Rrethi i 81-të Çiklistik, serbi Stojniç merr kreun në etapën e katërt
Etapa e katërt e Rrethit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë ka regjistruar një incident në aksin rrugor Kuç-Qeparo.
Gjatë garës, tre çiklistë të huaj kanë humbur kontrollin në dishezë dhe kanë dalë nga rruga dukë pësuar lëndime serioze. Bëhet fjalë për dy çiklistë të skuadrës bullgare Hemus Troyan, Pavel Shumanov e Nikolay Dyankov, si dhe Mees Jacobs, çiklisti i skuadrës holandeze Wielerploeg Groot Amsterdam. Çiklistët kanë pësuar fraktura, ndërsa holandezi dhe një prej bullgarëve janë transportuar në Tiranë për të marrë trajtimin më të specializuar mjekësor për dëmtimet e pësuara pas këtij incidenti, por nuk ndodhen në rrezik për jetën. Për këtë incident ka ardhur edhe reagimi i Policisë:
“Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81- të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, shkruhet në njoftim. Ndërkohë, etapa ka vazhduar normalisht nga pjesëmarrësit e tjerë duke u mbyllur në Llogara.
GARA – Duke kaluar te gara, etapa e katërt Vlorë-Mali i Çikës (121.34 km) siç edhe pritej ishte më e vështira e Rrethit të 81-të Çiklistik. Një garë malore dhe vendimtare për triumfin final të këtij kompeticioni. Gara u dominua nga Veljko Stojniç i Kombëtares së Serbisë, i cili hodhi një hap të madh fitoren finale të Turit të Shqipërisë. Stojniç regjistroi kohën 3:27:50, duke lënë pas Dimitar Jovanovskin e Maqedonisë së Veriut (+1:49) dhe boshnjakun Vedad Kariç (1:49), sportist i skuadrës Kamen Pazin. Çiklistët shqiptar e panë veten në vështirësi të mëdha në malore dhe nuk arritën që të linin gjurmë, teksa pozicionimin më të mirë nga kuqezinjtë e kishte Lukas Sulaj Kloppenberg, i cili u rendit vetëm në vend të 24-t me diferencë +13:23 nga kreu. Duke kaluar në renditjen e përgjithshme, përveç triumfit në etapën e katërt, serbi Stojniç ka marrë gjithashtu edhe fanellën e verdhë të liderit.
Ai kryeson Rrethin e 81-të Çiklistik me kohën e përgjithshme 14:32:57 dhe marshon i sigurt drejt suksesit. Në vend të dytë renditet boshnjaku Vedad Kariç me diferencë +1:55 nga lideri serb. Ndërsa pozicionin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm e mban holandezi Koos Jeroen Kers +4:56, sportist i skuadrës Wielerploeg Groot Amsterdam. Për sa i përket renditjes ekipore është Serbia skuadra kryesuese e kompeticionit, me kohën totale 43:53:10, e ndjekur nga bullgarët e Hemus Troyan (+17:11) dhe holandezët e Wielerploeg Groot Amsterdam (21:21). Tirana (+38:31) renditet e pesta, ndërsa Kombëtarja Shqiptare (+46:36) ka rrëshqitur në vend të shtatë. Rrethi i 81-të Çiklistik do të mbyllet sot me etapën e pestë dhe të fundit, Vlorë-Lushnjë-Fier, e karakterit fushor me distancë 118.79 km, ndërsa në fund do të mbahet edhe ceremonia për fituesit në qytetin e Fierit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"