Shqipëria feston Euro 2024, por kombëtaret e moshave regjistrojnë bilance katastrofë në 4 ditë me goleada e eliminime
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka festuar këtë të premte një kualifikim për herë të dytë në fazën finale të një Europiani. Padyshim një arritje dhe konfirmimi i punës së një projekti fitues. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes për futbollin tonë, pasi po të shohësh kombëtaret e moshave, tabloja që ato kanë shfaqur në këto ditë është e errët.
Kombëtaret U21, U19 dhe U17 kanë zhvilluar në katër ditët e fundit në 5 ndeshje dhe bilanci ka qenë i tmerrshëm pasi janë humbur të gjitha me një golavarazh në total që regjistron 19 gola të pësuar e vetëm 2 të shënuar.
Kombëtarja U21 e cila shkonte në Rumani me objektivin për të luajtur për kualifikimin, është mposhtur keq me shifrat 5-0 në transfertë dhe nga kryesuese grupi tani ka rrëshqitur në vendin e tretë dhe me shanse të pakta për të vazhduar më tej për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi.
Kombëtarja U19, e drejtuar nga Ervin Bulku, në dy ndeshjet e saj në turin e parë të eliminatoreve të kësaj grupmoshe që zhvilloheshin në Shqipëri, është mundur 3-1 nga Irlanda dhe 2-0 nga Belgjika, në ndeshje të dominuara plotësisht nga kundërshtarët. Ndeshja e tretë ndaj Sllovenisë luhet për statistikë, pasi kuqezinjtë nuk kanë më shanse kualifikimi sido që të përfundojë ajo sfidë. Fakti që këtë tur e kanë kaluar Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Z, Serbia dhe Kroacia, duhet të bëjë të mendohet institucionin që drejton futbollin në vendin tonë.
Edhe Kombëtarja U17 është e eliminuar që pas dy ndeshjeve të para të grupit kualifikues, ku është mundur 3-0 nga Portugalia dhe 6-1 nga Çekia. Ndeshja e fundit ndaj Malit të Zi do të jetë për skuadrën e Ardi Beharit një mundësi për të treguar se ku është të paktën në krahasim me vendet e rajonit.
NDESHJE ZYRTARE TË MOSHAVE
Rumani U21-Shqipëri U21 5-0
Irlandë U19-Shqipëri U19 3-1
Belgjikë U19-Shqipëri U19 2-0
Portugali U17-Shqipëri U17 3-0
Çeki U17-Shqipëri U17 6-1
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"