Shkëlqeu në Botërorin e Katarit, por klubi belg ndëshkon mesfushorin maroken… Zbulohet arsyeja!
Selim Amallah shkroi historinë me Marokun duke e mbyllur Botërorin në vendin e katërt. Mesfushori i Standard Liezh u aktivizua në shtatë ndeshjet që kombëtarja luajti në Katar.
Por shkëlqimi i tij është zbehur sapo është rikthyer në Belgjikë. Amallah nuk ka dëshiruar të rinovojë kontratën që i përfundon në qershor dhe kështu klubi e ka ndëshkuar duke vendosur ta dërgojë për të luajtur me ekipin U-21.
“Kemi vendosur të dërgojmë Selim Amallah dhe tre lojtarë të tjerë te moshat. Nuk do të bëjmë asgjë për të rritur vlerën e lojtarëve që do të largohen falas. Ne nuk do të bëjmë punën e pistë për skuadrat e tjera. Gjëja më e lehtë do të ishte t’i linim të luajnë, por do të bëhej një sinjal i rrezikshëm. Të pranosh që mund të vazhdosh të luash dhe pastaj të largohesh falas do të ishte vdekja e klubit”, është shprehur presidenti i Standard Liezh Pierre Locht.
PANORAMASPORT.AL