Shpërthim në makinën e portierit të Tiranës. Sejdo: Asnjë konflikt, nuk dyshoj tek askush

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2014 | 13:31

Shpërthim në makinën e portierit të Tiranës. Sejdo: Asnjë konflikt, nuk dyshoj tek askush

skene-krimi-300x175Një shpërthim ka alarmuar dje skuadrën e Tiranës. Rreth orës 17:00, teksa ekipi po zhvillonte seancën stërvitore të pasdites në kompleksin “Skënder Halili”, makina e portierit të tretë të bardhebluve u dëmtua pas vendosjes së një lënde plasëse. Në kohën kur ndodhi shpërthimi, makina tip “Benz CLS”, në pronësi të Xhino Sejdos, ishte e parkuar para vendit ku po kryhej stërvitja, ndërsa pronari i automjetit po stërvitej. Mësohet se persona të paidentifikuar kanë hedhur një shashkë në makinën e portierit dhe, fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar.
Policia Menjëherë sapo u dha njoftimi për ngjarjen në sallën operative të Policisë, në vendin ku ndodhi shpërthimi kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6, si dhe ekspertë nga Drejtoria e Tiranës, që kanë administruar provat. Mjeti ishte dëmtuar shumë pak vetëm në pjesën anësore të tij, ndërsa nga ajo çka dallohej me sy të lirë, prej shpërthimit ishte dëmtuar edhe betoni, ku qe krijuar dhe një gropë e vogël. Mësohet se lënda shpërthyese ishte vendosur poshtë mjetit. Autorët kanë përfituar edhe nga errësira dhe prania e shumë tifozëve në ambientet e kompleksit dhe janë larguar. Ndërkohë Sejdo, i cili qëndroi deri në orët e vona në vendin e ngjarjes, gjatë kontaktit me “Panorama Sport” e tha hapur se nuk ka asnjë dyshim, si dhe nuk ka pasur konflikte me askënd.
Hetimet Mësohet se policia ka marrë në pyetje disa persona, të cilët kanë qenë kalimtarë të rastit në momentin kur ndodhi ngjarja, por ata janë shprehur se nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë në zonën përreth. Policia dhe ekspertiza kanë qëndruar gjatë në vendngjarje dhe nuk lejonin askënd që të afrohej, pasi ishin duke kryer procedurat përkatëse për këtë rast. Sakaq, nga sa mësohet prej burimeve, janë shoqëruar disa banorë të zonës përreth, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Megjithatë, deri në këto momente, autorët që kanë kryer këtë sulm mbetet ende të paidentifikuar.

SejdoSejdo: Asnjë konflikt, s’dyshoj tek askush
Xhino Sejdo ka mbetur i tronditur nga kjo ngjarje. Portieri i tretë i Tiranës ende nuk ka një ide të qartë se kush ia ka vendosur atë lëndë plasëse në makinën e tij, tip “Benz CLS”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, në vendin e ngjarjes, lojtari i bardhebluve ka rrëfyer variantin e tij. Nuk ka kurrfarë dyshimi për askënd dhe thekson se nuk ka pasur asnjë konflikt së fundmi. Madje, nuk nguron që të bëjë një apel për personin e paidentifikuar ende, që të mos fshihet pas këtyre akteve, por të ballafaqohet drejtpërdrejtë me të.
Xhino, çfarë ndodhi?
Nuk di çfarë t’ju them. Ishim duke u stërvitur dhe dëgjuam një shpërthim.
Kur ndodhi ekzaktësisht ky shpërthim?
Afro gjysmë ore pasi kishim nisur stërvitjen e pasdites. Filluam në orën 16:30 dhe fiks pas gjysmë ore, konkretisht në 17:00, dëgjuam një zhurmë dhe u ndalëm për të parë. Këtë seancë po e zhvillonim te fusha sintetike, ndërkohë që makinën e kisha parkuar si gjithë të tjerat poshtë, afër portës kryesore.
Çfarë menduat në ato momente?
Ishte zhurmë realisht e madhe në fakt dhe u alarmuam që të gjithë. Si unë, edhe pjesa tjetër e lojtarëve, menduam se mos shpërtheu ndonjë gomë e ndonjë makine apo kamioni që kalonte aty pranë në rrugë.
Më pas e kuptuat që ishte makina juaj?
Jo direkt. Pasi pamë që po dilte tym në një prej makinave tona të parkuara, e kuptova që kishte një problem, por jo me makinën time. Më tej, pasi shkuam për të parë se përse bëhej fjalë, e kuptova që ishte makina ime.
U frikësuat?
Sigurisht, edhe në moment u ndjeva i habitur, sepse nuk e kuptova se çfarë po ndodhte.
E vijuat stërvitjen?
Jo, jo. Pjesa tjetër e skuadrës vazhdoi përgatitjet, ndërsa unë qëndrova këtu, derisa erdhi policia dhe ekspertiza.
Keni informacion mbi lëndën që e krijoi atë shpërthim?
Nuk dihet ende në fakt. Disa thonë kapsollë dinamiti, të tjerë ndonjë fishekzjarrë shumë i fuqishëm. Derisa ka bërë gjithë atë gropë, nuk mendoj se ka qenë ndonjë shashkë.
Keni ndonjë ide se kush mund të fshihet prapa kësaj?
Jo. Madje, tani po e vras mendjen për të kuptuar edhe unë vetë se çfarë ndodhi, apo se kush e vendosi. E kanë me mua, apo mund të jetë ngatërruar person? Kam shumë mëdyshje në mendje, nuk di të them më shumë.
Keni ndonjë konflikt?
Nuk kam asnjë konflikt me askënd, ndaj më vjen habi.
Po ndonjë dyshim?
Jo, absolutisht. Madje më kanë pyetur të gjithë në lidhje me këtë, por nuk jap dot emra, pasi s’kam kurrfarë ideje. Unë jam futbollist dhe vij të stërvitem, kaq.
Çfarë dëmi ka pësuar makina?
Dëmtim i lehtë, ndonëse s’e kam provuar ende ta ndez, që të kuptoj nëse ka probleme të tjera apo jo.
Diçka për të shtuar keni?
Nëse ka diçka dikush me mua, mund të vijë edhe të ma thotë hapur në sy dhe jo të veprojë kështu, duke dëmtuar pronën e tjetrit. Thjesht të vijë dhe të ballafaqohet me mua. Do të ishte më e drejtë. Mos të fshihet pas këtyre akteve, të cilat nuk janë aspak të këndshme.

Kush është Xhino Sejdo
Xhino Sejdo është vetëm 22 vjeç dhe prej gati tri sezonesh është pjesë e skuadrës së Tiranës. Megjithatë, hapësirat për këtë lojtar kanë qenë gjithnjë të pakta, teksa aktualisht është vetëm portieri i tretë i bardhebluve. Ai ka luajtur për këtë edicion vetëm në dy takime, konkretisht ndaj Laçit dhe Lushnjës, dhe në total është aktivizuar vetëm 180 minuta. Lojtari, i cili ka dalë nga akademia e skuadrës së Romës, në moshë fare të vogël ka ardhur në kryeqytet për t’u aktivizuar te Partizani. Më tej ka pasur edhe një përvojë të shkurtër në Peqin, teksa ka veshur fanellën e Shkumbinit.

Ilion Lika“Sejdo, person i qetë dhe aspak problematik”
Ilion Lika e cilëson Xhino Sejdon si një person të qetë dhe aspak problematik, si dhe të përkushtuar në punën e tij. Sipas zv.kapitenit të Tiranës, lojtari asnjëherë nuk krijon probleme. I kontaktuar nga “News24”, portieri i bardhebluve ka rrëfyer se Sejdo, në momentin që ndodhi shpërthimi ishte duke u stërvitur bashkë me pjesën tjetër të grupit. “Nuk ishte tritol, flitet për një shashkë, një kapsollë si ato që hidhen nëpër festa, por ishte pak më e fuqishme. Ngjarja ka ndodhur në momentin që po zhvillonim seancën e dytë përgatitore te ‘Skënder Halili’. Sejdo, ashtu si të gjithë të tjerët po stërvitej, në moment u ndie një zhurmë e madhe. Fillimisht nuk u kuptua se çfarë ishte, por më pas mësuam se vinte nga makina e Sejdos. Nuk di çfarë t’ju them më shumë”, – deklaroi fillimisht Lika, i cili sqaron se Sejdo nuk është person konfliktues. “Është një person i qetë dhe jo problematik. Nuk përfshihet në zënka. Ai zhvillon stërvitjen si pjesa tjetër e ekipit, pa krijuar probleme. Ndaj, nuk di t’ju them se çfarë ndodhi dhe kush e ka bërë”, – përfundoi Lika, duke treguar versionin e tij në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në stërvitjen e skuadrës bardheblu.

policia3Policia: Nuk ishte eksploziv, por vetëm një kapsollë
Ky shpërthim, që fillimisht u dyshua të ishte kryer nga aktivizimi i një sasie eksplozivi, ndodhi mbrëmjen e djeshme në makinën e një prej futbollistëve të ekipit të Tiranës. Por, me mbërritjen e ekspertëve dhe grupit hetimor në vendin e ngjarjes, u mësua se tek automjeti, në pronësi të Xhino Sejdos, portier i tretë i ekipit, ishte hedhur një kapsollë, e cila kishte dëmtuar vetëm një pjesë të mjetit. Vetë policia nuk ka dalë në një komunikatë zyrtare për shtyp, megjithatë pas një bisede telefonike zëdhënësja për mediat deklaroi se: “Nuk ka qenë eksploziv, por vetëm një kapsollë. Makina e portierit të Tiranës ka pësuar vetëm disa dëme të vogla materiale”. Menjëherë sapo është dhënë njoftimi në sallën operative të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6, por edhe ekspertë nga Drejtoria e Tiranës, të cilët kanë administruar provat. Pronari i automjetit, Xhino Sejdo, pasi është marrë në pyetje, ka deklaruar se nuk ka probleme me njeri. Nga ana tjetër, janë pyetur edhe disa persona, të cilët kanë qenë kalimtarë të rastit në momentin kur ndodhi shpërthimi, por janë shprehur se nuk kishin parë asgjë të dyshimtë në zonën përreth. Policia tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa ka shoqëruar disa banorë të zonës përreth, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

KahataPasaporta në lavatriçe, Kahata humb vizën
Tre të huajt do të udhëtonin së bashku drejt Kosovës, por vetëm dy prej tyre janë nisur dje drejt Prishtinës. I vetmi që mbeti në kryeqytet është Francis Kahata. Mesfushori kenian pa dashje kishte futur në lavatriçe pasaportën e tij dhe, për pasojë, nuk ka mundur dot që të mbyllë procedurat e vizës, ashtu si dy lojtarët e tjerë të ekipit. Dje ai ishte në stërvitje, edhe pse ishte paralajmëruar se do të mungonte për shkak të këtij udhëtimi. Por, ndryshe nga Ndikumana dhe Gilberto, të cilët dje janë marrë me çështjen e vizave të tyre, Kahata ka mbetur pezull i letërnjoftimit të tij, i cili u la në lavatriçe bashkë me rrobat. Tashmë kenianit i duhet që të rinovojë pasaportën dhe, vetëm pasi t’i dalë e reja, të vijojë procesin e lënë përgjysmë të vizës. Kjo gjë e ka mërzitur lojtarin, duke qenë se nuk do të mund dot të lëvizë nga Shqipëria, qoftë për ndonjë vizitë të shkurtër në Kenia, apo që të paraqitet në grumbullime me përfaqësuesen e vendit të tij, nëse do të kenë. Nga sa mësohet, ai shumë shpejt do të deklarojë se pasaporta i është lagur totalisht, duke u dëmtuar ndjeshëm dhe dalë jashtë funksionit. Dhe vetëm më pas Kahata do të mund ta rinovojë atë, procedurë kjo që do të kushtojë disa kohë. Megjithatë, lajmi i mirë për mesfushorin është rikuperimi i plotë i tij. Këtë fundjavë ai pritet të jetë në formacion kundër Laçit. Lojtari e ka kaluar totalisht problemin në kofshë, ndaj do të jetë plotësisht në dispozicion të trajnerit Magani dhe Tiranës.
ADELA MERKO