“S’dua ekip të vendit të parë, por skuadër që luan futboll”, Idrizi flet për masa ekstreme: Flamurtar pa busull, Lushnja i dha leksion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2024 | 21:49

“S’dua ekip të vendit të parë, por skuadër që luan futboll”, Idrizi flet për masa ekstreme: Flamurtar pa busull, Lushnja i dha leksion

Prag tërmeti në Vlorë… Sinan Idriz t i soset durimi, “shkund” Flamurtarin pas ndeshjes me Lushnjën. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, administratori thotë se Lushnja u dha leksion se si luhet futboll.

IDRIZI

Fitoren e cilëson thjesht një fat, pasi për të skuadra ishte tejet e çorientuar. Idrizi del kundër zgjedhjeve të trajnerit Andrea Agostineli, kur thotë se nuk e kupton se përse nuk aktivizohen lojtarët e stolit. Kreu i klubit thekson se e kishte të vështirë të dallonte në fushë se cili ishte ekipi i vendit të parë. Gjithçka e cilëson një megalomani të trajnerit, stafit dhe lojtarëve.

“Lushnja na dha një leksion të qartë futbolli. Nuk e di, por unë pashë në fushë një ekip të çorientuar komplet. Në këtë farë feje nuk e kisha parë asnjë herë Flamurtarin, madje edhe të vendosur keq në fushë. Unë nuk bëhem nihilist të hedh ekipin poshtë kur humbet dhe ta lavdërojmë dhe ta çojmë në qiell kur fiton, por kjo gjë që pamë në Vlorë ishte shumë e shëmtuar.

Në ekip kemi edhe një grup të dytë lojtarësh, që janë rezervat. Unë nuk e kuptoj pse bëhen këto zgjedhje. Them se ishin mrekulli këto tri pikë, pasi e përsëris që në fushë ishte një ekip që nuk ekzistonte fare. Unë nuk e kuptova dot në atë ndeshje se kush ishte ekipi vendit të parë.

E kisha shumë të vështirë të bëja dallim, nëse ishim ne të parët apo Lushnja? Mendoj se e gjitha ishte një megalomani e trajnerit të Flamurtarit, e të gjithë stafit, si dhe e lojtarëve. Unë dua ta shikoj ekipin që luan futboll. Mua nuk më interesojnë pikët fare. Në takimin me Lushnjën, ekipi ynë ishte një ekip inekzistent. Ishte një çorientim total.

-900-0-1721029838xandrea-agostinelli-dhe-sinan-idrizi-213

Tre pikët që morëm në atë ndeshje, ishin një fat dhe një dhuratë nga Zoti. Lushnja na ka dhënë një leksion të mirë brenda në Vlorë, se si luhet futboll. Në atë ndeshje nga fanella nuk e kuptoja dot se kush ishte fanella e vendit të parë, që kryeson në renditje. Ishte një ndeshje e shëmtuar nga skuadra jonë”, shprehet fillimisht Idrizi.

NUK KA TOLERIM- Sinan Idrizi paralajmëron skuadrën për masa ndëshkuese ekstreme. Nuk është aspak i kënaqur me lojën në fushë dhe të gjithë janë në “fije të perit”, nëse do të ketë qoftë edhe një paraqitje të tillë të vetme.

“Unë nuk marrë masa, por me atë që pashë në pjesën e dytë, do më bëjmë që të kalojë në masa ekstreme. Një ekip që në pjesën e dytë nuk del një herë në portë. Ky është ekipi vendit të parë? Unë nuk dua ekip të vendit të parë, por ekip që luan futboll.

Të bësh në Vlorë dy gola nga dy aksione që quhen episode futbolli, nuk di se çfarë emri t’i vendos. Lushnja pati pesë raste. Nëse është si ky ekipi i vendit të parë, atëherë në rregull, dorëzohem unë. Por kjo ishte gjëja më e shëmtuar që pashë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"