Shkurtaj merr “për dore” Flamurtarin kundër Korabit. Agostineli: Shpejt për llogaritë. Canaj: Po vuajmë në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 13:21

Shkurtaj merr “për dore” Flamurtarin kundër Korabit. Agostineli: Shpejt për llogaritë. Canaj: Po vuajmë në mesfushë

Flamurtari bën një hap të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 2025-ës. Kuqezinjtë e Andrea Agostinelit triumfuan me rezultatin 3-0 kundër Korabit. Dy golat e Vasil Shkurtaj, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer duke treguar se e ka lënë pas dëmtimin, si dhe një i Selimit i dhanë tri pikët vlonjatëve.

FLAMURTARI ME SHKURTAJN

Flamurtari ka dominuar në çdo drejtim, ku debutuan me sukses dy afrimet e merkatos, Stivian Janku dhe Alesandro Ahmetaj. Italiani Agosteneli i është rikthyer skemës klasike 4-4-2, ndërsa dibranët nuk ia dolën, edhe pse u përforcuar së fundmi.

PJESA E PARË – Epërsia e Flamurtari u duk që në start, ku në 8 minuta iu afrua dy herë portës së Qyranit me Shkurtajn dhe Oshafin. Ngulin këmbë vlonjatët edhe me Beqjan, por dibranët mbrohen saktë. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 11-të. Beqja kroson për Shkurtajn dhe sulmuesi me kokë nga 10 metra largësi e dërgon topin në rrjet në të djathtë të Qyranit. Provon Korabi me një rivënie anësore të Kurtit, por vlonjatët spastrojnë zonën. Shkurtaj është i pandalshëm, me aksione të herë pas hershme, ndërsa në ndihmë i vjen edhe Diavara, por Paplekaj largon rrezikun. Trashi shfaqet me krose të rrezikshme duke vendosur në vështirësi Qyranin. Loja zhvendoset në gjysmëfushën e Korabit dhe vlonjatët i afrohen disa herë portës duke kërkuar që të dyfishojë shifrat, ku rastin më të pastër e patën me Oshafin në të 37-ën me Oshafin, por në fund Qyrani zgjidh gjithçka. Pjesë e parë u dominua tërësisht nga Flamurtari dhe që u mbyll në shifrat 1-0.

PJESA E DYTË – Vlonjatët e nisin me një ndryshim në formacion dhe  shumë shpejt gjen edhe golin e dytë me autor Shkurtajn. Kapiteni Pjeshka fiton dyluftimin me Dishën dhe gjen të lirë Shkurtajn, i cili i pambuluar nga mbrojtja, nga një distancë e afërt shënon dhe 2-0. Tre minuta më vonë shpërdoron Oshafi, vetëm për vetëm me portierin mik, i cili shpëton portën nga një gol i sigurt. Kobian ia lë vendin debutuesit Ahmetaj. Flamurtari vijon epërsinë. Korabi ka një rast të mirë për të ngushtuar diferencën, por gjuajtja e fortë e Mziut prek traversën. Miqtë e kanë të vështirë të dalin në sulm dhe të rrezikojë portën e vlonjatëve, që janë të mirëorganizuar. Përpiqet edhe Paplekaj, por neutralizon Trashi. Në vijim Janku, Marku dhe Hasa vënë në vështirësi Korabin. Goli i tretë do të vinte në minutën e 84-të. Hasa me një top në zotërim, gjen në afërsi të portës Selimin, i cili e shtyn topin pa vështirësi në rrjet, gol që erdhi fiks 10 minuta nga hyrja në lojë e kosovarit duke zëvendësuar dhe marrë “bekimin” e Shkurtajt. Deri në fund nuk do të kishte më histori. Flamurtari do të merrte një fitore të rëndësishme që e shkëput tri pikë nga Besa e vendit të tretë dhe vetëm dy pikë larg Vorës kryesuese. Korabi mbetet sërish në zonën “e ftohtë”.

FLAMURTARI – KORABI 3-0

GOLAT: Shkurtaj 11’, 47’, Selimi 84’

FLAMURTARI: Kaloshi, Beqja (Hasa 74’), Bolanos, Janku, Trashi, Kobian (Ahmetaj 54’), D.Pjeshka, Murataj (Marku 46’), Diavara, Oshafi, Shkurtaj (Selimi 74’); (Në dispozicon: Frashëri, Fernando, Atanda, Allmuça). Trajner: Andrea Agostineli

KORABI: Qyrani, Kurti, Paplekaj, Disha, Lilaj (Ndreaj 72’), Andoni, Mziu, Stana (Buci 47’), Treni, Peralta (Muça 72’), Marku;(Në dispozicion: Alla, Hasaj, Sina, Lushtaku, Reçi, Tasho). Trajner: Agim Canaj

Karton i verdhë: Bolanos 50’

Gjyqtarë: S.Dyrmishi, R.Muzhaqi, D.Memelli (Elbasan)

Vëzhgues: Agim Guçe (Lushnjë)

Delegat: Arben Feshti (Durrës)

Vlonjatët

Agostineli: Fitore me vlera, është shpejt për llogaritë

Andrea Agostineli, trajneri i Flamurtarit është më se i kënaqur nga fitorja me Korabin. Për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, italiani u shpreh: “Tri pikë shumë të rëndësishme që vlejnë sa i përket aspektit teknik. Dua të komplimentoj të gjithë grupin e lojtarëve, edhe ata që hynë në pjesën e dytë bënë maksimumin”. I pyetur për barazimin e Besës 1-1 me Burrelin, ai me sinqeritet thotë, se është shpejt të bëhen llogaritë. “Është shumë shpejt për të bërë llogaritë. Ne duhet të shikojmë çdo ndeshje me kujdes. Duhet të bëjmë atë që kemi bërë deri tani”. Italiani foli edhe për ndeshjen e radhës me Pogradecin. “Ndeshja e radhës me Pogradecin është shumë e vështirë. Një betejë tjetër na pret, por do të shkojmë të përgatitur”, thotë Agostineli. Në fund të prononcimit trajneri italian foli edhe për merkaton në vazhdim. “Do të shohim sa i përket merkatos, do të flasim me klubin”, përfundoi trajenri i Flamurtarit.

Trajneri

Canaj: Po vuajmë në mesfushë, si vlonjat uroj Flamurtarin

Agim Canaj, trajner i Korabit, preferoi që në nisje të deklaratës  t’i bindet zemrës dhe të komentojë Flamurtarin si vlonjat. “Përpara se të flas si trajner i Korabit, dua që të flasë si vlonjat. Më vjen mirë që edhe në 2025-ën Flamurtari ka marrë lojtarë shumë serioz dhe këtë e tregoi në këtë takime. Flamurtari na vuri në vështirësi dhe rezultati ishte për ta, sepse luajtën më mirë se ne. Nuk po rigjejmë vetveten, sepse e kemi edhe pak të limituar merkaton. Do të mundohemi që deri në fund të janarit të afrojmë 2-3 lojtarë, sepse po vuajmë shumë në mesfushë, ku e humbasim topin shpejt dhe pësojmë golat. E filluam mirë, por nga një gabim pësuam golin e parë. Në pjesën e parë qëndruam dhe në të dytën për këto gabime u ndëshkuam. Kemi shumë probleme në ndërtimin dhe në mbulimin e kundërshtarit. Patjetër që rrezikojmë dhe renditja e tregon. Lufta është e ashpër dhe ndeshjet jashtë do të jenë shumë të vështira për ne”, tha trajneri Canaj për “Panorama Sport”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"