Shans për kreun, Egnatia luan dy ndeshje në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2024 | 20:15

Shans për kreun, Egnatia luan dy ndeshje në shtëpi

Egnatia mund ta shohë veten sërish në vend të parë, nëse gjërat shkojnë mbarë për kampionët në fuqi në dy javët e ardhshme. Shanset për të ndodhur kështu janë të mëdha, sepse rrogozhinasit kanë në favor të tyre kalendarin. Ata luajnë dy ndeshje radhazi në stadiumin e tyre, ku presin fillimisht Teutën dhe më pas Dinamon, dy kundërshtarë që janë afër në renditje.

egnatia

Durrsakët kanë një pikë më pak, ndërsa kryeqytetasit kanë pikë të barabarta me Egnatian, që i ka mundur në ndeshjen direkt.

Nëse të besuarit e trajnerit Edlir Tetova marrin 6 pikë në këto 180 minuta, vendi i parë do të ishte plotësisht i arritshëm, duke ditur që rivalët kanë kalendar më të vështirë. Partizani kryesues ndeshet me Elbasanin dhe pastaj përplaset me Vllazninë që e ndjek në vend të dytë. Por llogaritë nuk vlejnë, nëse kampionët e vendit nuk fitojnë ndeshjet e tyre.

GJENDJA – Nuk do të jetë e lehtë për rrogozhinasit, të cilët të paktën kundër Teutës kanë mungesa me peshë në formacion, siç janë kapiteni Renato Malota dhe mesfushori Albano Aleksi. Që të dy këta lojtarë me eksperiencë janë të skualifikuar për shkak të kartonëve të marrë në ndeshjen e fundit në Korçë.

Mbrojtja në fakt është një shqetësim i madh për trajnerin Tetova, po të llogarisim këtu edhe dëmtimin e Xhemajlit e të Fangajt, por ky i fundit pritet që të jetë gati ndaj Teutës. Aleat në këtë drejtim është koha, pasi këtë fundjavë kampionati është pushim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"