Shifrat e Elbasanit, bëhen të frikshëm pas minutës së 70-të
Edhe pse kanë kaluar vetëm tetë javë kampionat, mund të thuhet se është krijuar ideja për një skuadër dhe trendin që mund të ketë këtë edicion. Për Elbasanin, shifrat thonë se shënon dhe pëson pak, por mjaftueshëm për t’i dhënë pikë të rëndësishme në kampionat, që për momentin e mbajnë në rangun e ekipeve që synojnë “Final 4”.
Raporti është një gol i shënuar për ndeshje dhe nga ana tjetër, gjysmë goli të pësuar për ndeshje. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim minutave kur verdheblutë janë më efikasë për të dërguar sferën në rrjetë dhe atyre kur u duhet ta pësojnë. Sipas vëzhgimit, elbasanasit vuajnë në startin e sfidës, por pas minutës së 70-të bëhen të frikshëm dhe është momenti kur edhe arrijnë të fitojnë ndeshjen.
KUR SHËNOJNË
Sa i përket pjesëve, verdheblutë janë më efikasë në të dytën, ku kanë shënuar gjashtë përkundrejt dy golave në pjesën e parë. Nuk kanë asnjëherë një nisje të vrullshme, sepse golin më të shpejtë e kanë shënuar vetëm në minutën e 24-ët dhe më pas në të 30-ën, që përkojnë edhe me dy golat e vetëm të pjesës së parë.
Edhe nisja e fraksionit të dytë është e qetë, ku shënohet vetëm një gol në pesë minutat e para. Momenti kur skuadra arrin kulmin dhe që i kanë dhënë shumë pikë të frytshme janë 10 minutat midis asaj së 70-80, ku kanë dërguar plot katër herë topin në rrjetën kundërshtare dhe në fund ia kanë dalë të marrin pikë të vlefshme për klasifikimin.
KUR PËSOJNË
Nëse ekipi nuk është efikas për të shënuar në startin e lojës, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të pësuar. Më konkretisht, janë ndëshkuar dy herë në minutat 18-të dhe 25-të dhe gjysma e pjesës së parë shihet si më problematikja në këtë aspekt.
Sakaq, dy golat e tjerë i kanë pësuar pas minutës së 65-të, duke llogaritur edhe penalltinë ndaj Dinamos në fundin e lojës. Bilanci i pjesëve është i njëjtë, duke pësuar nga dy për secilën prej tyre. Edhe pse janë ndëshkuar me vetëm katër gola, ndoshta Bordin dhe lojtarët duhet të përpiqen që të jenë më vigjilentë në minutat e para.
PËRMBYSJA
Ajo që ka rënë gjithashtu në sy përgjatë këtyre javëve të kampionatit lidhet me faktin se Elbasani nuk ia ka dalë në asnjë moment që të kthejë rezultatin në favorin e vet. Dhe, si për ironi, në të tria ndeshjet që ka dalë nga fusha me gol të pësuar, gjithnjë ka qenë kundërshtari ai që ka realizuar i pari. Ndaj Dinamos, Skënderbeut dhe Tiranës, rivalët që i kanë shënuar elbasanasve, këta të fundit kanë marrë vetëm dy barazime, duke mos ia dalë dot që të kthejnë ndeshjen në favorin e tyre.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"