“Shënojmë që në minutat e para”, Kimish gjen formulën e fitores: Sane na frymëzon drejt suksesit
Joshua Kimish shoqëroi në zonën e prononcimeve teknikun Tomas Tuhel. Mesfushori i bavarezëve foli me nota superlative në favor të ekipit, madje duke larguar edhe justifikimin e lëndimeve. Ai gjithashtu lavdëroi paraqitjet e Leroi Sanesë, i cili mori trajtën e “heroit” në takimin kundër Lajpcigut, i përfunduar në barazimin dramatik e ku i rrëzoi edhe nga vendi i parë në Bundesligë.
DËMTIMET- “Në grup ka disa lojtarë të dëmtuar, por numri i tyre mbetet relativisht i vogël. Ndihemi gati ndaj rivalit në Champions. Mendoj se jemi në formë të mirë dhe mbizotëron fryma optimiste”, tha Kimish.
FORMA E SANESË- “Leroi, përveç teknikës, është bërë shumë i fortë fizikisht. Ai duelon dhëmbë për dhëmbë në marrjen e topit dhe ia del me sukses. Pas një pune tejet rraskapitëse në fazën përgatitore, Sane po shpërblehet në këtë fillimsezoni. Champions-i mbetet kompeticioni i preferuar për të, këtë detaj e ka dëshmuar edhe në të kaluarën.
Mënyra se si anësori 27- vjeçar lëviz në fushë plot gjallëri na bën të gjithëve të lumtur. Është kënaqësi për sytë të vështrosh driblimet e njëpasnjëshme dhe finalizimet e shkëlqyera që vetëm Sane di t’i dhurojë. Shpresoj se forma e tij do të vijojë gjatë”, shtoi i ngazëllyer futbollisti me numër 6 në gjirin e kampionëve gjermanë.
STRATEGJIA- “Gjetja e golit që në minutat e para do të na e bënte më të thjeshtë objektivin, fitoren. Jam i lumtur kur shënojmë gola në masë dhe dalim me rezultatin e dëshiruar. Kemi funksionuar mirë javët e fundit, pasi përmirësimi mbetet aktiv. Avantazhi i Kopenhagës është se ata nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të japin gjithçka. Ne e njohim forcën e tyre në shtëpi dhe jemi përgatitur”, tha Joshua Kimish.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"