuar në mënyrë që në vitin 2024 projekti të fillojë.
Cilët janë objektivat më të afërt për federatën?
Objektivat e federatës janë disa plane, ku përveç pjesë së masivizimit ka lidhje edhe me pjesën e cilësisë sportive dhe të shtimit të sportistëve cilësorë. Po luftojmë fort që të përmirësojmë kushtet e stërvitjes për sportistët shqiptarë, të plotësojmë infrastrukturën sportive duke nisur nga terrenet deri te baza materiale. Do të mundohemi që për sportistët më cilësorë të federatës të kemi grumbullime të herëpashershme jashtë vendit, sidomos në periudhën e dimrit, por edhe me grumbullime brenda vendit në periudhat dhe vendet më të përshtatshme për stërvitje.
Tashmë është radha e Kampionatin Ballkanik. Çfarë do të synojë Shqipëria në eventin që do të mbahet në Bosnjë-Hercegovinë?
Në Ballkanik kemi pritshmëri të mëdha me Luiza Gegën dhe Franko Burrajn. Luiza pretendon dy të arta dhe Franko të artë në 400 metra, por do të jetë në zonën e medaljeve edhe në 200 metra.
Më pas është radha e Botërorit…
Kur flasim për Kampionatin Botëror, Luiza është kualifikuar me normë, ndërsa për Franko Burrajn po luftojmë që të kemi një ftesë nga Federata Botërore. Luiza Gega do të synojë që të jetë pjesë e finales dhe me formën që ka aktualisht shpresojmë shumë që të futet në “top-5”. Për këtë gara e Ballkanikut do të na shërbejnë si një test për të parë gjendjen dhe të shpresojmë që në fund të gushtit të kemi një performancë të jashtëzakonshme në Botëror. Të them të drejtën mezi po pres që të vijë Botërori dhe të shikojmë Luizën për të dhënë më të mirën e saj si zakonisht. Po punon fort, po lodhet shumë dhe besoj që së shpejti do të kemi rezultate më të larta se rekordi që ka.
Kemi ndonjë zhvillim për sa i përket trajnerit të Luiza Gegës…?
Nuk është aq e lehtë që të gjesh trajner për Luizën, duke qenë se ajo është stërvitur shumë gjatë me mua. Jemi në diskutime, por sigurisht që ky vit ka mbaruar dhe po e mbështes unë parimisht për stërvitjen. Luiza është në limitet e veta të garave kështu që është shumë e rëndësishme që të mos ketë gabime në trajning. Për fat të mirë kemi mbështetjen e fizioterapistit nga Kuba që tashmë është pjesë e FSHA-së dhe po e suporton Luizën apo edhe sportistët e tjerë të Kombëtares. Është një fizioterapist cilësor i niveleve botërore për të rikuperuar atletët dhe për të dhënë maksimumin në stërvitje dhe në gara, i cili do të jetë pjesë e Shqipërisë qoftë në Ballkanik gjithashtu edhe në Kampionatin Botëror.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"