Shezni zbarkon në Barcelonë, kalon vizitat mjekësore me katalanasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 17:15

Shezni zbarkon në Barcelonë, kalon vizitat mjekësore me katalanasit

Zgjidhja urgjente e Barcelonës për të zëvendësuar të dëmtuarin Ter SHtegen tashmë është në Barcelonë. Polaku Vojçek Shezni, pasi mori “OK”-in e trajnerit Flik dhe drejtorit sportiv të Barcelonës, Deko mori një fluturim privat mëngjesin e të hënës nga aeroporti i Malagës dhe u ul rreth orës 10:30 të mëngjesit në “El Prat” në Barcelonë.

SHEZNI

Portieri, i cili ishte në “pension”, jeton në qytetin andaluzian që kur vendosi të largohej nga Juventusi në fund të sezonit të kaluar dhe të tërhiqej nga futbolli. Thirrja e Barcelonës e ka bërë atë të rikthehet te dorezat dhe që shumë shpejt atë do ta shohim duke mbrojtur portën e katalanasve, ndonëse duke iu referuar trajnerit Hansi Flik, atij do t’i duhet ta fitojë vendin.

Barça reagoi shpejt ndaj dëmtimit të rëndë të portierit të vet titullar dhe mundi ta bindë polakun të rikthehej në aktivitet. Gjatë mëngjesit të së hënës ai i është nënshtruar vizitave të zakonshme mjekësore dhe tani pritet të nënshkruajë me Barcelonën deri në fund të sezonit.

Në këtë mënyrë ai do të bashkohet me skuadrën e Flik për të kompletuar skuadrën e portierëve së bashku me Injaki Penjën dhe Astralaga. Vetë Shezni ka thënë gjatë këtyre ditëve se ishte një mundësi që nuk mund ta humbiste dhe se ia vlente të aktivizohej sërish për të mbrojtur portën e Barcelonës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"