“Shijakasve u dhuruam golat, ekipi e ka fatin vetë në dorë”. Bubeqi: Humbja djeg, Besa e ka “sëmundjen” në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2025 | 12:04

“Shijakasve u dhuruam golat, ekipi e ka fatin vetë në dorë”. Bubeqi: Humbja djeg, Besa e ka “sëmundjen” në sulm

Humbja me Erzenin i ka djegur thuajse të gjithëve në ambientin futbolldashës kavajas, që janë ndarë në dy grupe. Një pjesë kanë “ngritur duart lart” mbi fatet e Besës, por mjaft të tjerë vijojnë të besojnë te skuadra dhe te e ardhmja e ekipit. Një ndër këta optimist   mbetet edhe ish-trajneri i Besës dhe shumë ekipeve, njëkohësisht golashënuesi i shquar kavajas, Dorjan Bubeqi.

qosja, bubeqi, bizhdili

Askush më mirë se ai nuk ia di vlerën golave të shënuar dhe efektin që ata kanë në një 90-minutësh. Fillimisht, Bubeqi për “Panorama Sport” u shpreh: “Sigurisht, askujt nuk i erdhi mirë për humbjen dhe besoj se më shumë i dhemb stafit dhe vetë lojtarëve. Ndodh kudo në futboll, edhe në Europë kemi parë ndeshje jo nga ekipe të mëdha. Vetëm se, Besa nuk çaloi në lojën e saj. Ishin rrethanat, më saktë gabimet fatale, ato që çuan në humbje. Po ashtu, sëmundje quaj edhe mosshënimin e golave. Është e pafalshme, bie fjala që edhe ndaj Erzenit, të gabosh në raste flagrante për më tepër t’ia dhurosh edhe golat. Që Besa ka problem në sulm, këtë nuk e them unë, por diçka që shihet. Këtë ‘sëmundje’ Besa e ka treguar edhe ndaj Pogradecit, Apolonisë, Lushnjës, kur i ka patur të gjitha treguesit në favor të saj, lojën, dominimin, rastet e pastërta për shënim, dhe ka dalë me 1 ose pa pikë.

Nuk është vetëm ndeshja me Erzenin, në të cilën duhet qëndruar kaq fort për ta kritikuar. Gjykoj se nuk duhet të mbetemi peng i asaj ndeshje. Në përvojën time jo të vogël si trajner, por edhe si futbollist, kam përjetuar disa herë ndeshje të tilla, kur fati të thotë ‘jo’”. Ndryshe nga disa kritikë, Bubeqi ndihet optimist dhe beson te ky grup, përtej të gjithave. Kur kanë mbetur edhe 14 javë për t’u luajtur, për trajnerin Bubeqi shanset janë aty dhe Besa e ka vetë në dorë reagimin. “Së pari, duhet ta them se Besa i ka luajtur të gjitha ndeshjet pastër dhe ndershëm, prandaj kemi edhe këto pikë sot. Sa për të ardhmen, nuk gjej arsye ta bëjmë dramë, pasi janë dhe 14 javë në dispozicion.

Grupi është po aty, forca dhe përbërja që Besa ka të jep garanci e siguri se në javët e shumta të mbetura duhet e mund të reagojë duke nisur nga ndeshja me Vorën. Personalisht jam optimist për Besën, se e dua dhe më djeg fati i saj, por edhe se realisht besoj te vlerat e këtij ekipi. Në fund të fundit, gjithçka mbetet në dorën e lojtarëve, që për hir të së vërtetës, janë trajtuar e po trajtohen në mënyrën më të mirë, si dhe me të gjitha kushtet që kërkon një futbollist. Prandaj, pres që Besa të reagojnë, pasi diferenca me Vorën e Flamurtarin nuk është as e madhe, por as të nënvlerësohet. Fatin e kanë në dorë vetë futbollistët, ndaj të gjithë kavajasit presim reagimin e tyre”, përfundon Bubeqi për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"