“Sfidat kanë vlerë të madhe”, Marku: Dinamo ndryshe, tani e kemi kokën më të qartë
Në futboll ndryshimin e bëjnë edhe gjërat e vogla e të thjeshta. Me ndryshimin e stafit teknik, Dinamo ka filluar të bëjë hapa përpara në mënyrën si luan dhe në rezultate.
Është po ai grup futbollistësh, por që tani po shprehet më mirë dhe i përballon ndeshjet më mirë. Rol të rëndësishëm ka në këtë ndryshim njohja e kampionatit nga trajneri Mehmeti, por edhe mënyra si ai e përgatit dhe motivon ekipin para çdo sfide. Me ritmin e javëve të fundit blutë vërtet mund ta ndryshojnë fatin e sezonit, duke u prezantuar si skuadër pretendente për të shkuar në 4-shen e parë. Mundësitë janë reale, sepse diferencat në tabelën e renditjes janë shumë të vogla. Për gjendjen e Dinamos dhe ndryshimin që kjo skuadër ka bërë së fundi ka folur Albion Marku, një nga titullarët e kryeqytetasve. Si faktor kryesor në këtë ndryshim mbrojtësi i djathtë sheh përmirësimin e gjendjes psikologjike, mentalitetin dhe thjeshtësinë që skuadra shfaq në fushë.
RENDITJA – “Ne jemi në fund të tabelës, por të mos harrojmë se 6 pikë na ndajnë nga vendi i 3-të, kështu që gjithçka është e hapur. Atmosfera në grup është mjaft e mirë, pasi kemi grumbulluar pikë në ndeshjet e fundit dhe dihet që rezultatet janë më të rëndësishmet. Morali është rritur mjaftueshëm për të gjithë djemtë dhe besoj që do të arrijmë lart. Ndeshjet në vazhdim, duke nisur që nga ajo me Erzenin, kanë vlerë shumë të madhe për ne. Kundërshtari duhet respektuar maksimalisht, si çdo ekip tjetër”.
NDRYSHIMI – “Dinamos mendoj se po i rikthehet mentaliteti fitues, që të futet në çdo ndeshje për fitore. Kjo gjë po ndryshon dhe mendoj se do ta marrim veten, si me pikët, ashtu edhe nga ana psikologjike. Lojtarët po mundohen të luajnë thjesht futboll, të bëjnë atë që është më e mira për ekipin, çka na ka ndikuar edhe në gjendjen psikologjike. Të gjithë vrapojnë, luftojnë dhe japin maksimumin. Jo se nuk e kemi dhënë më parë, por kur e ke kokën pak më të qartë te synimi që ke, i bën gjërat më mirë”.
GOLAT E MUNGUAR – “Jemi akoma në fillim të kampionatit, jemi mësuar që të shënojnë sulmuesit dhe le të shpresojmë që ata të shënojnë sa më shumë edhe në vazhdim. Pjesa tjetër do të vijë më pas”, ka thënë mbrojtësi i djathtë i kryeqytetasve.
FATION RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"