Sfida Lushnja-Turbina, flet Bledar Devolli: Të shmangim gabimet, marrim pikë në “Roza Haxhiu”
Turbina ka mbyllur përgatitjet dhe është gati për javën e 7-të. Skuadra është grumbulluar në Cërrik mbrëmë dhe vetëm sot do të marrë rrugën drejt Lushnjës, atje ku do të masë forcat me vendësit.
Organika është e plotë dhe të verdhët i kanë idetë e qarta për këtë transfertë: do të tentohet kthesa e madhe. E dinë që nuk do të kenë të lehtë, e megjithatë Bledar Devolli e ka përgatitur “recetën”.
Ai pret që skuadra të luajë e përqendruar në mbrojtje dhe të shfrytëzojë çdo mundësi që do t’i krijohet në sulm. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri kërkon nga të tijtë që të tregojnë se nuk e meritojnë vendin e fundit në tabelë.
“Na pret një sfidë e vështirë. Lushnja ndodhet në të njëjtat pozita si ne dhe më tepër ka ndërruar trajnerin. Kështu që nuk do ta kemi të lehtë, pasi ata kanë një emër jo të vogël dhe luajnë në fushën e tyre. E megjithatë, ne do të synojmë një rezultat pozitiv dhe shpresojmë që ta marrim.
Fitorja do të na bënte shumë punë. Ne do të hyjmë në fushë për të dhënë si gjithmonë maksimumin. Jemi në formë të mirë dhe do të synojmë si fillim të mos pësojmë gol.
Kjo është kryesorja, të mos bëjmë gabime dhe të luajmë të përqendruar në mbrojtje, ndërkohë që duhet të zhbllokohemi psikologjikisht dhe të dalim nga ngërçi që na ka kapur.
Rastet që të na jepen duhet t’i shfrytëzojmë dhe të mos i shpërdorojmë, siç kemi bërë në takimet e kaluara. Pra, duhet të tregojmë se nuk e meritojmë këtë pozicion në renditje dhe të fillojmë ngjitjen sa më shpejt”, tha tekniku Bledar Devolli.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"